Arkitektja e suksesit të Partizanit, Seranaj fton tifozët në ndeshjen historike me Vllazninë: Finale për të gjithë që besuan
Partizani i vajzave është surpriza e këtij edicioni. Skuadra e drejtuar nga Aurora Seranaj i befasoi të gjithë, duke mposhtur Gramshin pretendent në dy ndeshje gjysmëfinale të Final Four.

Partizani do të luajë sot finalen e madhe për titullin kampion, prej orës 19:30 në “Arena e Demave” kundër Vllaznisë. Kryeqytetaset kanë siguruar ndërkohë vendin në Europë për edicionin e ardhshëm.
Trajnerja e Partizanit, Seranaj, ka analizuar për “Panorama Sport” rrugëtimin e suksesshëm të Partizanit. Në anën tjetër ka edhe një ftesë për tifozët e kuq.
Ia dolët të siguronit Europën dhe do të luani një finale për titullin. Cilat janë emocionet tuaja si trajnere?
Prej 2 vitesh jam pjesë e Partizanit. Falenderoj presidentin Demi që më besoi pa më njohur duke me dhënë mbështetje. Kjo arritje është kulmi i një pune të gjatë, të palodhur dhe me shumë përkushtim. Sigurimi i një vendi në Europë dhe një finale për titullin janë dëshmi se jemi në rrugën e duhur. Si trajnere, emocionet janë të forta ka krenari për skuadrën, për progresin që kemi bërë bashkë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për atë që vjen më pas. Çdo ndeshje është një sfidë, por edhe një mundësi për të shkruar histori.
Si ia doli Partizani të surprizonte Gramshin?
Partizani ia doli sepse ekipi tregoi karakter. Vajzat e kuptuan momentin, u përqendruan tek loja dhe jo te zhurmat jashtë saj. Reaguam me maturi, shfrytëzuam momentet kyçe dhe ruajtëm qetësinë kur presioni ishte më i madh. Mbi të gjitha, fituam si skuadër të bashkuara, të vendosura dhe me zemër. Kjo bëri diferencën.

Sa do e privojnë skuadrën në finale dy kartonë të kuq, që u dhanë ndaj Gramshit?
Dy kartonët e kuq sigurisht që janë një goditje për skuadrën, sidomos në prag të një finaleje kaq të rëndësishme. Mungesa e dy lojtareve, veçanërisht në këtë nivel, ndikon në ekuilibrat taktikë dhe ul alternativat në pankinë. Por ajo që kemi ndërtuar si grup është forca jonë më e madhe. Kemi krijuar një skuadër që nuk varet nga individët, por nga bashkëpunimi dhe mentaliteti luftarak. Do të na mungojnë, pa diskutim, por kemi besim të plotë tek çdo lojtare që do të hyjë në fushë.
Ku i hasni vështirësitë më të mëdha dhe si mund të përparojë më shumë futbolli i vajzave në Shqipëri?
Për të përparuar, futbolli shqiptar ka nevojë për investim të qëndrueshëm në akademi, trajnim më të thelluar për trajnerët, dhe mbi të gjitha për një strategji afatgjatë që fokusohet tek edukimi sportiv dhe krijimi i një kulture profesionale. Futbolli nuk është vetëm rezultat, është proces dhe ky proces ka nevojë për përkujdesje, durim dhe vizion. Po t’i japim këto, kemi potencial të madh për të ecur përpara si vend.
Vllaznia një superfuqi. Cilat janë shanset e Partizanit?
Vllaznia është pa dyshim një superfuqi në futbollin e vajzave në Shqipëri, me eksperiencë, trofe dhe vazhdimësi që e bën një rival shumë të fortë. Por futbolli prandaj është i bukur se ka dhe surpriza, aty vendos përgatitja, vendosmëria dhe momenti.
Çfarë mesazhi i përcillni tifozëve, të cilët kanë mundësinë ta ndjekin Partizanin në shtëpinë e tyre?
Tifozët janë zemra e këtij klubi, energjia e tyre na shtyn përpara, veçanërisht në momentet kur lodhja apo presioni bëhen të ndjeshëm. Mesazhi im për ta është i thjeshtë: Ejani dhe bëhuni pjesë e kësaj historie. Skuadra ka nevojë për mbështetjen tuaj, për zërin tuaj në shkallët e stadiumit, për atë forcë që vetëm ju dini të jepni. Kemi bërë një rrugë të gjatë bashkë, por më e rëndësishmja është ajo që na pret përpara. Kjo finale është për të gjithë ju që keni besuar ejani në stadium dhe ta fitojmë bashkë.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













