Bajrami dhe Krymi, dilemat e Vllaznisë. Kuqeblutë, probleme për gjysmëfinalen e Kupës ndaj Dinamos
Vllaznia ka kaluar një sfidë të vështirë në fundjavë, teksa përballja ndaj Partizanit u shoqërua me shqetësime të mëdha për gjendjen fizike të disa lojtarëve kryesorë. Melos Bajrami, mbrojtësi i cili ishte parashikuar si titullar për këtë ndeshje, pësoi një lëndim gjatë nxehmjes para startit të takimit dhe nuk mundi të aktivizohej ndaj të kuqve.
Edhe Ardit Krymi, një tjetër shtyllë e mesfushës, u detyrua të largohej nga fusha në përfundim të pjesës së parë për shkak të një shqetësimi fizik. Lojtari ka treguar shpesh se përveç cilësive teknike, prezenca e tij fizike është një nga elementët vendimtarë për ritmin e lojës së Vllaznisë. Këto dy mungesa, të ndërlikuara edhe nga një dëmtim i gjatë i Lirim Kastratit, kanë rritur pasigurinë mbi skemën taktike për ndeshjet e ardhshme.
Stafi mjekësor i kuqebluve ka filluar një proces të kujdesshëm rikuperimi për Bajramin dhe Krymin, duke vlerësuar çdo ditë gjendjen e tyre fizike dhe duke shmangur çdo rrezik të mundshëm. Në plan është që të dy lojtarët të jenë në dispozicion për sfidën e mesjavës në Kupë, ku Vllaznia do të përballet me Dinamon në gjysmëfinale, por vendimi final do të merret vetëm, pasi të vlerësohet plotësisht aftësia e tyre për të luajtur pa rrezik.
Ky qëndrim tregon qartë se stafi nuk do të nxitohet për të marrë përsipër ndonjë rrezik të panevojshëm, sidomos në këtë moment kritik të sezonit ku çdo pikë dhe çdo fitore ka peshë të madhe. Analistët dhe tifozët e kuqebluve po ndjekin me shqetësim situatën, duke kuptuar se mungesa e dy elementëve kyç mund të ndikojë në performancën e skuadrës, sidomos në ndeshjet vendimtare të Kupës dhe kampionatit. Megjithatë, ekipi ka treguar në të kaluarën se është i aftë të përballojë sfida të tilla me alternative të mira dhe frymë ekipore të fortë.
KUPA – Vllaznia ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Partizanit, duke u imponuar me rezultatin 0-2. Ky sukses i jep skuadrës shkodrane tri pikë të vlefshme dhe e mban në vendin e parë në renditje, me një diferencë prej dy pikësh nga Egnatia e vendit të dytë. Megjithatë, nuk ka kohë për festë. Menjëherë pas ndeshjes në kampionat, vëmendja e kuqebluve është zhvendosur te Kupa e Shqipërisë, ku i pret gjysmëfinalja e parë ndaj Dinamos në transfertë. Përballja ndaj Dinamos pritet të jetë një tjetër test i vështirë.
Skuadra e drejtuar nga Martini ka objektiva të qarta këtë sezon, duke synuar si kampionatin ashtu edhe Kupën, çka e bën këtë duel edhe më të fortë. Te kuqeblutë synimi është i qartë: të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë dhe të mbajë të hapur garën për një vend në finale. Stafi teknik pritet të menaxhojë me kujdes skuadrën, duke pasur parasysh ngarkesën dhe rëndësinë e ndeshjeve në këtë fazë të sezonit. Në këtë moment, Vllaznia kryeson kampionatin dhe mbetet në garë për Kupën, me objektiva të qarta në të dyja kompeticionet.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













