Analiza e ish-lojtarit të Kombëtares, Kreshnik Çipi: Silvinjo e përmbushi misionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2026 | 22:20

Analiza e ish-lojtarit të Kombëtares, Kreshnik Çipi: Silvinjo e përmbushi misionin

Pas përfundimit të ciklit të drejtuar nga Silvinjo dhe nisjes së një epoke të re në stolin e Kombëtares shqiptare, ish-futbollisti dhe trajneri shqiptar Kreshnik Çipi ka analizuar situatën aktuale kuqezi, punën e bërë nga braziliani dhe pritshmëritë për trajnerin e ri italian, Rolando Maran. Në këtë intervistë, Çipi flet për ndryshimet në filozofinë e lojës, nevojën për rinovim të skuadrës dhe objektivat e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Screenshot 2026-05-25 221954

Si e vlerësoni largimin e Silvinjos dhe punën që ai bëri me Kombëtaren gjatë këtyre viteve?

Mendoj se Silvinjo ka thënë të vërtetën për nivelin dhe potencialin e skuadrës që kishte në dispozicion. Me grupin e lojtarëve që kishte, ai bëri një punë shumë të mirë, pasi arriti ta çojë Shqipërinë në Europian dhe zhvilloi një fazë kualifikuese mjaft pozitive. Duhet pasur parasysh se kombëtarja jonë u përball edhe me ekipe shumë të forta. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe pati edhe afrime të lojtarëve të rinj, ndaj mund të them se objektivi i tij u realizua plotësisht. Ai e përmbushi misionin e tij me ekipin kombëtar shqiptar.

Tashmë Kombëtarja ka një trajner të ri. Çfarë prisni nga ai dhe sa ndikon ndryshimi i shkollës së futbollit?

Tani kemi një trajner italian, Rolando Maran, dhe dihen karakteristikat e tij. Ai është shumë korrekt, kërkon disiplinë të fortë dhe ndërton një lojë të organizuar. Stili italian ndryshon shumë nga ai brazilian i Silvinjos. Ndoshta kjo mënyrë loje mund të jetë më e përshtatshme për ne, por mbetet për t’u parë nëse kemi lojtarët e duhur, sidomos në aspektin ofensiv, për të bërë diferencën.

Pra, trajnerit të ri do t’i duhet të zgjedhë elementët që i përshtaten skemës së tij? Absolutisht. Është shumë e rëndësishme që ai të zgjedhë lojtarët që i përshtaten stilit të tij të lojës. Maran është një trajner agresiv në aspektin taktik dhe kërkon intensitet. Kjo është diçka që Kombëtares sonë ndoshta i ka munguar më parë. Unë mendoj se duhet ta mbështesim fort trajnerin e ri, sepse ai ka nevojë për kohë për të ndërtuar ekipin. Vetëm më pas mund të bëjmë një vlerësim real të punës së tij.

Sa larg mund të shkojë Kombëtarja me trajnerin e ri, sidomos tani që jemi në Ligën e Kombeve?

Kombëtarja është në një moment tranzicioni. Disa lojtarë janë drejt fundit të ciklit të tyre dhe mund të ketë ndryshime në skuadër. Nga ana tjetër, kemi shumë elementë shqiptarë që aktivizohen në klube europiane, sidomos në Gjermani, dhe ka lojtarë cilësorë që mund t’i bashkohen ekipit. Nuk është e thënë që të vazhdojmë me të njëjtin grup lojtarësh. Duhet t’u jepet hapësirë edhe futbollistëve të rinj.

Pra, ndeshjet e qershorit dhe në Ligën e Kombeve mund të shërbejnë edhe për rinovimin e skuadrës?

Po, sigurisht. Nga sa di, presidenti Armand Duka i ka vendosur objektiv trajnerit kalimin nga Liga C në Ligën B. Maran ka një kontratë një vit e gjysmë dhe kjo tregon qartë se ai duhet të prodhojë rezultate. Është e domosdoshme që ai të arrijë objektivat për të vazhduar më tej dhe për të fituar rinovimin e kontratës.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL