Unikale, vëlla e motër me kombëtaret kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2013 | 19:37

Unikale, vëlla e motër me kombëtaret kuqezi

Arbnora RobelliAjo luan për Kombëtaren e femrave, ndërsa ai për atë të meshkujve. Rast unikal, që ndodh te Shqipëria, teksa vëlla e motër luajnë për kombëtaret e vendit të tyre. Bëhet fjalë për sulmuesen kosovare, Arbnore Robeli, e cila luan për Kombëtaren A, të drejtuar nga Altin Rraklli dhe vëllain e saj, Arbëri (aktivizohet te suedezët e Halmstad U-17), i cili ditë më parë mori ftesë nga Shqipëria U-19. “Unë kam luajtur tetë ndeshje me Shqipërinë, kam shënuar edhe një gol, kam bërë edhe një asist, kurse Arbëri së shpejti pret që të bëhet pjesë e Kombëtares U-19. Unë për femrat, vëllai im për meshkujt”, – thotë Arbnore në një intervistë për “Sport Plus”. Ajo aktivizohet për skuadrën suedeze IS Halmia, e cila militon në Kategorinë Superiore në këtë vend. Arbnore, e cila më parë e ka luajtur për Falkenberg FF, këtë edicion ka realizuar tre gola. Gjithashtu ka kontribuar me katër asiste për IS Halmian, në shtatë ndeshjet e para të kampionatit. Ndryshe, me Falkenberg FF është shpallur shënuesja më e mirë në edicionin 2011-’12. Ajo, ndër të tjera, vlerëson se së bashku me Arbrin i kanë bërë shumë krenarë prindërit e tyre. “Nëna dhe babai po ndjehen shumë mirë. Na thonë se: ‘jemi krenarë me ju që po luani për Shqipërinë’. Megjithatë, dua që ta sqaroj një gjë, unë dhe Arbëri më parë nuk është se kemi biseduar shumë për Kombëtaren. Më shumë kemi folur për Real Madridin dhe Barcelonën, ndërsa shpesh kemi diskutuar, pasi ai është me Realin dhe unë me Barçën, kurse tani çdo ditë vetëm për Shqipërinë jemi duke biseduar, tani nuk po zihemi (qesh)”, – shtoi 20-vjeçarja, e cila merret me futboll që nga mosha 8-vjeçare.
ArbriArbri – Për Arbnorën dhe Arbrin, deri më tani, nuk ka shfaqur interesim Federata e Futbollit të Suedisë. “Ne jemi shqiptarë edhe duhet të luajmë për flamurin tonë. T’ju them të drejtën nuk po na intereson Suedia. Dua të flas pak edhe për Kosovën. As Kosova nuk ka pyetur për ne. Por, nuk ka shumë rëndësi, pasi Kosova dhe Shqipëria janë një”, – theksoi Arbnora, ndërsa Arbëri (16 vjeç) shprehet i kënaqur që po ndjek rrugën e motrës së tij. “Më ka ardhur një ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit, të cilën e kam pranuar me shumë kënaqësi. Më së shumti në këtë rast është gëzuar Arbnora, e cila u ka dërguar mesazh shoqeve të saj për t’u treguar se unë do të luaj për Shqipërinë”, – theksoi Arbër Robeli, i cili luan për ekipin Halmstad U-17, teksa stërvitet me ekipin U-19. Ai është edhe kapiten i U-17-ës. Familja Robeli që nga viti 1992 jeton në Suedi. Asnjë anëtar tjetër i kësaj familjeje më parë nuk është marrë me sport. “Dua të bëhem si Lorik Cana. Ai është lojtari më i mirë shqiptar. Unë luaj si mbrojtës dhe një ditë mund të luaj ndoshta së bashku me të, nuk i dihet”, – u shpreh Arbëri.
Kombëtaret – Arbnore Robeli thotë se tifozi më i flaktë i saj është Arbri. “Gati në çdo ndeshje unë e shikoj Arbërin dhe të njëjtën gjë bën edhe ai, sigurisht kur luajmë në Suedi. Mirëpo, në ndeshjet me Kombëtaren nuk ka mundur të vijë, pasi kam qenë e angazhuar me ekipin. E ndjeja mungesën e tij, kur e paramendoja se nuk ishte në tribunë”. Sebep që vëlla e motër të luajnë për kuqezinjtë është bërë edhe përfaqësuesi i FSHF-së për Skandinavinë, Muhamet Sopi, i cili ka insistuar për afrimin e tyre te Shqipëria. Arbnora dhe Arbër Robeli thonë se nuk e marrin asnjë vendim pa u konsultuar më parë me njëri-tjetrin. “Arbri është më i ri, por unë për çdo gjë e pyes. Edhe ai konsultohet me mua, normal sa i përket futbollit (qesh)”, – përfundon Arbnoreja.

Prindërit: Krenarë për fëmijët tanë
Shyhrete dhe Musa Robeli nga Gjilani ndjehen krenarë me fëmijët e tyre, Arbnoren dhe Arbrin. Ata nuk kanë dëgjuar kurrë më parë se vëlla e motër aktivizohen për një Kombëtare. Fëmijët e tyre luajnë për Kombëtaret shqiptare. “Unë dhe Shyhretja ndjehemi shumë mirë, pasi fëmijët tanë po mbrojnë ngjyrat e flamurit tonë, – thotë Musa Robeli për ‘Sport Plus’. – Nora ka kohë që është bërë pjesë e kuqezinjve, teksa Arbëri pritet që shumë shpejt ta veshë fanellën e Shqipërisë U-19. Kështu që lum si ne, pasi që të dy fëmijët po ndjekin atë rrugë që ne kemi ëndërruar për ata”, – pohon ky i fundit.

Robeli, imazh i futbollit të femrave në Shqipëri
Futbolli i femrave në Shqipëri është relativisht i ri dhe Kombëtarja e saj kryesisht përbëhet nga lojtare të Kosovës dhe futbolliste që luajnë në Europë. Njëra ndër ato është edhe Arbnore Robeli, e cila është pikërisht imazhi i FSHF-së për të promovuar masivizimin e sportit më të popullarizuar ndër femrat shqiptare. Nëse kalon përpara stadiumit “Qemal Stafa”, është gati e pamundur që të mos vëresh një poster të madh, ku është pikërisht Arbnore Robeli. “Qëllimi është ai i ngjalljes së interesit dhe vëmendjes për këtë degë të re të futbollit, i cili me sa duket mbështetet në baza shumë të mira dhe premtuese për një të ardhme në rritje në Shqipëri. Deri më tani kemi këto rezultate: 250 vajza luajnë sot futboll në rang profesionist që prej vitit 2005; janë 8 klube shqiptare zyrtare me skuadra të femrave; Shqipëria ka 2 skuadra kombëtare të femrave; 12 vajza arbitrojnë ndeshjet e kampionatit të futbollit për femra”, – thuhet në moton e FSHF-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"