Vjen krisja e madhe Marota-Inter, “arkitekti” i sukseseve zikaltër planifikon largimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 11:38

Vjen krisja e madhe Marota-Inter, “arkitekti” i sukseseve zikaltër planifikon largimin

Xhuzepe Marota zbulon të ardhmen e tij. Edhe disi pa pritur do të thoshim. Duke folur në një event sportiv së bashku me homologun e tij të basketbollit, Luis Skola, administratori i Interi deklaroi se do të largohet nga detyra pasi t’i skadojë kontrata në qershor 2027.

zhang marota

Fjalë të forta vijnë nga goja drejtuesit, i cili në fjalimin e tij theksoi: “Sektori i të rinjve është pasuria më e madhe e një klubi, veçanërisht nga pikëpamja njerëzore. Jam gjithnjë e më i bindur se sporti për të rinjtë duhet të jetë falas për të përfshirë edhe familjet e varfra, ato në të cilat fshihen kampionët”. Praktikisht një mënyrë elegante për të mbyllur një karrierë të lavdishme si drejtues duke arritur kulmin në dy klubet më të mëdha në Itali si Juvja dhe Interi.

FJALË ME EFEKT – “Kur të mbarojë kontrata ime me Interin dhe të largohem nga klubi, do të kujdesem vetëm për lojtarët e rinj”. Ky është njoftimi i plotë që sugjeron gjithashtu se cili do të jetë aktiviteti i tij në të ardhmen. Në temën e të rinjve dhe rëndësisë së tyre në futboll, Marota u shpreh edhe më i qartë: “Aktualisht ka shumë talente që vuajnë të dalin në pah pasi familjet nuk i mbështesin dot ekonomikisht. Që nga nevojat minimale e aq më tepër për të investuar në forcimin e tyre. Dëshiroj të bëj diçka për të ndryshuar këtë realitet”. Për ndjekësit më të ethshëm të realitetit interist, kjo është mënyrë për të shpalosur krisjen me Stiven Zhangun. Së bashku kanë arkitektura sukseset e Interit në të kaluarën e afërt, madje edhe titullin e njëzetë mbi të cilin zikaltrit do të vënë duart sivjet.

PROBLEME – Megjithatë, jo gjithçka që shkëlqen është më vlerë. Mes Marotës dhe pronarëve kinezë të Interit ka krisje. Me sa duket administratori ka ankesa për buxhetin dhe ekuilibra e rrezikshëm në të cilët klubi ndërton çdo vit merkaton. Me sa duket, ai nuk ka dorë të lirë për lojtarët dhe kjo ndikon në cilësinë e një drejtuesi që si te Juvja, ashtu edhe në vitet e tij interiste, ka pasur te merkato pikën më të fortë.

Në kërkim të motivimeve të reja, por mbi të gjitha për t’i “rikthyer” botës së futbollit disa nga ato që i ka “dhuruar” bota e futbollit, Marota mendon për një rol ndryshe, pra t’i përkushtohet politikës sportive dhe të ndihmojë në promovimin e futbollit dhe të sportit në përgjithësi te të rinjtë. Ministria italiane e sporteve është duke bërë punë të rëndësishme për të përmirësuar një situatë të vështirë, por ka shumë për të bërë. Dhe Marota dëshiron të japë ndihmën e tij.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"