Vrucina: Shkëlqej te Tomori dhe kap një klub të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2012 | 13:47

Vrucina: Shkëlqej te Tomori dhe kap një klub të madh

Jurika Vrucina, blerja e fundit e Tomorit, vazhdon të bëjë paraqitje pozitive në prag të nisjes së kampionatit. Pasi ka shënuar gola në dy sfidat miqësore me fanellën e Kastriotit, e ka vazhduar këtë “ritual” edhe me beratasit në miqësoren kundër kuçovarëve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, kroati tregon emocionet e para në Berat dhe synimet e tij për këtë sezon futbollistik.
Cila ishte arsyeja që vendosët të luanit në kampionatin shqiptar?
Ishte menaxheri im ai që më sugjeroi të luaja në këtë kampionat. Mendoj se është një zgjidhje e arsyeshme, duke pasur parasysh se në Shqipëri kanë luajtur shumë bashkëkombës të mi dhe kanë bërë paraqitje pozitive. Ata jo vetëm që janë pëlqyer këtu, por kampionati shqiptar u ka shërbyer si një trampolinë në karrierë, gjë që më pëlqen edhe mua ta arrij.
Çfarë synoni të arrini në këtë sezon me Tomorin?
Shpresoj të zhvilloj një sezon pozitiv, për t’iu përgjigjur objektivave që ka klubi. Do të synojmë një paraqitje dinjitoze, që të arrijmë mesin e artë. Ndërsa në aspektin personal premtoj maksimumin tim në çdo ndeshje.
Cili është vlerësimi juaj për skuadrën dhe qytetin?
Te Tomori shikoj një grup të mirë futbollistësh që premton për një sezon të mirë. Personalisht jam ndier i mirëpritur nga të gjithë, duke nisur nga tekniku Mile, për të cilin kam një vlerësim maksimal, jo vetëm për punën që po bën me ne, por edhe për frymën dhe afrimitetin që ka futur në skuadër. Po ashtu, dua të falënderoj edhe shefin e klubit dhe shokët e ekipit, të cilët më kanë bërë të mos ndihem si i huaj në këtë grup. Shoh ndërkaq se ambienti sportiv rreth skuadrës është vërtet i ngrohtë. Berati është një vend mjaft i bukur, gjë që më bën të mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që kam firmosur për skuadrën e këtij qyteti.
Çfarë i premtoni tifozërisë beratase në sfidën kundër Tiranës?
Si fillim, dua t’i falënderoj tifozët e Tomorit për pritjen që më kanë bërë në takimin miqësor. Kur luaja në Kroaci, ndiqesha nga jo më shumë se 1000 tifozë në stadium, ndërsa këtu edhe pse një takim miqësor fansat ishin në shifra më të larta. Dua t’i falënderoj për duartrokitjet gjatë ndeshjes. Jam ndier shumë mirë kur pashë që stadiumi u ngrit në këmbë në momentin e zëvendësimit. U ndihem borxhli për pritjen e tyre, ndaj dua t’ua shpërblej menjëherë me gol në sfidën kundër Tiranës. Nëse arrij të shënoj, premtoj se do të shkoj ta festoj me ta golin.
Sa gola premtoni?
Nuk dua të flas me shifra, por premtoj të bëj maksimumin tim në çdo ndeshje, ku do të hyj me synimin për të shënuar. Pastaj do t’ju mbetet ju gazetarëve që të numëroni golat në fund të kampionatit.

Merkato
Burime të sigurta pranë klubit beratas bëjnë të ditur se pritet një tjetër futbollist kroat. Ende nuk dihet shumë për të, por duket se ndërmjetës për këtë lëvizje është bërë mesfushori Jusufi. Ky i fundit është bërë pjesë e beratasve dhe synon t’i shtojë një tjetër element skuadrës. Ndërkohë, aludimet për një largim të mundshëm të portierit Eni Naço janë shuar dje, teksa portieri ka konfirmuar se do të jetë pjesë e Tomorit.
Elton Çela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"