Vuçiç dhe Vrucina, Kastrioti ka 2 të huaj pa firmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2012 | 13:49

Vuçiç dhe Vrucina, Kastrioti ka 2 të huaj pa firmë

Mesfushori boshnjak, Dragan Vuçiç, dhe sulmuesi kroat Jurika Vrucia, nuk kanë arritur ende një marrëveshje me klubin e Kastriotit. Nga ana tjetër, dy lojtarët kosovarë që u provuan në ndeshjen miqësore me Skënderbeun, janë larguar menjëherë, pasi nuk e kanë bindur stafin teknik. “Ishin lojtarë që nuk bënin për nevojat që skuadra jonë ka në këtë moment”, – thotë trajneri i krutanëve, Artan Mërgjyshi. Ndërkohë, në miqësoren e fundit spikati sulmuesi Vrucina, i cili shënoi edhe golin e fitores. Ai kishte realizuar edhe në takimin ndaj Pogradecit. Si për të, ashtu edhe për Vuçiç, do të duhet edhe të paktën një ndeshje tjetër për të vendosur. Kjo mund të jetë ndeshja e ardhshme me Tomorin, që pritet të luhet të dielën në Pogradec.
Trajneri “Do të duhet të shohim lojtarët që kemi në provë edhe në takimin e ardhshëm. Më pas do të vendosim, ndërkohë që ata do të mbeten me ne edhe gjatë këtyre ditëve. Lojtari kroat ka progres në paraqitjen e tij, në krahasim me kohën kur arriti në skuadër”, – thotë kreu i pankinës krutane. Kastrioti është ende në kërkim të mesfushorëve dhe, në mënyrë të veçantë, të një sulmuesi. Nga lojtarët që kanë aktualisht në provë, por edhe nga ata që pritet të vijnë, drejtuesit e Kastriotit shpresojnë të zgjedhin alternativën më të mirë për të plotësuar grupin, sidomos në repartin sulmues. Për pjesën tjetër, grupi tashmë mund të konsiderohet i plotësuar dhe mbetet vetëm të perfeksionohet. Për këtë skuadra do të qëndrojë në Pogradec deri më 20 gusht, pikërisht 5 ditë përpara fillimit të aktivitetit.

Një tjetër Ndreu te krutanët
Në kampingun e krutanëve ndodhen edhe disa lojtarë të rinj, të cilët presin radhën për t’u konfirmuar te Kastrioti. Një prej tyre është 16-vjeçari Xhulio Ndreu. Pozicioni i tij është mbrojtës i qendrës. I riu shpreson të gjejë hapësira gjatë kampionatit, ndonëse konkurrenca në radhët e Kastriotit është e madhe në të gjitha pozicionet. Ndreu është nipi i ish-trajnerit të Kastriotit, Ramazan Ndreu. Kështu, ai vazhdon traditën, por në rrugën e tij të futbollit përpiqet që të zërë vendin e tij. Ndreu është gjithashtu pjesë e shkollës së futbollit “Loro Boriçi”.

Mbërrijnë tre lojtarë serbë
Kanë mbërritur dje te Kastrioti tre lojtarë serbë. Lajmi konfirmohet nga trajneri Artan Mërgjyshi. Nga sa mësohet, të tre futbollistët do të jenë në provë. Emrat e tyre ende nuk bëhen të ditur nga klubi, por mësohet se njëri është mesfushor, ndërsa dy të tjerët luajnë si sulmues. Gjatë kësaj periudhe te krutanët janë afruar disa futbollistë për t’u testuar por, deri më tani, me asnjë nga të huajt nuk është firmosur ndonjë kontratë. Sulmuesi Stiven Fanka ishte lojtari i fundit që ishte pranë marrëveshjes me drejtuesit, por më pas ai u largua për te Luftëtari.
Murat Aruçi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"