Bashkia e Shkodrës i premtoi premio si kryeqytetasit, Xhaferi: Këto janë momentet që e bëjnë Vllazninë të madhe
Vllaznia hyn në 6 javët e fundit të kampionatit si kryesuese e vetme, teksa krijoi një tjetër shkëputje të vogël pas ndalesës së Elbasanit me të cilën ndante vendin e parë.

Shkodranët fituan në transfertë ndaj Partizanit, një pengesë jo e vogël në rrugëtimin e tyre dhe kësisoj me të drejtë kanë festuar pas sfidës që i shtyn më shumë drejt objektivit të titullit kampion.
Presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi, ka zgjedhur pikërisht një foto të festës pas ndeshjes për të postuar në rrjetet sociale një mesazh për tifozët, duke kujtuar aty edhe premion që Bashkia e Shkodrës kishte vënë për ekipin nëse fitonte titullin, njëlloj siç vepron ajo e Tiranës.
POSTIMI I XHAFERIT
Këto janë momentet që e bëjnë Vllazninë të madhe.
Kjo skuadër po tregon çdo ditë se çfarë do të thotë përkushtim, karakter dhe dashuri për fanellën.
Faleminderit djemve, stafit dhe tifozëve që janë gjithmonë pranë nesh.
Çdo mbështetje për ekipin, përfshirë edhe iniciativa si shpërblimet nga institucionet shtetërore apo private, është e mirëpritur dhe merr vlerë kur shkon në funksion të këtij objektivi dhe qytetit tonë.
Ne vazhdojmë të fokusuar, me të njëjtin seriozitet dhe përkushtim.
Rruga vazhdon…
PANORAMASPORT.AL













