Berko dhe Da Silva, dy dyshimet e vetme në organikën e Bylisit
Bylisi duket se është fokusuar tek organika e sezonit të ardhshëm dhe me sa duket, në Ballsh fillimisht janë duke u “dhënë duart” atyre lojtarëve që nuk i shohin si pjesë të planeve të tyre. Më pas, për të biseduar me ata lojtarë, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe duan që në klub t’i kenë edhe në vijim. Mallakastriotët synojnë që në sezonin e ardhshëm të ndërtojnë një skuadër edhe më të fortë nga ajo e edicionit që përfundoi dhe që të mos e vërë në diskutim mbijetesën.

Gara e sezonit të ardhshëm do të jetë e fortë, ndaj edhe mallakastriotët duan që të jenë dinjitozë në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë. Vetë struktura me 10 ekipe nuk të bën që të ndihesh i sigurt ndaj edhe te Bylisi, janë duke i marrë masat më së miri për sezonin e ardhshëm duke shfrytëzuar edhe faktorin kohë.
Siç edhe dihet, pjesa më e madhe e lojtarëve janë nën kontratë, madje jo vetëm për vitin që vjen, ashtu sikurse duhet pranuar që shumë prej tyre mund të kërkohen sapo të hapet merkato, nga klube vendase, por edhe të huaja.
Natyrisht që Bylisi kur bëhet fjalë për oferta që vlejnë, do të bëjë marketing ashtu si në çdo verë. Pa thënë se ballshiotët me shumë gjasa do të kenë për sezonin e ardhshëm portierin Toni, që dha shumë siguri në prapavijë. Nga lojtarët pa kontratë në dyshim mbeten Da Silva e Berko, ndërsa nga pjesa tjetër askush nuk mund të largohet pa vulën e Kapllanajt.
MERKATO – Ballshiotët pritet që në që qershor të bëjnë afrime jo vetëm për skuadrën e parë, por edhe ekipin “B”. Me shumë gjasa synohet që të ndërtohen dy skuadra të denja, ashtu sikurse U-19 do të ketë ambicie dhe synimi do të jetë titulli kampion.
Ndaj edhe muaji qershor, pritet që të jetë periudha ideale e lëvizjeve te mallakastriotët që, ndryshe nga vjet, tashmë do të jenë më të kompletuar dhe synimi është që të kenë struktura të shëndosha në tërë hallkat e klubit. Bardhekuqtë mallakastriotë mbijetuan vetëm në javën e fundit në sezonin që sapo ka përfunduar, ndaj edhe duan që të jenë ndryshe në edicionin në vijim…
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













