“Veçoj Longon si profesionist, me Memushin kemi rezultate”. Vitija: Flamurtari, i denjë me çdo ekip të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 20:55

“Veçoj Longon si profesionist, me Memushin kemi rezultate”. Vitija: Flamurtari, i denjë me çdo ekip të Superiores

Ermal Vitija prej 1 viti e gjysmë gjendet në Vlorë. Kosovari ka luajtur për Prishtinën dhe Dukagjinin kërkon të qëndroj sa më gjatë te Flamurtari. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi Vitija analizon ecurinë e Flamurtarit, ku pas fitores me Kastriotin ndihen të qetë.

ermal vitija

Ai pohon se ekipi i ka mundësitë për Superioren. Vitija flet edhe për 6 trajnerët që ka ndërruar te Flamurtari.

Pas fitores me Kastriotin duket se është rikthyer buzëqeshja në ekip?

Normalisht që u kthye se ishte një fitore e vështirë, ndonëse arbitrimin e patëm kundër. Gjyqtari dha një penallti që nuk ishte fare, por për fat të mirë portieri Aldo Teqja u tregua i saktë dhe mbrojti portën. Kjo fitore na qetëson pak.

Si e pe këtë ndeshje dhe rolin tënd të ri, në krahë të majtë?

Të gjithë lojtarët treguan karakter të fortë dhe se humbja me Burrelin ishte e paparashikueshme. Djemtë reflektuan dhe fituan në Krujë. Besoj se vazhdimësinë e rezultateve të mira do ta kemi deri në fund.

Si ishte analiza e humbjes me Burrelin?

Rëndësi ka që reaguam pozitivisht kundër Kastriotit. Në analizën e ndeshjes me Burrelin evidentuam ku gabuam. Analizuam me trajnerin gjithçka dhe u fokusuam që ndaj krutanëve të merrnim tri pikë, me qëllim që të rrisnim moralin.

Ku gabuat në ndeshjen me Burrelin?

Ishim pak euforik për të dalë para. Pikërisht aty gabuam.

Keni ndonjë preferencë për kundërshtarin e Superiores në “play off”?

Ne mund të ballafaqohemi me çdo ekip. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe mes nesh dhe ekipeve të Superiores, me të cilët mund të ndeshemi. Përveç tre ekipeve të vendeve të para, të tjerat janë aty-aty.

Keni informacion për Flamurtarin e madh, pasi jeni pjesë e një klubi legjendar?

Kam pasur informacion edhe më parë, para se të vij në Vlorë. Nuk kam menduar dy herë kur mu dha mundësia, erdha dhe firmosa menjëherë. Që kur kam ardhur këtu jam ndier shumë mirë, si në shtëpinë time.

Në këtë 1 vit e gjysmë që jeni në Vlorë, keni ndërruar 6 trajnerë. Si i përshkruan ata?

Secili ka pasur karakteret e veta dhe filozofinë e tij. Nuk mund që të bëj krahasime, pasi i vë edhe ata në siklet (qesh).

Po nga ana profesionale, veçon dikë?

Nga ana profesionale…Diego Longo. Me atë kemi punuar mirë, por nuk mundëm që të arrinim qëllimin. Tani, me profesor Memushin kemi rezultate të mira. Ai po punon profesionalisht dhe jemi mirë.

Komplimenta pasi po flisni si vlonjat. Jeni i interesuar që ta përmirësoni “vlonjatçen”?

(Qesh). Çdo ditë vjen duke u përmirësuar.

Si e ndjen veten në Vlorë, ju njeh publiku vlonjat kur kaloni në rrugë?

Po, më njeh. Vlora është një qytet që e do sportin. Ndihem mirë këtu. Është shumë gjynah që nuk jemi në Superiore, por besoj se këtë vit do ta bëjmë hapim.

Ke planifikuar të rrish gjatë në Vlorë?

Patjetër që po, ndihem mirë këtu, si vlonjat.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"