Apolonia në Laç, me mungesë pikësh dhe lojtarësh
Apolonia është skuadra që ka bërë më keq në Kategorinë e Parë gjatë vitit 2026, pasi në shtatë ndeshje ka grumbulluar vetëm dy pikë.
Falë kësaj ecurie negative, fierakët tani rrezikojnë seriozisht pozitat në renditje, ndaj kërkohet një reagim i menjëhershëm nga skuadra e drejtuar nga trajneri Marko Jovanoviç. Sot Apolonia ka përpara një sfidë mjaft të vështirë, pasi luan në transfertë ndaj Laçit, skuadër që në 10 ndeshjet e fundit njeh vetëm fitore dhe po kalon një moment shumë të mirë në kampionat.
Megjithatë, në këtë përballje fierakët nuk do të jenë të plotë, pasi do të vuajnë disa mungesa të rëndësishme. Ersilido Asllanaj dhe Klejdi Hoxha u ndëshkuan me karton të kuq në ndeshjen e fundit ndaj Pogradecit. Madje Asllanaj është pezulluar me katër javë nga Komisioni i Disiplinës për një gjest antisportiv.
Problemet nuk mbarojnë këtu për Apoloninë, pasi edhe Arrojo ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe do të mungojë në këtë ndeshje. Kështu, fierakët do të duhet të bëjnë llogaritë me disa mungesa të rëndësishme pikërisht në një nga transfertat më të vështira të sezonit.
PANORAMASPORT.AL













