Lëvizshmëria, sekreti i fitores së Kombëtares! Si u arrit triumfi dhe çfarë duhet të përmirësohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2025 | 9:54

Lëvizshmëria, sekreti i fitores së Kombëtares! Si u arrit triumfi dhe çfarë duhet të përmirësohet

NGA NEPTUN BAJKO

E rëndësishme në këtë takim ishte fitorja. Kjo diskutohej në çdo ambient dhe te vetë stafi i ekipit kombëtar, që rëndësi kishte vetëm fitorja. Fitoren e arritëm me mundim, me lodhje, me stres shumë të madh. Por këto fitore të tilla bëjnë dhe japin më tepër ndjenjë dhe optimizëm. Sa më lart je aq është shkalla e vështirësisë, aq më mirë ndihet kur ajo përfundon pozitive.

Screenshot 2025-09-11 095344

Tjetër aspekt që më pëlqeu deri diku, por që nuk vazhdoi deri në fund, ishte lëvizshmëria e ekipit. Ishte një cilësi që për gati gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë minuta e dallonte lojën e ekipit tonë, i dallonte veprimet edhe individuale edhe kolektive të skuadrës sonë. Në të njëjtën kohë, kjo nuk i la kohë kundërshtarit të mbrohej një për një ose në tokë, sepse qarkullimi dhe lëvizshmëria e gjithë repertorit të lojtarëve ishte shumë pozitive. Për rreth shtatëdhjetë minuta kjo cilësi ishte e dukshme.

Më vonë, një fenomen që po përsëritej ishte stresi i jashtëzakonshëm, lodhja që ndikoi te disa lojtarë dhe frika që mos bënin gabime. Të gjithë ruanin mos bënin gabime dhe pikërisht kjo cenoi lëvizshmërinë dhe i vodhi energjinë lojës. Mua më bëri përshtypje në mënyrë të veçantë loja vertikale e Laçit dhe loja e Hysajt në krah. Ato ishin me shumë rendiment, i dhanë hapësirë veprimeve tona si skuadër dhe në momentet e caktuara përbënin afrimin drejt portës për të konkluduar.

Ajo tjetër që duhet të veçojmë në këtë takim është loja e Hysaj, e cila ishte jashtëzakonisht e mirë. Një lojtar me pjekuri maksimale, i cili jo vetëm që në aspektin mbrojtës u tregua shumë i saktë dhe taktikisht i përgatitur, por gjithashtu mbështeti veprimet e mbrojtësve, duke aplikuar pasime të gjata dhe duke iu afruar për t’i ndihmuar që të përfundonin veprimet drejt portës. Pra, një lojë jashtëzakonisht me rendiment, me pjekuri të një lojtari me shumë përvojë. Bashkëpunimi HysajBroja ishte gjithashtu jashtëzakonshëm.

Po ashtu, duhet të përmendim lojën e krahut të Bajramit, i cili u bë mbështetës kryesor në veprimet sulmuese në krahun e majtë, duke u mbështetur jashtëzakonisht mirë në aspektin mbrojtës nga Mitaj. Kjo i dha Bajramit mundësinë të çlironte hapësirë individuale, të godiste portën dhe të realizonte veprime që sollën rezultat. Pra, në këtë aspekt të dy krahët funksionuan shumë mirë. Loja në krah dha rendiment të lartë për ekipin tonë, sidomos në pjesën e parë.

Vlerat e Asllanit, Mitajt, Laçit dhe Bajramit janë të njohura, por dua të veçoj lojën në mesfushë të Julian Shehut. Me thënë të drejtën, ai duket sikur luan në hije, por është vazhdimisht në lëvizje. Ka një shikim periferik shumë të mirë, nuk e mban topin pa nevojë dhe nuk e tepron, por pason dhe e kërkon topin. Ai nuk është i kristalizuar shumë në ekipin kombëtar, por në pjesën e dytë pothuajse mbajti vetëm lojën në mesfushë, duke organizuar lojën dhe duke kontribuar para mbrojtjes. Ky lojtar me shikim periferik dhe teknikë të mirë ka mundësi të përparojë dhe të japë rendiment më të lartë në mesin e fushës.

Pozitive ishte që topi nuk mbahej pa nevojë dhe nuk kishte teprime në veprimet individuale, gjë që shpeshherë na ka dëmtuar. Loja individuale e Brojës dhe Bajramit justifikohet dhe ata vunë në pah aftësitë e tyre, pavarësisht gjendjes fizike jo optimale. Broja ishte i përqendruar, kujdesshëm, jetonte me lojën dhe kontribuonte edhe në veprimet mbrojtëse duke mbrojtur zonën, gjë që ishte shumë e dobishme. Ai pasqyroi përmirësim në gjendjen e tij fizike, gjë që i duhet shumë ekipit tonë kombëtar. Broja është në rritje të vazhdueshme dhe do të jetë një forcë shumë e rëndësishme në ndeshjet e ardhshme.

Një tjetër aspekt që dua të theksoj, pavarësisht se minutat e pjesës së dytë nuk e vazhduan, ishte lëvizshmëria e ekipit. Ishte një pikë e rëndësishme ku ekipi tregoi se di të luajë duke lëvizur, qarkulluar topin dhe realizuar veprime të shpejta dhe befasuese, pavarësisht kundërshtarëve dhe nivelit të tyre. Lëvizshmëria, element i dukshëm në këtë takim, ndihmoi që lojtarët të mos e mbanin topin pa nevojë dhe të mos lejonin kundërshtarin të organizohej. Një lojë me lëvizshmëri të plotë shpërndan mirë forcat dhe lodhjen, nuk i jep kohë kundërshtarit të marrë masa mbrojtëse dhe kur topi zotërohej nga lojtarët tanë, ai luhej taktiksht në të dy krahët, pothuajse në mënyrë uniforme. Kjo shpërndarje e lojës dhe lodhjes bëri që skuadra të tregonte një nivel të kënaqshëm loje, sidomos në pjesën e parë.

Pas minutës së 65-70, sforcimet, lodhja dhe stresi nga frika e gabimeve ndikuan në performancën fizike dhe psikologjike të disa lojtarëve. Kjo tregoi një dobësi të ekipit tonë në aspektin fizik, gjë që duhet të adresojë trajneri dhe stafi.

PIKA E FORTË

Po, pika më e fortë ishte lëvizshmëria përballë një kundërshtari të tillë. E dyta ishte që veprimet individuale ishin të reduktuara dhe loja shfrytëzoi maksimalisht aftësitë kolektive. E treta, shumë e rëndësishme, ishte që lojtarët dinin ku të pasonin topin, gjë që nuk ndodh shpesh në ekipin tonë kombëtar.

SULMI

Loja nuk është vetëm përgjegjësi e sulmuesve, por e gjithë skuadrës në aspektin sulmues. Nuk është vetëm Manaj ose Broja që duhet të jenë shënuesit kryesorë, por mesfusha duhet t’i mbështesë veprimet drejt portës. Disa herë Laçi e bëri këtë duke shkuar vertikalisht drejt portës. Të katër lojtarët e mesit të fushës duhet të dinë ku të vendosen dhe të godasin. Goditjet nga larg ishin shumë të pakta, por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e lojës kolektive.

SERBIA

Objektivi kryesor ishte të merreshin tre pikët, dhe ai u arrit. Kjo skuadër në Beograd, në Serbi, ka nevojë të ruajë besimin dhe sigurinë dhe të tregojë vlera edhe më të larta në ndeshjet e ardhshme. Trajneri dhe stafi duhet të analizojnë hollësisht lojën, të përforcojnë elementët pozitivë dhe të eliminojnë dobësitë, duke përfshirë momentet kur lodhja dhe stresi ndikojnë pas minutës së 60-të

MIQËSORET

Sa i përket ndeshjeve miqësore, ato përdoren nga trajneri për të testuar lojtarët dhe gjendjen e tyre, duke përfshirë lojtarë si Broja, Daku dhe Asani.

BAJRAMI

Nuk dua të futem në këtë, në këtë aspekt, sepse edhe situatën nuk e njoh, edhe mendimin e lojtarit, edhe kush e drejton atë lojtar dhe si e ka mësuar, nuk duhet të futem në këtë gjë. I takon thjesht stafit të ekipit tonë dhe atij personalisht. Zgjedhjet janë të lira sot në këtë futbollin botëror, kështu që të nisesh nga arsyet e tjera, pastaj unë nuk dua gjithçka të bëj.

* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë, do të ndiqet në rrugë ligjore.

PANORAMASPORT.AL