Surpriza me formacionin dhe tre “musketierët” e ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2025 | 21:01

Surpriza me formacionin dhe tre “musketierët” e ndeshjes

NGA NEPTUN BAJKOMixCollage-09-Jun-2025-08-51-AM-4172PRELUDI Në të gjitha aspektet, ndeshja me Serbinë paraqiste vështirësi si brenda, dhe jashtë fushës së ndeshjes. Unë mendoj, që ky takim kaq i rëndësishëm u zhvillua në mënyrën më të mirë dhe shembullore nga organizimi dhe drejtimi, për vetë rëndësinë që kishte, duke pasur parasysh këtu dhe aspekte të tjera jashtë futbollit. Dua të shpreh një vlerësim të lartë për FSHF-në dhe presidentin Armand Duka. Organizimi ishte perfekt. E pranoj se gjërat shkuan në perfeksion dhe kjo nderon Shqipërinë, por edhe popullin shqiptar e organizatorin e ndeshjes. Treguam se jemi shumë larg me serbët dhe dimë të organizojmë gjëra të mëdha dhe pa asnjë problem.

PËR NDESHJEN Dihet që, sa më lart të luash, aq më e vështirë do të jetë. I tillë ishte dhe takimi me Serbinë. Presioni ishte tek ekipi ynë, por sot ndeshje pa presion nuk ka, ndeshje të lehta sërish nuk ka, dhe në veçanti në të gjitha aspektet kjo përballë ekipit të Serbisë. Pse ky takim më ka mbetur në mendje sa u takon dy detajeve në aspektin e lojës së futbollit. Në jetën e çdo lojtari, çdo trajneri të çdo ekipi që luan në nivele të tilla, janë të shumta e të larmishme ngjarjet dhe në veçanti takimet e rëndësishme me ecurinë drejt një botërori. Një zinxhir i pafund emocionesh, që në thelbin e tyre kanë çaste të paharruara. Për mendimin tim, dy janë momentet që mund të ndryshonin historinë e këtij takimi. Është rasti i Brojës, një shpërthim force dhe atletizmi, por një nxitim e çekuilibrim në goditje i hoqi mundësinë e shënimit, dhe, padyshim, më e spikatura është humbja e 11-metërshit nga Manaj. Këto dy episode do të mbeten gjatë në kujtesën e lojtarëve të këtij ekipi dhe në veçanti të opinionit sportdashës. Por futbolli është edhe i tillë. Pra, në të gjithë këtë atmosferë të krijuar në stadium, padyshim që këto dy episode janë ato që mund të përcaktojnë edhe ecurinë e mëtejshme pozitive të ekipit tonë.

SURPRIZA ERDHI NGA FORMACIONI Po, formacioni më surprizoi sidomos sa u takon dy lojtarëve që vështirë t’i mendoja unë dhe kushdo tjetër që do të ishin në formacionin bazë të ekipit kombëtar kundër Serbisë: futja e Shehut dhe Hoxhës. Deri diku, Hoxhën edhe mund ta mendoja, por futja e Shehut më ka surprizuar. Loja e tij më ka entuziazmuar më tepër sesa futja e tij në formacion.

ZËVENDËSIMET Për mendimin tim, ishin të goditura, sepse, pavarësisht nga potenciali i Brojës, lodhja e tij u ndie. Sidomos ai që e pasqyroi më tepër, ishte rasti i aksionit të tij dhe çekuilibrimi në momentin e goditjes për në portë. Ndërsa Hoxha nuk zbatoi ndoshta atë detyrë që i kishin dhënë. Ai gjithmonë kthehej, në vend që të kapte fundoren të cilën e ka si armë të vetën dhe më pas të bënte krosim ose pasim. Merrte topin me shpinë dhe tërhiqej gjithmonë nga gjysmëfusha jonë për të gjetur një mundësi pasimi ose një mundësi manovrimi. Në këtë aspekt, loja e tij nuk ishte e plotë. Nëse trajneri do të kishte zgjidhur diçka ndryshe, p.sh. duke futur një lojtar më dinamik se Bajrami në krah ose Uzunin ta kalonte në krah të majtë Çdo gjë ka të mirën dhe mungesën e vet. Në një ndeshje të këtij niveli, edhe ndërrimet duhet të jenë të goditura, por unë i jap të drejtë trajnerit në këtë aspekt. Kjo, sepse dihet që Bajrami ka dhe aftësi të mira, ka edhe goditje drejt portës dhe mbrojtja jonë pavarësisht nga disa çekuilibrime të vogla, ishte solide, ishte e mirëvendosur dhe me detyra specifike për markimin e kundërshtarit, sidomos të Vllahoviç. Edhe futja e Uzunit u bë duke u nisur dhe nga lartësia e mbrojtësve serbë, që kishin vështirësi në mbulim të afërt dhe në lojën një për një, loja e Uzunit mund t’u jepte hapësira veprimeve sulmuese. Dhe, në dy raste, bashkë me Dakun, krijuan mundësi shumë të mira për të shënuar. Pra, zëvendësimet ishin pozitive.

MË PRANË FITORES Të mos harrojmë se niveli psikologjik është shumë i rëndësishëm në këto nivele dhe, të bëje edhe ndryshime të tjera, nuk shkonin në këtë 90-minutësh. Unë mendoj që detyrat e lojtarëve, detyrat e reparteve, sidomos ajo që më pëlqeu më shumë ishte loja në bllok. Ekipi kur humbiste topin, të gjithë ktheheshin në gjysmëfushën tonë, mbulonin edhe fushën edhe kundërshtarin dhe jepnin një ndihmë shumë të madhe për mbrojtjen.

MBROJTJA E LARTË SI STIL NË EUROPË Shumë skuadra e praktikojnë dhe ne kemi lojtarë shumë të mirë, si në mbrojtje, si në mesfushë. Së pari, ajo do kohën e vet që të arrihet. Së dyti, çdo lëvizje, çdo ndryshim duhet të jetë dhe në arritje të qëllimit, rezultatit pozitiv, sepse përndryshe çfarë përfitimi ka. Dhe së treti, janë cilësitë e lojtarëve që përmbushin dhe detyrat taktike të trajnerit. Ekipi në këtë ndeshje tregoi përmirësim. Do të ndaloj në tre elementë. Forma dhe loja e Hysajt, që zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të mira. Ky gjithmonë është mendimi im. Ai jo vetëm ishte i kujdesshëm në aspektin mbrojtës, por arriti të kapte dhe krahun dhe arriti të futej dhe në zonën e rreptësisë duke marrë një 11-metërsh plotësisht të merituar. Hysaj nuk bëri asnjë lloj gabimi. Pra tregoi maturi, një freski mendore dhe fizike. Po ashtu, ku i shoh unë ndryshimet. I shoh në mesfushë, te pozicioni dhe loja e tij. Te Julian Shehu, një lojtar me një vizion loje të habitshme, me një qetësi që rrallë lojtarë e kanë, një teknikë të admirueshme dhe koncepti i tij i vendosjes, duke bërë që të merrte dhe pjesën më të madhe të organizimit të lojës, ishte i nivelit shumë të pëlqyeshëm. Pra, një lojtar me një të ardhme mjaft të mirë. Si përherë, dhe unë e kam admiruar, ishte dhe loja e Mitajt. Me një vendosmëri, teknikë, me një kuptim mjaft të mirë të lojës në aspektin e mbrojtjes, por edhe në aspektin shpesh herë të organizimit dhe pasimeve të tij shumë të sakta. Pra, këta tre lojtarë sollën dhe ndryshimin e mënyrës së lojës sonë. I dhanë dhe atë aspektin që kërkon futbolli: veprimet e mira, të studiuara, me teknik dhe mendim të plotë.

NOTA PËR KOMBËTAREN Duke e marrë në të gjitha aspektet, si brenda edhe jashtë ndeshjes, por dhe mënyra se si pritej në opinionin sportdashës ky takim me Serbinë që ishte shumë delikat si në aspektin sportiv, politik, por edhe në atë që një ndeshje e tillë në Tiranë të kalonte pa incidente dhe provokime të tepruara. Nota është pozitive në këtë drejtim. Dua të theksoj edhe diçka tjetër, pasqyrimin e një ekipi me karakter, një ekipi që kishte në vetëdije çdo aspekt qoftë të lojës, qoftë dhe jashtë lojës. Për ta pasqyruar këtë sa më mirë, mund të them që shpirti fiton për herë, por këtë radhë në këtë aspekt ekipi ynë kombëtar duhet të marrë notën më vlerësuese dhe duhet ta pasurojë edhe më tepër në takimet e ardhshme. Them kështu, sepse ecuria për në Botëror do të vendoset nga këto ekipe që ne i quajmë të dorës së dytë, si Andorra dhe Letonia, por Anglia mbrëmë vuajti ndaj Andorrës dhe fitoi me rezultat minimal. Kështu që, të gjitha shanset për ne apo ekipet e tjera do të jenë që të marrin pikët e plota ndaj ekipeve të mëposhtme. Kjo vlen edhe për Anglinë, Serbinë dhe ne. Pastaj le të presim ndeshjen direkte me Serbinë që do të luhet në Serbi.

 

sdfdPANORAMASPORT.AL