Akuza e futbollistit të Vorës, Vrapi: Në Vlorë u befasuam nga një ambient i egër
Vora shumë shpejt e ka lënë pas ndeshjen e luajtur të shtunën në Vlorë dhe ka nisur menjëherë nga stërvitjet për të mos humbur kohë lidhur me ndeshjen e ardhshme që do të luajë kundër Vllaznisë.

Vora është befasuar në stadiumin “Flamurtari” nga fryma dhe ambienti i egër, që u paraqit para dhe pas ndeshjes, po ashtu edhe gjatë zhvillimit të lojës. Megjithatë vorakët kanë dalë me një barazim që konsiderohet i mjaftueshëm, duke se si shkoi deri në fund ky takim. Ndërkohë që morali është i lartë pasi skuadra ka arritur të grumbullojë 15 pikë, duke u renditur e 6-ta, aty ku qëndron mesi artë i Superiores duke lënë pas skuadra me tituj si Partizani e Tirana, apo edhe Bylisi e Flamurtari. E gjithë vëmendja po zhvendoset te ndeshja kundër Vllaznisë, ku Vora kërkon një rezultat pozitiv dhe një “hakmarrje” për atë humbje të pamerituar 0-2, në “Loro Boriçi” në ndeshjen e parë zyrtare kundër shkodranëve.
Qendërmbrojtësi shkodran, Serjan Repaj, që erdhi pranë ekipit vorak duke ju larguar Vllaznisë me pretendimet se kërkonte më shumë minutazh dhe se nuk po krijohej ambienti i përshtatshëm për të qenë një futbollist titullar, te Vora ka gjetur vetveten dhe është bërë një pikë kyçe për ekipin debutues të superiores. Por këtë radhë atij do t’i mbetet pishman që nuk do të jetë në fushë dhe as në pankinë, për shkak të pezullimit të kartonëve. Trajneri Bellai po mendohet që rolin e tij ta mbulojë 24- vjeçari brazilian, Madeira Almeida Uallas.
VRAPI – Vora po përgatitet seriozisht për takimin ndaj Vllaznisë dhe kërkon ti marrë maksimumin kësaj ndeshjeje. Lidhur me këtë takim ndaj Vllaznisë dhe si shkoi ndeshja kundër Flamurtarit në Vlorë, për “Panorama Sport” do të shprehet mbrojtësi i krahut të djathtë, Jurgen Vrapi. 27-vjeçari kryeqytetas e konsideron si një befasim për atë sjellje dhe ambient kaq të egër kundër Vorës, në ndeshjen e luajtur të shtunën në stadiumin “Flamurtari” si dhe ka folur edhe për takimin e radhës kundër Vllaznisë, ku morali i skuadrës së tij para këtij takimi është i lartë dhe se presin një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje.
“Në Vlorë ishte një ambient tepër i egër, në krahasim me atë që çfarë prisnim atje. Në fushën e lojës ne arritëm që ta menaxhonim shumë mirë ndeshjen, kishim rastet tona edhe për ta fituar në fund. Ky është futbolli. Në fund të fundit edhe pika e marrë është “OK” dhe e vlefshme për ne, sepse rrjedh nga një fushë kundërshtare e transferte të vështirë”, u shpreh Vrapi lidhur me takimin kundër Flamurtarit.
Ndërsa lidhur me ndeshjen e ardhshme që do ta luajnë të enjten kundër Vllaznisë ai u shpreh optimist. “Në ndeshjen kundër Vllznisë ne do të futemi në fushë për një rezultat pozitiv, sepse dhe moralisht ne jemi shumë mirë, duke mos pasur asnjë presion pikësh. Kështu që ne po përgatitemi për të dhënë maksimumin, duke ditur që edhe Vllaznia ka disa mungesa e kjo na detyron që ta shfrytëzojmë këtë moment”, ka përfunduar Vrapi në prononcimin e tij lidhur me dy ndeshjet e Vorës.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













