Zmijani: Vendi i parë, jo detyrim për Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 9:40

Zmijani: Vendi i parë, jo detyrim për Vllazninë

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, aktualisht një nga tra jnerët që ka punuar shumë me elementin e ri në akademinë Vllaznia, Luan Zmijani, ka folur për ecurinë pozitive të Vllaznisë, por edhe për atë që e pret skuadrën shkodrane në fazën e katërt. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet se ka besim se Vllaznia do të jetë në mes katër më të mirave. Për sa i përket titullit, ai shprehet se skuadra dhe drejtuesit duhet të jenë të kujdesshëm për të shmangur euforinë.

luan-zmijani

Si ju duket ecuria e ekipit në këto javë?

Duket sikur nuk po ndalet… Është shumë e vërtetë se kjo skuadër po tregon një ecuri shumë pozitive dhe është gjë shumë e mirë që gjërat po shkojnë kështu.

Vllaznia është vetëm dy pikë larg Egnatias së vendit të parë, mund ta arrijë kreun?

Nuk më duket shumë i rëndësishëm vendi i parë apo vendi i dytë. Me këtë formulë është e njëjta gjë. E rëndësishme është që të ruhet ky vend dhe të tjerat janë më shumë për treguar forcën ndaj rivalëve të katërshes.

Po gjysmëfinalet e Kupës kundër Egnatias, si i prisni?

E shikoj si një short tepër të vështirë ndaj një skuadre  të fortë. Do të jetë një provë e vërtetë me një ekip, që ka bërë gjithçka mirë në këtë sezon. Po shënojnë sulmuesit, por mbrojtja është ndër më të mirat.

Si e vlerësoni këtë repart?

Për mua sulmon i gjithë ekipi dhe mbron i gjithë ekipi. E vlerësoj atë që po bën mbrojtja, por mund të them se mospësimi, ashtu si edhe shënimi, janë ekipore dhe jo të ndarë sipas reparteve. Unë e vlerësoj atë që po bën Vllaznia në mbrojtje dhe në sulm. Është e vërtetë që mbrojtja po tregon nivel të kënaqshëm dhe mbrojtësit po ndihmojnë edhe në fazën e sulmit, sidomos nga krahët.

Mendoni se do të vijojë kjo ecuri, pasi të dielën luajnë në Kukës, një përballje jo e lehtë, apo jo?

Jo vetëm që nuk është një përballje e lehtë, për më tepër mund të them se është një betejë e vështirë. Një ndeshje, ku janë në lojë të tria rezultatet. Vllaznia do të ketë një ndeshje të vështirë për vazhdimësinë, por jo të pakalueshme. Mund t’ia dalim sërish.

Si e shikoni fazën e katërt për Vllazninë, ku dihet se lufta ka për të qenë e ashpër në të gjitha drejtimet?

Ka për të qenë një fazë shumë e vështirë për të gjitha skuadrat, sepse do të ndahen verdiktet e kampionatit, si për katërshen e parë, ashtu edhe për skuadrat që do të bien nga Superiorja. Shikoj një fazë të katërt të fortë.

Te Vllaznia nuk duan që ta shqiptojnë titullin kampion, mos është ende herët të flitet për të?

Për mua është normale, sepse është ende rrugë e gjatë. Si fillim duhet që të sigurojnë katërshen, ku më mirë do të ishin dy vendet e para. Pastaj mund të nisin të mendojnë për titullin.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"