Aurel Marku vlerëson Kërnajën, por llogarit fitoren ndaj Partizanit: Nuk mund të gabojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2026 | 15:12

Aurel Marku vlerëson Kërnajën, por llogarit fitoren ndaj Partizanit: Nuk mund të gabojmë

Ballshiotët janë gati për sfidën e radhës me Partizanin.

aurel marku

Aurel Marku, i cili ishte nga më të dalluarit në fushë edhe në duelin me Dinamon në fundjavën e shkuar në Ballsh, në një prononcim për “Panorama Sport” theksoi se:

“Partizani është një nga ekipet në formë dhe me pretendime, madje meriton respekt për emrin që përfaqëson, ka në krye një trajner punëtor. Por edhe ne kemi synimet tona dhe tashmë nuk duhet të mjaftohemi vetëm me pikët në fushën tonë, por duhet të guxojmë edhe në transfertë, në këtë fazë në të cilën ka arritur gara. Jemi të motivuar dhe kemi punuar shumë gjatë kësaj jave dhe e gjithë vëmendja ka qenë te kjo ndeshje, të cilën ne duhet ta fitojmë, pse jo, sepse konsolidojmë pozitat tona në renditje.

Unë jam i bindur se nuk do të gabojmë më, sepse kemi pasur një formë të mirë, por duhet të shfrytëzojmë rastet që na jepen para portës kundërshtare. Duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë për të lënë pas rivalët tanë. Kemi një kalendar shumë të vështirë, por besoj se kjo është në saj të formulës dhe të gjithë bëjnë llogari në këtë fazë delikate të garës. Ne duhet të fokusohemi te kjo përballje, sepse fitorja na bën mirë dhe na mban të karikuar, duke qenë se luhen sfida delikate dhe vendimtare për synimin tonë. Nuk duhet të shohim se me kë dhe ku luajmë, të vlerësojmë çdo kundërshtar dhe të grumbullojmë pikët maksimale”, tha Aurel Marku, që te Bylisi mban edhe shiritin e kapitenit dhe luan sezonin e tij të tretë dhe të dytin si titullar.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL