ANALIZA/ Java e 12-të e Superiores stabilizon gjykimin, VAR-i dhe gjyqtarët ia hedhin pa gafa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2025 | 19:45

ANALIZA/ Java e 12-të e Superiores stabilizon gjykimin, VAR-i dhe gjyqtarët ia hedhin pa gafa

Java e 12-të në Superiore prodhoi një tablo të qartë të ndikimit që sistemi VAR dhe gjyqtarët kanë në rrjedhën e kampionatit. Në çdo stadium, nga Tirana në Vlorë e deri në Rrogozhinë, vendimet kyçe që lidhen me gola, penallti dhe episode të diskutueshme u analizuan me kujdes, duke i dhënë kësaj jave një karakter shumë më teknik.

superiore

Ishte një javë ku skuadrat kërkonin pikë pozitive dhe arbitrave iu desh të merrnin vendime të cilat jo vetëm ndikuan rezultatin, por shpesh edhe e orientuan ritmin e ndeshjes. Në këtë panoramë, vërehet se saktësia e vendimeve ishte e lartë dhe përballja mes arbitrave dhe situatave të vështira u menaxhua në mënyrë profesionale.

PARTIZANI – VLLAZNIA 1-1
GOLAT: Toma 45’/Mala 59′
PARTIZANI: Qirko, Janjeva, Bytyçi, Mehmeti (Kote 80′), Ismaili, Kola, Isgandarli (Shanaj 80′), Hjumen (Hjumen 60′), Toma (Gudjufi 90+3′), Buxhelaj, Doumbia (Bintsuka 80′). (Në dispozicion: Hoxha; Himallari, Jata, Malaj, Kokomani).
Trajner: Oltijon Kërnaja
VLLAZNIA: Pohls, Pusi, Hakaj (Kuro 90+4′), Gjini, Krymi, Kastrati(Bismark 76′), Sala (Qato 76′), Balaj, Murataj (Tafili 76′), Bajrami, Mala (Kallaku 84′).
Trajner: Ergi Borshi
GJYQTARË: K. Cjapi, E. Ganxhi, N. Rrapaj; VAR: K. Barjamaj AVAR: S. Dyrmishi
SPEKTATORË: 1500

Në kryeqytet, Partizani dhe Vllaznia zhvilluan një ndeshje të fortë që edhe një herë tregoi se çdo duel mes këtyre skuadrave mbart tension në fushë dhe presion në tribunë. Goli i shënuar nga Toma në fundin e pjesës së parë u shoqërua me protesta të shumta nga shkodranët, të cilët pretenduan faull ndaj Gjinit. Pamjet e analizuar nga dhoma e VAR-it treguan se kontakti ishte minimal dhe i natyrshëm për një duel brenda zonës, pa ndërhyrje të gabuar apo shtyrje të parregullt. Kreshnik Cjapi kishte pozicionim perfekt dhe e lejoi aksionin të rridhte deri në fund, duke bërë që goli të mbetej plotësisht i rregullt. Në pjesën e dytë tensioni u rrit, sidomos pas barazimit të Malës, por arbitri e menaxhoi ndeshjen me autoritet, duke mos lejuar që dyshimet të ktheheshin në polemikë.

FLAMURTARI-TIRANA 1-1
GOLAT: Maksuti 37/ Zhunior 75
FLAMURTARI: Aleksovski, Murataj, Telushi, Veiga, Oshafi(Baeten 60′), Marku, Nunesh (Trashi 79′), Diavara, Todoroski (Ramirez 79′), Kantakias, Maksuti (Janku 79′).
Trajner: Françesko Moriero
TIRANA: Tafas, Vera(Tare 61′), Dembele (Lleshi 46′), Valerianos, Ismajli, Meta, Fernandez (Ziad 80′), Rafael (Vogli 80′), Haxhiu, Zhunior, Falaje(Tabeku 46′). (Në dispozicion: Kozi, Karabeci, Marku, Mehmeti, Mihana).
Trajner: Ardian Nuhiu
GJYQTARË: L. Alla, M. Qose, E. Kapxhiu; VAR: D.Maletaj; AVAR: E. Jorgji
SPEKTATORË: 3000

Në Vlorë, përplasja mes Flamurtarit dhe Tiranës u bë qendër tjetër vëmendjeje, pasi të dyja skuadrat shënuan gola që u diskutuan jo pak në stadium. Maksuti zhbllokoi shifrat për vlonjatët pas një aksioni të gjatë, ndërsa bardheblutë protestuan për një faull të mëparshëm ndaj Fernandezit. VAR e konfirmoi se kontakti nuk kishte element të parregullt dhe loja kishte vijuar natyrshëm. Po ashtu, goli i Zhunior u analizua me kujdes, për të parë nëse kishte pozicion jashtë loje apo kontakt të parregullt në nisje të aksionit. Ndihet qartë se ndërhyrja e teknologjisë i dha qetësi gjyqtarit Alla, i cili mundi të vërtetonte saktësinë e vendimeve të tij pa lënë asnjë hije dyshimi mbi golat e dy skuadrave.

EGNATIA – BYLIS 5 – 1
GOLAT: Bakajoko 5′, 25′, 62′ (11-m), Jahaja 49′, Buriç 87’/ Muktar 67′
EGNATIA: Dajsinani, Ndreca (Alijev 63′), Xhemajli, Sota (Poçi 46′), Fangaj, Aleksi, Jahaja (Selmani 75′), Ruçi (Leo Melo 63′), Fernando, Bakajoko (Buriç 75′), Gruda.
Trajner: Edlir Tetova
BYLIS: Vashu, Bruno, Kane, Peralta, Përndreca (Runi 65′), Adeduro, Malomo (Sanogo 46′), Muktar, Marku, Përgjoni, Ualison (Abdullahi 46′).
Trajner: Mirel Josa
GJYQTARË: E. Jorgji, D. Rexha, R. Çokaj VAR: E. Rusta/ AVAR: A. Beqiraj
SPEKTATORË: 1500

Në Rrogozhinë, ndeshja mes Egnatias dhe Bylisit solli pesë gola, një karton të kuq dhe tri momentet më teknike të javës për arbitrin Enea Jorgji. Kartoni i kuq për Kane në minutën e 16-të ishte i menjëhershëm dhe i bazuar plotësisht në rregullore, sepse mbrojtësi i Bylisit pengoi Ndrecën si lojtar i fundit në një aksion të qartë për gol. Më pas, në minutën e 62-të, penalltia e akorduar pas ndërhyrjes ndaj Fernandos ishte e qartë dhe e mbështetur nga pamjet, ndërsa goli i anuluar në minutën e 76-të për pozicion jashtë loje u kthye në një çështje ku vetëm teknologjia mund të jepte zgjidhjen e duhur. VAR konfirmoi vendimin e anësorit dhe Jorgji e mbajti ndeshjen nën kontroll të plotë. Për një sfidë me kaq gola dhe me kaq ndryshim ritmi, arbitri tregoi qetësi dhe qartësi në menaxhimin e çdo situate.

DINAMO – ELBASANI 1-1
SHËNUES: Bregu 43′ (11m) / Tsague 34′
DINAMO: Teqja, Ferreira, Aliji, Neziri (Lorran 88′), Maliqi, Beqja, Qefalija (Xhejms 88′), Nani (Qardaku 78′), Bregu, B. Berisha (Farruku 16′), Vila (Koma 88′).
Trajner: Ilir Daja
ELBASANI: Janaçek, Olberkis, Azemoviç, Lila, Musta, Manellari (Kasa 75′), Qose (Lajthia 68′), Ibrahim, Loukili (Ibraimi 89′), Diallo, Tsague (Ben Shimon 75′).
Trajner: Ivan Gvozdenoviç
GJYQTARË: F.Lata, E.Burgu, E.Gjoka; VAR: A.Koçi; AVAR: O.Kuka
SPEKTATORË: 1000

Në “Air Albania”, Dinamo – Elbasani nuk solli vetëm një barazim 1-1, por edhe shumë momente sfiduese për gjyqtarin Lata. Rasti i minutës së 17-të, ku Vila u rrëzua në zonë, nuk u vlerësua si penallti, sepse kontaktet ishin të lehta dhe Musta kishte qëndrim natyral. Ndërsa penalltia e dhënë në minutën e 40-të ishte ndër vendimet më të qarta të javës, pasi portieri Janaçek gabon në dalje dhe me grusht godet kokën e Farrukut. Edhe pse Dinamo kërkoi një tjetër penallti në minutën e 85-të, asistentët kishin vënë re më parë pozicion jashtë loje në nisje të aksionit, duke bërë që vendimi të anulonte menjëherë penalltinë. Kjo solli qartësi dhe shmangu tensionet e panevojshme në dhjetë minutat e fundit.

VORA – TEUTA 0-1
GOLI: Kotobelli 68′
VORA: Ruçi, Zuna (Tabaku 75′), Repaj, Shehi, Dalipi (Uallas 85′), Adeloye Folahan (Ruzgis 46′), Kasalla, Bardhi, Barjamaj (Luis Felipe 75′), Geci, Daka (Vinicius 66′).
Trajner: Arian Bellaj.
TEUTA: Selmani, Kotobelli, Përgjoni, Zhongo, Maçolli, David Adeniyi (Myszor 83′), Boçi (Doukouo Lorougn 83′), Vila, Votlai, Beshiraj (Gonzales Zela 75′), Arifi (Jurgens Oliviera 62′).
Trajner: Enkelejd Dobi
GJYQTARË: E. Spahiu, A. Zalla, R. Zajmi; VAR: O. Ferataj; AVAR: E. Çelaj (Fier)
SPEKTATORË: 500

Sfida mes Vorës dhe Teutës solli tre gola të kontestuar, dy të anuluar dhe një të vlefshëm. Teuta mendoi se kishte shënuar e para, por Boçi gjendej në pozicion jashtë loje në momentin e pasimit fillestar. Vendimi u mor pas një verifikimi të gjatë, por saktësia e arbitrimit mbeti e padiskutueshme. Goli i Blerim Kotobellit në pjesën e dytë u dha menjëherë dhe u vërtetua pa mëdyshje nga VAR, pasi topi kishte kaluar plotësisht vijën e portës. Në minutën e fundit të takimit, Vora kujtoi se kishte barazuar, por shtyrja e Ruzgis ndaj mbrojtësit durrsak ishte e dukshme dhe u kap qartë nga kamerat e VAR, duke çuar në anulimin e golit. Ishte një ndeshje me ritëm të lartë, me shumë emocione dhe me vendime që morën peshë të madhe në rezultatin final.

Java e 12-të e Superligës ishte një provë e vërtetë për arbitrimin shqiptar dhe për funksionimin e sistemit VAR. Në një kampionat që po shkon drejt rritjes së intensitetit dhe ku çdo ndeshje mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në objektiva dhe renditje, vendimet e sakta janë jetike. Në këtë javë, pavarësisht vështirësive dhe episodeve të shumta për analizë, gjyqtarët treguan nivel, qetësi dhe saktësi. VAR u bë aleati kryesor për qartësinë e vendimeve dhe uli në minimum polemikat që zakonisht shoqërojnë këto sfida. Kjo javë tregoi se funksionimi i duhur i sistemit dhe ndërveprimi mes arbitrave dhe teknologjisë i jep futbollit shqiptar besueshmëri dhe zhvillim.

PANORAMASPORT.AL