VIDEO/ Rikthehet Tirana e frikshme, Xhixha protagonist absolut në fitoren e thellë ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 0:07

VIDEO/ Rikthehet Tirana e frikshme, Xhixha protagonist absolut në fitoren e thellë ndaj Teutës

Tirana u është kthyer fitoreve në mënyrën më të mirë të mundshme me një dominim absolut kundër Teutës të cilën e ka mposhtur me shifrat 4-0.

Tirana Teuta

Pas një starti të ngadaltë të sfidës, seria e golave bardheblu u hap në fundin e pjesës së parë nga Xhixha, ndërsa në fillimin e të dytës ishte Hasani ai i cili dyfishoi shifrat. Një goditje e dyfishtë që tronditi Teutën e cila nuk diti të kthehej në ndeshje. Nga kjo përfituan bardheblutë të cilët krijuan shumë raste dhe deri në vërshëllimën përfundimtare shënuan edhe dy herë të tjera me Xhixhën, duke vulosur suksesin 4-0 që i kthen për momentin në vendin e dytë në renditjen e Superiores.

Ndërkohë, Teuta sheh situatën e saj në renditje të mbetet shumë shqetësuese, pasi gjendet në vendin e parafundit me 0 fitore në 5 ndeshjet e luajtura.

TIRANA 4-0 TEUTA
43′, 59′, 90’+2′ (p) Xhixha, 49′ Hasani

KOMENTI LIVE:

90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren e thellë 4-0 të Tiranës.

90’+2’ GOOOL TIRANA! Shënon Xhixha me penallti.

90’ Gjyqtari akordon penallti për faull të Çyrbjes ndaj Lulajt, të rishikuar me VAR nga gjyqtari të cilit i kishte shpëtuar aksioni. Ndëshkohet me të verdhë Çyrbja por edhe Kotobelli për protesta.

86’ Tentativë e fortë e Berishës nga jashtë zonës, sfera përfundon jashtë katërkëndorit të Qirkos.

84’ Çyrbja merr vendin e L. Vilës në radhët e Teutës.

82’ Skema me goditje dënimi e Tiranës, Ismajlgeci lëshon një gjuajtje të fortë nga e majta por sfera devijohet jashtë.

79’ Gjumsi tenton nga jashtë zonës, topi devijohet lehtësisht dhe përfundon në duart e Qirkos.

78’ Kallaku dhe Deliu i lënë vendin në fushë Berishës dhe Hilës.

77’ Deliu tenton me të djathtën nga jashtë zonës, topi kalon mbi traversë.

72’ Gjumsi aktivizohet në vend të Përgjonit në minutat e fundit të sfidës.

70’ Fejzulla dhe Kapllani hyjnë në fushën e lojës në vend të Hebajt dhe Boçit.

69’ Harkim interesant nga e djathta për Hebajn në zonë, me sulmuesin i cili gjuan fluturimthi por sfera fluturon lart mbi traversë.

68’ Kallaku tërheq me vete mbrojtjen dhe pason për Hasanin i cili niset drejt portës. Por Qirko del dhe kontrollon sferën.

67’ Patrik lë fushën e lojës për t’i bërë vend Lulajt te Tirana.

64’ Tentativë e L. Vilës në zonën e Tiranës, mbrojtja bllokon duke mos lejuar sferën të shkojë drejt portës.

62’ Gjinollari nga e majta nis topin në zonë për Oshafin i cili nuk arrin të devijojë sferën, i vetëm para Bekajt, duke shpërdoruar rastin e artë për të shkurtuar diferencën.

59’ GOOOL TIRANA. Xhixha është përsëri i jashtëzakonshëm me një gjuajtje nga jashtë zonës, duke çuar shifrat në 3-0 për bardheblutë.

58’ Patrik nxjerr përsëri Hasanin të lirë para Qirkos, portieri bën mrekullinë dhe eviton golin e radhës.

57’ Marku nga e djathta tenton portën, gjen përgjigjen e Bekajt dhe më pas mbrojtja largon sferën.

54’ Oshafi merr vendin e E. Vilës në radhët e Teutës.

53’ Xhixha lëshon një predhë nga jashtë zonës, Qirko grushton dhe Patrik tenton menjëherë të gjejë rrjetën me një gërshërë, por nuk gjen katërkëndorin e Teutës.

49’ GOOOL Tirana! Bardheblutë gjejnë përsëri rrjetën pas zhvillimit të një rivënie anësore ku Patrik nxjerr të vetëm Hasanin para Qirkos. 2-0

46’ Pjesa e dytë nis me Gjinollarin në vend të Idrizajt në radhët e skuadrës së Teutës.

45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin minimal 1-0 të bardhebluve.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

43’ GOOOL TIRANA! Shënon Xhixha pas një kundërsulmi të shpejtë ku sulmuesi finalizon me një gjuajtje nga jashtë zonës.

41’ Lorenco Vila është i ndëshkuari i parë i ndeshjes me karton të verdhë.

37’ Tani është Tirana që ka marrë kontrollin e plotë të lojës dhe po tenton që të gjejë golin. Por manovra e bardhebluve deri në këto çaste është anuluar nga ekipi mik që ka ruajtur portën e paprekur.

32’ Hasani driblon një kundërshtar dhe gjuan nga jashtë zonës, topi shkon në duart e Qirkos.

28’ Kombinim i shkëlqyer mes Hasanit dhe Kallakut me këtë të fundit i cili gjuan drejt portës por gjen përgjigjen e Qirkos. Fantazisti i Teutës me pas prek topin me dorë dhe gjyqtari jep faull për miqtë.

23’ Aksion i shpejtë i Tiranës në krahun e majtë të sulmit bardheblu. Xhixha pason në qendër për Kallakun por ky i fundit e kontrollon me dorë në zonë dhe gjyqtari ndal lojën.

20’ Kotobelli gabon në një kontroll topi, Patrik merr sferën dhe gjuan por gjen përgjigjen e Qirkos. Kallaku gjuan direkt sferën e kthyer nga portieri por godet shtyllën e portës së Teutës. Më pas, gjyqtari sinjalizon për pozicion jashtë loje duke e bërë të pavlefshëm aksionin.

16’ Idrizaj merr fundoren në krahun e majtë dhe lëshon një harkim në shtyllën e dytë ku Hebaj me kokë tenton portën, por gjen përgjigjen e Bekajt i cili grushton dhe eviton golin.

10’ Teuta duket shumë më kërkuese në këto minuta, duke parë se Tirana ka probleme në krijimin e aksioneve sulmuese dhe nuk është shfaqur ende asnjëherë para portës së Qirkos.

7’ Aksion i Markut në krahun e djathtë të sulmit të Teutës, pason në qendër për Hebajn i cili gjuan por gjen përgjigjen e Bekajt.

4’ Start i qetë i sfidës, me skuadrat që nuk u afrohen zonave kundërshtare, pasi çdo aksion thyhet në mesfushë.

1′ Starton sfida!

FORMACIONET ZYRTARE:

TIRANA: Bekaj, Përgjoni, Behiratçe, Aleksi, Ismajlgeci, Deliu, Kallaku, Limaj, Hasani, Xhixha, Patrik.

Trajner: Orges Shehi.

TEUTA: Qirko, Marku, Kuro, Kotobelli, Idrizaj, Beqja, Karabeci, E. Vila, Boçi, L. Vila, Hebaj.

Trajner: Bledi Shkëmbi.

123

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"