Analiza e ish-kapitenit Caca: Kastrioti është rritur, mbijetesa vendoset në Laç
Fatmir Caca ka qenë një ndër lojtarët që ka lënë gjurmë te Kastrioti. Në 16 vite karrierë, 14 ua ka kushtuar pikërisht krutanëve dhe në pjesën më të madhe ka mbajtur edhe shiritin.

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ish-kapiteni rrëfen impenjimet aktuale, por nuk ngurron që të “skanojë” edhe ecurinë pozitive të skuadrës së Bledar Devollit dhe krejt Superioren.
Prej tri vitesh e keni lënë futbollin e luajtur. Me çfarë merreni aktualisht?
Është e vërtetë se ka 3 vite që jam shkëputur nga futbolli i luajtur, por kam qenë aktiv duke e ndjekur kampionatin, gjithashtu edhe moshat. Gjatë kësaj periudhe kam mbaruar kursin e trajnimit të UEFA-A, po ashtu kam bashkëpunuar me FSHF-në dhe kemi sjellë në Krujë projektin “Grow”. Po ashtu, në bashkëpunim me zyrën arsimore të Krujë, jemi duke hapur dy klasa sportive futbolli në qytet.
Deklaruat se e keni ndjekur kampionatin. Si ju është dukur gara në tërësi këtë sezon?
Futbolli tanimë është pjesë e jetës sonë dhe e kam ndjekur kampionatin. Ky sezon ka pasur ngritje të nivelit në krahasim me të kaluarën. Dhe më e bukura është se këtë sezon ka garë midis 9 ekipeve, pasi të gjitha skuadrat kanë objektiva. Kjo i bën mirë kampionatit, pasi rrit cilësinë dhe interesin te sportdashësit.
Keni qenë kapiten i Kastriotit për shumë sezone, si e keni parë ecurinë e skuadrës?
Fakti që kam qenë lojtar dhe kapiten për një kohë të gjatë tek ekipi i qytetit tim, më bën të ndihem krenar për të kaluarën time. Këtë sezon kemi parë 3 ekipe të Kastriotit. Atë që fillimisht erdhi nga një kategori më poshtë, ku dhe ambientimi nuk ishte i lehtë dhe e pati të vështirë të përshtatet. Por në një kohë të shkurtër, pas ardhjes së trajnerit Nica, filloi të reagojë dhe shfaqi kualitet.
Edhe pse me futbollistë me një të ardhme që duan të afirmohen, ata fituan vetëbesim dhe fazën e tretë e në vazhdim po shikojmë një Kastriot që është rritur shumë në aspektin taktik, si dhe në kualitet. Lojtarët shprehen më mirë dhe harmonizimi mes të rinjve dhe eksperiencës ka bërë një grup cilësor, duke sjellë edhe rezultate. Mendoj se Kastrioti këtë sezon është bërë faktor pozitiv në Superiore dhe i ka dhënë një bukuri këtij sezoni, duke mos u dorëzuar siç kemi parë në të shkuarën me ekipet që kanë qenë në fund të renditjes. Mendoj se dhe në ndeshjet e mbetura, Kastrioti duhet të japë maksimumin për të marrë pikët maksimale dhe të realizojë objektivin.
Fakti që luajnë në Fushë-Krujë dhe jo në Krujë, a i ka penalizuar?
Mendoj se ka dy aspekte. Për mendimin tim, luajtja në Fushë-Krujë ka edhe aspektin negativ, por edhe pozitiv. Gjë jo e mirë është se s’ka pasur një mbështetje maksimale nga tifozëria krutane. Por, pozitiv mendoj se ka qenë fakti që i ka shërbyer për mirë ekipit, edhe pse tifozët kanë sakrifikuar për ta ndjekur. Ekipi ka luajtur pa shumë presion sepse kontakti me tifozët e shumtë në Krujë do t’i vinte më në trysni të rinjtë dhe ata s’do arrinin të jepnin maksimumin dhe të përshtateshin në një periudhë të shpejtë.
Por, siç e dimë, dhe Fushë-Kruja është pjesë e Krujës, ndaj Kastrioti përfaqëson të gjithë Rrethin e Krujës në Superiore dhe jo vetëm Krujën si qytet. Mendoj se të gjithë janë krenarë për këtë përfaqësim dhe paraqitjet që ka bërë skuadra së fundmi. Uroj që Kastrioti të mbijetojë dhe vijojë traditën e së shkuarës, ku konkurronin për një vend në Kupat e Europës.
Luhet Laçi-Kastrioti këtë të shtunë, si e shikoni ju këtë ndeshje?
Është një transfertë shumë e vështirë, pasi ekipet luftojnë për objektiva të ndryshme. Nëse Kastrioti do të fitonte, do të hidhte një hap shumë të mirë në objektivat sezonalë. Kurse një humbje do u prishte planet. Do jetë një ndeshje e bukur, pasi me Laçin asnjë ekip s’e ka pasur të lehtë. Kurbinasit në vitet e fundit i ka dhënë tonin elitës së futbollit, ku fituan kupën dhe përfaqësuan denjësisht Shqipërinë në kompeticionet europiane.
Futbolli shqiptar po përjeton një mori ndryshimesh, por edhe problematikash. Juve si ish-lojtar, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë edicion futbollistik?
Normalisht, problematika ka pasur dhe do të ketë. Aty ku punohet shfaqen problematika të njëpasnjëshme. Për mendimin tim, janë më të pakta se vitet e kaluara. Problemi kryesor i këtij sezoni ishte mosprezenca e policisë në ndeshjet e luajtura në fillim të sezonit.
Kjo bëri që në ndeshjet më decizive të kishte raste dhune. Por mendoj se pozitiv është krijimi i Ligës, por edhe që çdo ndeshje transmetohet në televizion. Kjo ka ndikuar në ndërgjegjësimin e aktorëve dhe ka sjellë një transparencë të gjerë. Një lajm shumë pozitiv është dhe krijimi i ligjit mbi sponsorizimin dhe privatizimin e aseteve të klubeve. Mendoj se do rrisë më shumë investimet në futboll dhe infrastrukturë. Tani klubet nuk mendojnë vetëm të sigurojnë pjesëmarrjen në Europë, por të kalojnë sa më shumë ture.
Tashmë që i keni hyrë trajningut, mendoni që një ditë të drejtoni Kastriotin?
Aktualisht jam i impenjuar maksimalisht në punën te moshat dhe në arsim. Nuk është se nuk e kam menduar ndonjëherë, se do të gënjeja. Por më duket e largët ajo ditë, sepse më duhet një eksperiencë më e madhe në fushën e gjerë të trajningut.
BUJAR BALLIU













