“Arma” e Miles, do grup në harmoni e të bashkuar tek Tirana
Trajneri i ri dhe rregulla të reja. Te Tirana ka nisur një erë e fortë ndryshimesh me bardheblutë që po bëjnë ekipin nga fillimi. Vangjel Mile është në krye të skuadrës, por ardhja e tij ka sjellë një frymë të re.
Veç rregullave strikte dhe të zakonshme që ka çdo trajner, Mile ka një armë plus: mirësinë, sjelljen, por edhe harmoninë. Nga skuadra ka kërkuar grup të bashkuar dhe jo të përçarë. Me të gjithë lojtarët qëndron afër. Drejton me korrektësi dhe ka futur frymën e grupit në skuadër. Një situatë që kënaq të gjithë te Tirana. Shkurt, arma e Miles është grupi. Si lojtar ai e di mirë se individualisht mund të fitosh ndeshje, por grupi është ai të shpall kampion.
FIRMA Erando Karabeci pritet të jetë lojtari më i ri i Tiranës. Bardheblutë kanë arritur akordin për të rikthyer ishkapitenin, që pritet të ndihmojë grupin me eksperiencën e tij. Lojtari do t’i bashkohet skuadrës ditën e hënë, aty ku Tirana do të zhvendoset në Greqi për të kryer fazën përgatitore për disa ditë. Presidenti Halili zhvilloi një takim me 36- vjeçarin ku palët ranë dakord për një kontratë 1-vjecare dhe vetë mesfushori ka shprehur dëshirën që pas përfundimit të sezonit, ta mbyllë karrierën te Tirana. Një përforcim që më tepër ka peshë jashtë fushës së lojës, pasi me largimet e Përgjonit dhe Micit dy nga kapitenët e skuadrës, Karabecit, i del detyra që të ruajë ekuilibrat në dhomat e zhveshjes.
Me Tiranën, Karabeci u shpall kampion në sezonin 2019-2020, tri kupa dhe po kaq e Superkupa, e një trofe të Kategorisë së Parë. Karabeci e nisi karrierën te Partizani, për të luajtur më pas te Tirana. Me bardheblutë e kryeqytetit kaloi pjesën më të madhe të karrierës. 36- vjeçari ishte për herë të fundit pjesë e Teutës. Në Durrës qëndroi për tre vite, para se të dilte lojtar i lirë. Tirana vijon përgatitjet për sezonin e ri. Javën e ardhshme skuadra niset drejt Greqisë për fazën para fillimit të kampionatit.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













