Vllaznia “karikon bateritë”, skuadra në luftë për të dy fronet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 16:47

Vllaznia “karikon bateritë”, skuadra në luftë për të dy fronet

Vllaznia është favorizuar disi nga ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, jo vetëm për faktin që lojtarët kanë pasur mundësi të rifitojnë energjitë. Dihet që kuqeblutë kanë luajtur thuajse me të njëjtët lojtarë gjatë kampionatit dhe është logjike që ata të ndjenin lodhjen, sikurse u pa në transfertën e Kukësit. Kjo periudhë gati 10-ditore pa ndeshje e ka ndihmuar skuadrën e trajnerit Qatip Osmani në këtë drejtim, por edhe për rikuperimin e lojtarëve të dëmtuar.

alivoda vllaznia

Për ndeshjen e javës së 29-të ndaj Erzenit pritet që shkodranët të jenë të plotë. Një nga rikthimet e rëndësishme është ai i portierit Kristi Qarri, i cili ka lënë pas dëmtimin në shpatull dhe tashmë është në dispozicion të stafit teknik. Në ndeshjen e Kukësit, ku Vllaznia u mund 2-0, Qarri shleu edhe skualifikimin prej 4 kartonësh të verdhë. Për të njëjtën arsye munguan në Kukës edhe Krymi e Smajli, ndërsa portieri Jurgen Mehidri u sakrifikua në atë ndeshje. Tashmë të gjithë këta lojtarë në plotësisht të gatshëm për trajnerin Osmani. Me përjashtim të mbrojtësit të djathtë, Geralb Smajli, i cili është pjesë e Kombëtares U-21, stafi kuqeblu e ka pasur skuadrën të plotë. Duke shtuar edhe formën fizike, pritet që Vllaznia të kthehet menjëherë te fitorja ndaj Erzenit.

NGARKESA – Në këtë fund të sezonit ngarkesa është e madhe, ndeshjet janë të dendura, pasi shkodranët janë në garë në të dy kompeticionet, kampionat dhe Kupë. Objektivi është për të bërë bis trofesh, por vetëmfusha do të tregojë se sa do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Kuptohet që përqendrimi është më i madh te kampionati, për të shkuar në “Final 4” në një nga dy vendet e para të klasifikimit, që kanë edhe favorin e barazimit për kalimin në finale. Por edhe Kupën e Shqipërisë, përderisa janë në gjysmëfinale, ku do të ndeshen me Egnatian rivale edhe në kampionat, shkodranët nuk kanë pse të tolerojnë. Në fund të fundit, çdo trofe ka rëndësinë e vet dhe pasuron historinë e klubit. Për të gjitha këto është shumë e rëndësishme që skuadra të jetë me kontingjent të plotë lojtarësh dhe sa më e freskët fizikisht. Në Shkodër presin minimalisht një trofe në fund të këtij sezoni.

ADMIR URUÇI 

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"