Xhonatan Lajthija: Bylisi e vlerëson Luzin si rivalët, vazhdojmë me fitore deri në fund të kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2024 | 17:13

Xhonatan Lajthija: Bylisi e vlerëson Luzin si rivalët, vazhdojmë me fitore deri në fund të kampionatit

Bylisi të shtunën do të luaj në fushën neutrale të Vorës sfidën me Luzin 2008. Ballshiotët po përgatiten për këtë ndeshje dhe janë më të motivuar se kurrë. Trajneri Arian Bellai dhe stafi i tij në seancat e fundit po punojnë fort me çdo repart, sidomos në aspektin tekniko-taktik.

Lajthia Xhonatan 9

Një nga futbollistët që ka spikatur këtë sezon është edhe mesfushori me tipare sulmuese, Xhonatan Lajthia. Ai luan sezonin e tij të dytë në Ballsh dhe po jep një kontribut të rëndësishëm në rikthimin e Bylisit në elitë. Lajthia, pas sfidës me Tomorin, analizon transfertën e radhës me Luzi 2008. “Jemi duke u përgatitur për sfidën e radhës me Luzi 2008, që në këndvështrimin tim e shikoj si një duel i barasvlershëm me ekipet rivale. Unë e njoh kundërshtarin dhe ka një ekip simpatik.

Kanë disa lojtarë cilësorë dhe të rinj të talentuar që luajnë shumë mirë futboll, madje kanë një kundërsulm të rrezikshëm. Megjithatë, ne do të bëjmë më të mirën tonë për të fituar edhe në këtë betejë. Duhet të ruajmë vendin e parë sepse tani rivaliteti sa vjen e rritet e bëhet edhe më i ashpër. Bylisi ka një grup simpatik dhe që kemi treguar forcën tonë thuajse ne të gjitha sfidat në transfertë. Do të kërkojmë që ta kalojmë me sukses edhe këtë duel. Kam besim se do ia dalim, sepse kemi një ekip me shumë kualitet brenda, si dhe me lojtarë me shumë eksperiencë.

Një grup që kanë zili jo vetëm në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore. Ndaj, duhet të tregohemi sa më të kujdesshëm dhe të godasim kundërshtarin në pikat e veta të dobëta. E rëndësishme është që jemi të plotë dhe mjaft të mobilizuar për ta kaluar këtë sfidë me sukses. Fazën e tretë e kemi nisur me fitore dhe po punojmë që deri në fund të marrim vetëm trepikësha”, u shpreh Xhonatan Lajthia për “Panorama Sport”.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"