Trajneri Nica e quajti lojtar me karakter të poshtër. Kukësi, Atdhe Rashiti ia hedh me gjobë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 15:18

Trajneri Nica e quajti lojtar me karakter të poshtër. Kukësi, Atdhe Rashiti ia hedh me gjobë

Kukësi mori një barazim me shumë sforco ndaj Skënderbeut të martën, pasi në pjesën e parë ishte në disavantazh të dy golave dhe arriti të rikuperojë gjithçka në të dytën. Një rezultat që ka vlera, edhe pse Kukësit i bëhen katër ndeshje radhazi që nuk po shkon dot tek fitorja. Megjithatë, kjo pikë u “sfumua” disi, nga përplasja e trajnerit Stavri Nica me sulmuesin Atdhe Rashiti.

Atdhe-Rashiti

Tekniku e zëvendësoi në pjesën e parë, për shkak të neglizhencës së lojtarit në lojë. Madje, tekniku vendosi ultimatum ose ai në skuadër ose sulmuesi.

VENDIMI I KLUBIT – Në një situatë të tillë “sikletin” më të madh e kishte klubi i Kukësit, sepse janë të rëndësishëm të dy, si trajneri Stavri Nica që gëzon besimin e plotë nga drejtuesit, ashtu edhe sulmuesi Atdhe Rashiti, që shihet një element i rëndësishëm në skuadër. Prandaj, përpos ultimatumit të Nicës për të mos e pasur në skuadër, duket se gjakrat janë ulur mes palëve. Megjithatë, burimet në klub pohojnë se ndaj Rashitit është marrë një masë ndëshkimore për mosimpenjimin e tij si duhet në ndeshjen e fundit. Masa nuk bëhet e ditur, por gjithsesi duket se klubi është munduar të mos rëndojë situatën mes palëve duke e zgjidhur me një masë ndëshkimore. Paraprakisht duket se edhe Nica nuk ka këmbëngulur për më shumë dhe sipas të gjitha mundësive kjo situatë është zgjidhur në këtë mënyrë dhe as Nica dhe as Rashiti nuk do të largohen nga skuadra.

OFERTAT – “Panorama Sport”mëson se ndaj Atdhe Rashitit janë në tavolinë disa oferta, me lojtarin që mund të largohet në merkaton e janarit dhe të mbushë arkat e klubit blu. Edhe më herët ndaj tij nuk ka munguar interesimi në merkato, por në fund nuk ka lëvizur dhe ka vijuar aventurën me klubi. Në fakt, ka qenë i privuar disi edhe nga fati i keq, sepse dëmtimet nuk po e lënë të qetë, ku shumë ndeshje këtë sezon nuk i ka zhvilluar dot. Megjithatë, cilësitë e tij nuk vihen në diskutim dhe ndoshta në janar do të vijë ndarja me Kukësin, por në këmbim klubi do të fusë disa të ardhura në xhep. 24-vjeçari është aktivizuar në nëntë ndeshje këtë sezon dhe ka gjetur rrugën e rrjetës vetëm një herë, duke i dhënë fitoren ndaj Vllaznisë. Kjo është edhe fitorja e fundit që ka marrë Kukësi në kampionat.

Çfarë tha trajneri Nica për Rashitin pas ndeshjes me Skënderbeun

“Është e thjesht fare. Në pjesën e parë dola nga funksioni si trajner, duke pasur lojtar me karakter të poshtër siç është Rashiti, sigurisht që dëmton imazhin e skuadrës. Futet me ekip të luaj dhe tallet. Gjithsesi, do të flas me klubin të vendosi për këta lojtarë që në karakter janë me oshilacione dhe të marrë masat. Të jenë në skuadër ata lojtar që i përgjigjen skuadrës dhe kërkesave të lojës. Këta po na dëmtojnë shumë. Nuk e di sesi do të veprojë klubi. Unë nuk mund të rri trajner me lojtarë të tillë”, tha trajneri Nica pas ndeshjes.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"