Trajneri i Orikut e quan detyrim mbijetesën, bomberi i Butrintit: Në Sarandë kthehemi si ekip i… Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2021 | 13:21

Trajneri i Orikut e quan detyrim mbijetesën, bomberi i Butrintit: Në Sarandë kthehemi si ekip i… Kategorisë së Parë

Në Orikum e quajnë detyrim qëndrimin në Kategorinë e Parë. Vërtet nuk shpëtuan dot direkt pas një kampionati të tërë, por rënien as që e mendojnë. Mbijetesa për ta kalon nga Butrinti, me të cilin do të masin sot në orën 16:00 në “Selman Stërmasi”.

oriku

Bregdetarët prej javësh po përgatiten për këtë duel dhe duken më shumë se të sigurt për fitoren. Stafi teknik i ka marrë që të gjitha masat për ta kaluar këtë 90-minutësh. Prova kanë bërë edhe për penalltitë, pasi nuk duan që t’i lënë asgjë rastësisë. Artan Sakaj kërkon vlerësim maksimal të kundërshtarit, pasi e ka të qartë se me çfarë morali dhe karikimi vijnë sarandjotët në këtë “play out”. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri tha: “Me Butrintin kemi një finale për të luajtur dhe fituar. Duhet të bëjmë detyrën dhe shpëtojmë sezonin. Këto janë ndeshje që kërkojnë kujdes maksimal, pasi skuadrat inferiore vijnë më të karikuara se kurrë. Kështu që, ne nuk na lejohet nënvlerësimi. Përkundrazi, luajmë të motivuar për të bërë punën tonë dhe për të dhënë maksimumin e për ta kaluar me sukses këtë duel. Luajmë në kryeqytet, por kjo për ne nuk përbën asnjë problem. Do të shkojmë për të bërë detyrën dhe festuar qëndrimin”.

Butrinti u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe është gati për ndeshjen e fundit “play off”. Këtë herë do të sfidojë Orikun dhe finalja luhet në “Selman Stërmasi”. Sarandjotët nuk kanë në plan që të hedhin në “erë” mundin e një sezoni të tërë, ndaj në fushë do të zbresin vetëm për fitoren dhe rrjedhimisht ngjitjen në Kategorinë e Parë. I këtij mendimi është edhe Xhuljano Mirani, “heroi” i fitores së fundit me Labërinë. “Bomberi” u premton tifozëve se në qytet do të kthehen me misionin e realizuar.

“Butrinti i drejtuar nga një legjendë si Miltjadh Gurma, nuk është rastësisht në këto nivele. Pas një sezoni të suksesshëm u renditëm të dytët dhe sot jemi një ndeshje larg Kategorisë së Parë. Që në nisje të kampionatit kishim vetëm një qëllim: Ngjitjen. I premtojmë qytetit të Sarandës, se me besimin që kemi krijuar në ekip do ta fitojmë duelin e tretë të “play off”-it. Fitorja është detyrim për fanellën. E respektojmë ekipin e Orikumit, por sot kalojmë ne. Personalisht ndihem i vlerësuar te Butrinti. Saranda është qytet futbolldashës dhe mbi të gjitha me kulturë sportive. Shënoj apo jo, pak rëndësi ka. Ajo që do më përmbushte mua dhe këdo, është vetëm fitorja dhe realizimi i ëndrrës”, tha për gazetën autori i 10 golave.

ERMAL SIKA/ TOMOR SHEHU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"