Bashkia, 300 milionë lekë për KF Tirana. Bardheblutë, ofertë Mukës për drejtor teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2012 | 13:05

Bashkia, 300 milionë lekë për KF Tirana. Bardheblutë, ofertë Mukës për drejtor teknik

Marrin “frymë” thellë te Tirana. Bashkia edhe këtë vit ka futur dorën në xhep, duke parashikuar një fond prej 300 milionë lekësh për klubin e futbollit të Tiranës. Edhe pse klubi është një shoqëri aksionere dhe normalisht duhet që të vetëfinancohet, bashkia ka menduar që edhe për 2013-ën të kontribuojë me shpresën se në vijim, pra në të ardhmen e afërt, do të marrë fund edhe problematika financiare e bardhebluve. Kujtojmë se vitin e shkuar, i cili përkonte me herën e parë që klubi ishte sh.a, bashkia bëri një shtim kapitali prej 800 milionë lekësh në kapitalin e përgjithshëm të KF Tirana (vlera totale e klubit shkoi nga 64.4 në 65.2 miliardë lekë), ndërsa sivjet bashkia ka vendosur që këto parà të konsiderohen jo si një shtim kapitali, por si një derdhje, çka nënkupton se natyrisht ato do të përdoren (ose më mirë kryesisht) për pagesat e lojtarëve.
Vendimi – Në tabelën e buxhetit të kaluar dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, bashkia kishte nënvizuar në kapitullin V investimet lidhur me sportin, ku përfshihej edhe shumësportëshi. “Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe për vitin 2013 një shumë për derdhje kapitali në favor të klubit të futbollit Tirana, si aksionere e vetme e këtij klubi. Ky financim po shkon drejt reduktimit, pasi klubi po financohet nga donatorë”, – thuhet në vendimin e propozuar dhe miratuar dje për klubin e futbollit. Kështu, pritet që zgjidhja e problemit të financave (rrogave të prapambetura) të marrë një zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme. Kuptohet që një gjë e tillë nuk mund të bëhet sot për nesër, pasi për t’i pasur në funksion këto parà, më përpara duhet që buxheti të marrë edhe firmën e prefektit të Tiranës dhe të alokohen fondet nga thesari. Në këtë këndvështrim, një gjë e tillë mund të bëhet jo më parë se fundi i muajit janar. Kështu që bashkia duhet të gjejë një zgjidhje për rrogat e tetorit dhe nëntorit, duke qenë se ka marrë më shumë se një herë “kërcënime” për prishje të kontratës nga ana e lojtarëve, duke qenë se jemi edhe në kohë merkatoje (te Tirana, nëse një lojtar nuk paguhet për më shumë se dy muaj, ai ka të drejtë të kërkojë në federatë zgjidhjen e njëanshme të kontratës, duke u konsideruar si lojtar i lirë).
Shumësportëshi – E nëse futbolli, si gjithnjë merr “pjesën e luanit”, kur vjen puna te sporti, bashkia gjithsesi ka menduar edhe për klubin shumësportësh të Tiranës, ku përfshihet atletika, volejbolli, basketbolli etj. Kështu, dje u miratuan 440 milionë lekë (të vjetër) në ndihmë të këtyre sporteve, dikur elitare në shumë disiplina. “Akordohen 44.000.000 lekë (të rinj) për klubin sportiv Tirana, i cili funksionon si institucion varësie pranë Bashkisë së Tiranës, mbulon shpenzimet për sportistët e disiplinave të ndryshme sportive që ushtrojnë profesionet pranë këtij klubi”, – thuhet në vendimin e propozuar dhe miratuar dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

BUXHETI PËR TIRANËN
1. Derdhje kapitali për KF Tirana – 30.000.000 lekë (të rinj)
2. Realizimi i projektit “Dua të luaj” – 792.155 lekë (të rinj)
3. Rikonstruksioni i ambienteve të “Skënder Halili”-t – 434.000 lekë (të rinj)
SHUMËSPORTËSH
1. Klubi Spor tiv Tirana – 5.012.600 lekë (të rinj)
2. Rregullim i pallatit të sportit “Farie Hoti” – 3.381.310 lekë (të rinj)
3. Riparim i rrjetit elektrik te “Farie Hoti” – 1.414.296 lekë (të rinj)
4. Sistemim ajrim ventilimi i “Farie Hoti” – 52.456 lekë (të rinj)
5. Ndërtim i dhomave të sportistëve 94.594 – lekë (të rinj)
6. Ndriçimi i fushës së tenisit 29.173 – lekë (të rinj)
7. Ndriçimi i sallës spor tive – 40.771 lekë (të rinj)

Sporti, zëri më i ulët në buxhetin e Bashkisë
Nëse vëren me kujdes ndarjen e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2013, të bie në sy një fakt goxha domethënës: sporti është zëri, të cilit i shkojnë më pak se cilësdo fushe të jetës. Kështu, nga 80 milionë dollarë buxhet për 2013-ën, vetëm 1 për qind e tij do të shkojë për rininë dhe për sportin. Pjesën më të madhe e merr natyrisht zëri “Shërbimet publike vendore” me 38 për qind të buxhetit. Pas tij vjen arsimi parauniversitar dhe edukimi (20 për qind), planifikimi, menaxhimi dhe administrimi (19 për qind), menaxhimi i rrugëve dhe transportit (8 për qind), zhvillimi ekonomik dhe punësimi (3 për qind), strehimi dhe planifikimi i territorit (2 për qind), kujdesi social (2 për qind), kultura e turizmi (2 për qind) dhe rinia e sporti (1 për qind). Sakaq, programi i rinisë dhe sportit parashikon organizimin e aktiviteteve të ndryshme rinore dhe sportive në qytetin e Tiranës. Politika e këtij programi konsiston në kthimin e Tiranës në një qytet të pasur me aktivitete rinore, sportive dhe kulturore, si dhe krijimi i një stili modern jetese për sa i përket mirëqenies psiko-fizike. Politikat kryesore të këtij programi janë të lidhura ngushtë me organizimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme rinore për të bërë të mundur gjallërimin e rinisë joaktive të Tiranës, si dhe nxitjen, zhvillimin dhe përhapjen e kulturës sportive në kryeqytet nëpërmjet organizimit të aktiviteteve dhe projekteve sportive. Krijimi i një partneriteti të fortë dhe multifunksional me të rinjtë e kryeqytetit nëpërmjet marrjes së iniciativave për krijimin e sa më shumë lehtësirave për të rinjtë, organizimin e sa më shumë programeve kulturore dhe rinore.

60 mln lekë për “Skënder Halili”-n dhe “Farie Hoti”-n
Bashkia e Tiranës nuk ka menduar thjesht që të japë parà për pagesa sportistësh, por edhe për investime në sport. Kështu është programuar që të jepen rreth 8 milionë lekë për projektin “Dua të luaj”. Ndërsa rreth 4 milionë janë akorduar për një rikonstruksion të ambienteve në fushën stërvitore të “Skënder Halili”-t. Për sa i përket shumësportëshit, janë programuar të jepen më shumë se 3.3 milionë lekë për rregullim të pallatit të sportit “Farie Hoti”, 1.4 milionë lekë për riparimin e rrjetit elektrik të këtij pallati sporti, si dhe një shumë prej 5.2 milionë lekësh për sistemim e ajrimit dhe ventilimit. Bashkia ka menduar edhe për rregullimin e dhomave të sportistëve, ndriçimin e fushës së tenisit, si dhe të sallës sportive.
LEONARD KARAJ

Bardheblutë ofertë Devi Mukës
Tirana i ofron një post drejtuesi në klub ish-kapitenit të saj legjendar, Devi Muka. Burime të sigurta pranë drejtuesve bardheblu kanë konfirmuar dje për “Panorama Sport”, se gjatë javëve të fundit është biseduar disa herë me ish-futbollistin dhe në parim është arritur një marrëveshje. Anëtarë të bordit drejtues të klubit kanë kërkuar ndihmën e Mukës dhe ky i fundit ka dhënë OK-in për të nisur së afërmi punën, por këtë herë jo në rolin e një lojtari. Vlonjati, i cili prej dy vitesh i ka dhënë lamtumirën futbollit, me shumë mundësi do të angazhohet në postin e drejtorit teknik të skuadrës. Këtë pozicion momentalisht e mban Alban Tafaji, por ky i fundit është njëkohësisht edhe trajner. Nga sa mësohet, Muka e ka mirëpritur ftesën që i është bërë dhe pasi është konsultuar me miqtë e tij të ngushtë, ka vendosur që së shpejti të nisë zyrtarisht punën në klubin e zemrës. Në fakt, ishkapiteni i shquar bardheblu nuk do që të japë shumë detaje në lidhje me këtë çështje, edhe pse e konfirmon ofertën që i është bërë. “Tirana është shtëpia ime, të shohim në janar se çfarë do të ndodhë. Me shumë mundësi do të rikthehem të ndihmoj skuadrën ku luajta vitet më të bukura të karrierës”, – ka thënë dje 36-vjeçari, i cili që pas lënies së futbollit po merret me bizneset e tij private në kryeqytet. Gjatë kësaj periudhe Muka ka qëndruar larg vëmendjes mediatike, edhe pse në disa raste nuk ka ngurruar të flasë për problemet që ka pasur klubi bardheblu.
Prapaskenat – Nga burime të besueshme në klub, shumica e anëtarëve të bordit drejtues e preferojnë Devi Mukën si trajner të Tiranës. Megjithatë, në këtë situatë zor se ishkapiteni mund të pranojë të bëjë rolin e kreut të pankinës. Tri vite më parë, treshes Muka, Tafaji dhe Dede iu besua pankina e Tiranës, por kjo aventurë zgjati pak. Që pas largimit të trajnerit Artur Lekbello, bardheblutë drejtohen nga Tafaji. Edhe pse ky i fundit ka besimin absolut të klubit, e ardhmja pritet të sjellë sërish ndryshime në stafin teknik. Muka është i preferuari, por problemet që ka aktualisht Tirana bëjnë që ai të hezitojë për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi. Roli i drejtorit teknik shikohet si i duhuri për momentin edhe nga vetë Muka. Megjithatë, zyrtarizimet do të ndodhin në janar të vitit 2013, pasi situata në klub të normalizohet për sa i përket rrogave të prapambetura të lojtarëve.

Ish-kapiteni bardheblu
Devi Muka ka qenë lider i padiskutueshëm te Tirana, të paktën që nga koha kur në drejtim të klubit erdhi katërshja e donatorëve: Ngjela, Papuli, Nuri dhe Halili. Ai është konsideruar edhe si një nga lojtarët më të paguar te bardheblutë, paçka se zyrtarisht nuk është mësuar asnjëherë sa paguhej realisht. Në sezonin 2009-2010 ai pati edhe një eksperiencë të shkurtër si trajner.

Lamtumira e heshtur      
Ndonëse ka kaluar një periudhë të lavdishme me shumë kupa e kampionate të fituara te Tirana, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për largimin e Devi Mukës nga kjo skuadër. Takimi i fundit i tij rezulton të jetë një Tirana- Besa 0-0 në “Selman Stërmasi”, pas të cilit u shkarkua nga detyra edhe trajneri Nevil Dede. Pas emërimit të Misho Kërstiçeviç, Muka edhe për shkak të një dëmtimi nuk zbriti më në fushën e lojës si lojtar.
JORGIS MEMO