U rivesh kuqezi pas 8 vitesh, Vucaj: E doja këtë rikthim, refuzova disa oferta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2023 | 21:48

U rivesh kuqezi pas 8 vitesh, Vucaj: E doja këtë rikthim, refuzova disa oferta

Erjon Vucaj vishet zyrtarisht kuqezi. Shko drani kthehet në Vlorë pas 8 vitesh dhe me ide shumë të qartë.

Vucaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 32-vjeçari deklaron se është gati që të japë ndihmën e tij për të realizuar misionin “Superiore”. Ka ardhur me dëshirë të plotë, aq sa ka refuzuar oferta nga elita apo Kosova e Maqedonia.

Rivisheni kuqezi pas 8 vitesh. Si ndihet Vucaj?

Super, pasi kam ardhur me shumë dëshirë. Në fakt edhe herën e parë më ka shkuar në mendje rikthimi, por nuk janë pjekur kushtet. Atëherë ishte nivel tjetër, ndërsa tani është ndryshe. Shpresoj që të na shkojnë gjërat mbarë dhe arrijmë objektivat që ka klubi.

Kush ua bëri ofertën për të ardhur në Vlorë?

Ka qenë miks situatash që më sollën këtu. Ishin disa persona, ndërkohë që lidhjen e krijoi menaxheri im. Pastaj me presidentin Sinan Idrizi unë kam lidhje shumë miqësore. Të dy kemi respekt për njëritjetrin. Më vjen shumë mirë që do të jem pjesë e Flamurtarit.

E kishit menduar se do të ribashkoheshit një ditë me Flamurtarin?

Si shkuan gjërat nuk është se mendoja. Por në momentin që doli si opsion e prita me shumë optimizëm. E kisha opsionin e parë në kokë.

Po thoni se keni pasur edhe oferta të tjera?

Po, po, kam pasur disa oferta nga ekipet tona të Superiores. Gjithashtu më kanë telefonuar edhe nga Kosova dhe Maqedonia. Ishin mundësi të mira, por doja që të rikthehesha te Flamurtari.

Dhe çfarë ju joshi kaq shumë nga Flamurtari që i refuzuat?

Të them të drejtën Flamurtari më ka tërhequr shumë. Sa për Kosovën dhe Maqedoninë, largësia më stepi. Te Flamurtari kam një ambient të njohur. Nuk luaj në Superiore, por tashmë nuk ka më ndonjë ndryshim Kategoria e Parë. Është forcuar shumë.

Si e vlerësoni merkaton e deritanishme të klubit?

Janë lojtarë shumë cilësorë. Por duke parë edhe pjesën e stafit, trajnerëve, dhe atë çfarë kërkojnë ata, besoj se gjithçka më shumë bazohet te grupi sesa tek individi. Kështu që objektivat do të arrihen. Besoj se është bërë një merkato e mirë. Nuk më takon mua të flas për këtë pjesë, por ky është vlerësimi im.

Çfarë premtoni për Flamurtarin?

Premtoj më të mirën time dhe nëse çdo futbollist jep më të mirë e tij për klubin ku luan, natyrisht që objektivat arrihen. Secili duhet të japë maksimumin, unë dhe kushdo tjetër qoftë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"