Vruçina shënon, por nuk bind ende stafin teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2012 | 13:44

Vruçina shënon, por nuk bind ende stafin teknik

Kastrioti është zhytur në merkato duke kërkuar kështu përforcimin sa më parë të skuadrës. Sipas burimeve të sigurta nga klubi, vazhdojnë tratativat me lojtarë të ndryshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Kërkohet me ngulm edhe një mbrojtës tjetër, përveç Seminës të ardhur ditët e fundit, një mesfushor shkatërrues dhe sigurisht edhe një sulmues. Kroati shtatlartë, Jurica Vruçina, i cili mbërriti gjatë natës të së shtunës në kampingun e krutanëve, do të testohet në tri-katër ditët në vijim dhe më pas do të vendoset nëse do firmosë, apo jo për krutanët. Vruçina shënoi golin e fitores të Kastriotit me Pogradecin, por ai nuk ka mjaftuar si “pasaportë” e stafit teknik, që t’i japë viston lojtarit që të bisedojë me drejtuesit e klubit për një kontratë. Do të duhet edhe një ndeshje tjetër, ndoshta brenda grupit, për të parë nëse kroati është i vlefshëm apo jo për Kastriotin. Ndërkohë kapiteni Fatmir Caca e sheh si rezultative këtë periudhë merkatoje dhe përgatitjes te Kastrioti. “Skuadra ka punuar fort gjatë kësaj kohe që jemi në periudhë përgatitore këtu në Pogradec dhe kemi bindjen se është bërë një punë e mirë që do të na vlejë për sezonin e ardhshëm”. Krutanët fituan testin me vendësit e Pogradecit me rezultatin 1-0, por Caca sërish nuk është i kënaqur. “Duhet pranuar se Pogradeci luajti mirë dhe, pavarësisht se ne fituam, duhet thënë se skuadra nuk është ende në top-formë. Arsyeja vjen edhe nga fakti se lojtarët e ardhur gjatë merkatos nuk kanë arritur ende të ambientohen. Gjithsesi, ka kohë deri në fillimin e sezonit dhe jemi në pritje edhe të disa lojtarëve të tjerë, kështu që Kastrioti i këtij viti do të jetë i denjë për të luftuar, për t’u renditur në gjashtëshen e parë të klasifikimit, ashtu siç është edhe objektivi i presidencës”, – përfundon Caca prononcimin e tij.
Murat Aruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"