Berko operohet me sukses, te Bylisi e presin për fazën përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2025 | 11:09

Berko operohet me sukses, te Bylisi e presin për fazën përgatitore

Erik Berko ka bërë një ndërhyrje në gju. Sulmuesi që erdhi me shumë bujë verën e shkuar në Ballsh, si një lojtar me eksperiencë, madje dhe titullar e një nga shënuesit e spikatur te mallakastriotët.

berko

Operacioni ka kaluar me sukses dhe me shumë gjasa Berko do të jetë gati vetëm gjatë fazës përgatitore verore. Gjithsesi, më parë palët duhet të bien dakord për vijimin e bashkëpunimit edhe sezonin e ardhshëm, duke qenë se prej dy javësh është larguar me pushime pranë familjes, në Gjermani, ku ka kryer së fundmi edhe ndërhyrjen.

PËRGATITJET – Ballshiotët nga java që vjen do të jenë me pushime, për t’u grumbulluar më pas në javën e fundit të qershorit, apo në fillimin e korrikut. Në Ballsh kanë nisur që të bëjnë llogari për sezonin e ri, ndërsa të gjithë lojtarëve me kontratë do t’u jepet nga një plan i posaçëm stërvitor në mënyrë që ata të jenë sa më në formë dhe të mos shtojnë peshë gjatë kësaj periudhe pauze.

Nga Bylisi deri tani ka pasur largime, ku vetëm Ilieski ka qenë titullar, por edhe afrime apo më saktë rikthime, teksa bëhet fjalë për ata lojtarë, të cilët kanë qenë të huazuar në ekipet e inferiores. Duke shtuar edhe disa elementë që do të vijnë nga moshat, ballshiotët do të ndërtojnë jo vetëm ekipin “A”, por edhe ekipin “B”. Gjatë kësaj periudhe, te Bylisi kanë zhvilluar ndeshje brenda grupit, në mungesë të miqësoreve, ndërsa thuajse tërë lojtarët e huaj janë larguar në familjet e tyre. Të gjithëve u është bërë e qartë se duhet që të jenë gati kur të startojë faza përgatitore.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL