VIDEO/ Emocione deri në sekondën e fundit, Vllaznia eliminon Partizanin dhe kap gjysmëfinalet e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2023 | 23:59

VIDEO/ Emocione deri në sekondën e fundit, Vllaznia eliminon Partizanin dhe kap gjysmëfinalet e Kupës

Vllaznia është gjysmëfinalistja e katërt e Kupës së Shqipërisë. Skuadra fituese e dy edicioneve të fundit, ka siguruar vendin përkrah Teutës, Tiranës dhe Egnatias pasi ka eliminuar Partizanin në çerekfinale.

fm,f.f

Vllaznia vinte me avantazhin e siguruar nga fitorja 3-1 në ndeshjen e parë, ndaj Partizani ishte ai që kërkoi më me ngulm golin që në startin e sfidës. Të kuqtë sulmuan dhe iu afruan disa herë rrjetës, të cilën e gjetën pas një gabimi të prapavijës shkodrane dhe portierit Qarri, duke realizuar me Mensah.

Kjo bëri që për shumë minuta të ishte Partizani që kishte iniciativën në kërkim edhe të golit të dytë, por të kuqtë nuk ia dolën të shënonin më pasi Vllaznia mbylli hapësirat pranë portës. Në fund i erdhi në ndihmë edhe VAR i cili anuloi golin e Carës që do të hapte kualifikimin.

Ndaj vërshëllima përfundimtare pa Partizanin të fitonte 1-0, por të festonte Vllazninë që kaloi më tej në këtë turne.

PARTIZANI-VLLAZNIA 1-0

25′ Mensah

NGJARJET KRYESORE

90’+8’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Partizanit, por që nuk mjafton për të kaluar më tej.

90’+7’ Goditje këndi të njëpasnjëshme të Partizanit, por Qarri devijon sferën nga katërkëndori i tij në të dy rastet.

90’+4’ Jonuzi lëshon një predhë nga e majta drejt portës, Rexhepi grushton në këndore.

90’+3’ Balaj ka mundësinë ideale për të shënuar, por gjen përgjigjen e Rexhepit pas një kthese të shpejtë në zonë.

90’+1’ Delaj merr vendin e Çobës te Vllaznia.

90’ Jepen 6 minuta shtesë.

87’ Partizani gjen golin pas një aksioni në qendër me anë të Carës i cili çon sferën në rrjetë. Të kuqtë festojnë por shkodranët protestojnë për një faull të Da Silvës ndaj Gurishtës. Bajramaj sheh pamjet me VAR dhe anulon golin.  

86’ Hoxhaj nga e djathta harkon në shtyllën e dytë ku po vinte me shpejtësi Çoba, me këtë të fundit që prek topin por e çon në duart e portierit.

83’ Da Silva nga e majta vë në provë Qarrin i cili grushton topin. Më pas sfera shkon te Rrapaj i cili gjuan dhe gjen përsëri përgjigjen e portierit të shkodranëve.

81’ Mensah dhe Buxhelaj largohen nga fusha e lojës për t’i bërë vend Mba dhe Zekollit.

80’ Menjëherë karton i verdhë për Hadrojn, i cili ndërhyn ndaj Hakajt në mënyrë të parregullt.

79’ Gurishta, i kaluar përsëri në të djathtën, harkon në zonë për Balajn. Devijimi i këtij të fundit me kokë nuk shkon drejt katërkëndorit.

77’ Hadroj dhe Da Silva në fushë në radhët e Partizanit, në vend të Zunës dhe Hotit.

76’ Cara tenton me një goditje dënimi nga e majta që shkon direkt në duart e Qarrit.

76’ Vulaj merr vendin e Markut në radhët e Vllaznisë në minutat e fundit të duelit.

68’ Selmani ndëshkohet me të verdhë pasi ndal Markun i cili po i drejtohej zonës.

65’ Është përsëri Cara ai i cili gjuan nga jashtë zonës, këtë herë duke çuar topin në duart e Qarrit i cili kontrollon pa vështirësi.

62’ Goditje e fortë e Rrapajt nga pozicion standart, Qarri grushton por topi kthehet te Cara. Ky i fundit gjuan dhe r gjen përsëri përgjigjen e portierit i cili bën një mrekulli duke kaluar sferën mbi traversë.

61’ Shpërthim i shpejtë i Selmanit në krahun e djathtë, Bulatoviç e ndalon në mënyrë të parregullt dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

59’ Mensah ul topin për Carën i cili provon nga jashtë zonës, duke fluturuar sferën shumë larg katërkëndorit.

55’ Situatat zhvendosen sa pranë njërës zonë, në tjetrën në këto minuta, me ekipet që janë zgjatur në fushë dhe nisin sulme e kundërsulme, por pa arritur të gjuajnë në katërkëndor.

53’ Rrapaj merr vendin e Bilalit në fushën e lojës për Partizanin.

52’ Buxhelaj harkon në shtyllën e dytë për Mensah, topi largohet nga mbrojtja shkodrane.

47’ Çoba shfaqet në krahun e majtë në fundore, gjuajtja e tij gjen vetëm rrjetën e jashtme të portës së Rexhepit.

46’ Jonuzi dhe Juriç marrin vendin e Heriç dhe Smajlit në fillimin e pjesës së dytë për shkodranët.

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë e ndeshjes me fitoren minimale 1-0 të Partizanit.

45’+3’ Cara në krahun tjetër harkon në zonë, por devijimi i Selmanit me kokë është shumë i lehtë dhe nuk shqetëson Qarrin.

45’+3’ Çoba shpërthen në krahun e majtë, përshkruan 60 metra me topin në këmbë por më pas nuk ia del të gjejë një partner të sulmit në qendër me mbrojtjen vendase e cila largon rrezikun.

45’+1’ Karton i verdhë për Carën pas një ndërhyrje ndaj Smajlit.

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

43’ Bilali driblon dy lojtarë dhe hyn në zonë dhe pas një kontakti me Balajn rrëzohet, por për gjyqtarin nuk ka asgjë.

41’ Matondo shfaqet në pozicion ballor para zonës dhe tenton portën por pa shënjestruar katërkëndorin e Qarrit.

35’ Pas zhvillimit të një goditje këndi, topi shkon te Mensah i cili gjuan por gjen shtyllën këtë radhë.

33’ Top në thellësi i Buxhelajt për Mensah, Qarri del dhe kontrollon këtë herë para sulmuesit.

27’ Harkim tjetër në zonën shkodrane, këtë herë nga e majta dhe portieri Qarri është në vështirësi në kontrollin e topit, me mbrojtjen që largon sferën.

25’ GOOOL PARTIZANI! Pas një harkimi nga e djathta, Qarri dhe Gurishta nuk merren vesh dhe Mensah përfiton duke çuar sferën në portën e boshatisur.

22’ Cara tenton portën nga distanca, Qarri në vështirësi në dy kohë kontrollon topin.

21’ Cara nga e djathta nis topin në zonën e shkodranëve, mbrojtja mike largon rrezikun.

15’ Një goditje këndi sjell rastin e parë të rrezikshëm për Partizanin, pasi Preka gjuan me kokë por sheh topin të devijohet jashtë katërkëndorit.

13’ Një goditje dënimi nga e majta e harkuar në shtyllën e dytë sjell panik në zonën e Partizanit, Preka me kokë largon sferën.

9’Partizani është ai që ka më shumë topin në kontroll në këto minuta të para, por deri tani nuk janë prodhuar raste të rrezikshme para portës shkodrane.

3’ Pas zhvillimit të një këndoreje, Mensah mundohet të pasojë te Menish, por ky i fundit nuk ia del të çojë topin drejt portës.

1′ Nis dueli në stadiumin “Partizani”.

FORMACIONET ZYRTARE

Partizani: Rexhepi, Preka, Menish, Bilali, Zuna, Buxhelaj, Hoti, Matondo, Mensah, Cara, Selmani.

Trajner: Xhovani Kolela

Vllaznia: Qarri, Smajli, Gurishta, Bulatovic, Hakaj, Alivoda, Marku, Heriç, Hoxhaj, Çoba, Balaj.

Trajner: Mirel Josa

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"