90 vite histori, ja si u themelua klubi i Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2020 | 22:25

90 vite histori, ja si u themelua klubi i Luftëtarit

Gjirokastra, qyteti në skajin jugor, falë intelektualëve të shquar mes viteve 1900-1930 ia doli të ndërtonte shoqërinë e saj sportive, me emrin “Shqiponja”. Gazeta për gjithë të rinjtë e sotëm dhe brezat e tjerë, sjell për lexuesit e saj historinë modeste të krijimit të Luftëtarit aktual.

Luftetari-78-88-490x314

Lidhja e fortë që ekzistonte mes qytetërimit dhe sportit bënë që në marsin e 1930-ës një grup intelektualësh gjirokastritë të formonin shoqërinë sportive me emrin “Shqiponja”. Nga hulumtimi ynë zbulohet se lajmin e krijimit të shoqërisë sportive “Shqiponja” e ka bërë të ditur gazeta “Demokratia” me drejtor të përgjithshëm z. Xhevat Kallajxhi në numrin e saj të datës 15 mars 1930.

Kjo datë njihet zyrtarisht data e themelimit të shoqërisë sportive “Shqiponja”. Fill me krijimin e saj, shoqëria sportive u angazhua në afrimin e elementëve të rinj rreth gjirit të saj, duke organizuar dhe ndeshje futbolli me rrethet fqinje të Prefekturës së Gjirokastrës. Një prej atyre ndeshjeve është dhe ajo e 8 tetorit të vitit 1931 me skuadrën e Përmetit, “Leka i Madh”, e cila përfundoi me rezultatin 0-4.

Formacioni i skuadrës së Shqiponjës përbëhej nga: Hasan Muhedini, Emin Karagjozi, Namik Jaho, Skënder Karagjozi, Pertef Xhiku, Kristaq Jarasi, Xhevat Hajredini, Note Kabili, Lame Vasi, Nazmi Karagjozi, Xhafer Kokobobo. Me kalimin e viteve dhe pas çlirimit të vendit, futbolli si në gjithë Shqipërinë dhe në Gjirokastër filloi masivizimin dhe për gjatë viteve “Shqiponja” pësoi “metamorfoza” në emër me “Drita”, “Shqiponja”, në “Puna” dhe “Spartaku”. Në 1958-ën “Luftëtari”, më 06.07.1992 “Shqiponja” me 16.01.2000, Luftëtari.

Luftetari vitet 200

Përpos emërtimeve, Luftëtari veçanërisht pas viteve ’70 ka lënë emrin e tij në podiumin e futbollit shqiptar, teksa në vitin 1978- 1979 është shpallur nënkampion i Shqipërisë. Një tjetër arritje për Luftëtarin e atyre viteve është pa dyshim pjesëmarrja në Kupën Ballkanike në vitin 1987-1988, teksa u përball me Sllavian e Pragës, Paokun e Athinës dhe Piteshin e Rumanisë .

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL