Trajneri i Lushnjës sheh vetëm trepikëshin në Luz, Magani: Fitojmë, “stop” gabimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2024 | 9:16

Trajneri i Lushnjës sheh vetëm trepikëshin në Luz, Magani: Fitojmë, “stop” gabimeve

Gugash Magani u thotë “stop” gabimeve. Pret vetëm autokritikë, pas atij barazimi 2-2 kundër Tomorin në kampionat dhe humbjes në kupë me Egnatian. Kalendari i çon në transfetë këtë të diel dhe vështirësia dihet, e megjithatë trajneri beson fort te reagimi i verdhejeshilëve. Gjatë prononcimit të dhënë enkas për “Panorama Sport”, peqinasi nuk i kursen as elozhet për kundërshtarin.

magani

E megjithatë, qartëson objektivin e Lushnjës së tij. Me garën që po ashpërsohet në këtë fazë, ai pret vetëm maksimumin e pikëve. “Gjendja ka qenë pak e rënduar për ne, kjo si pasojë e rezultatit jo të mirë që morëm në nisje të këtij viti. Megjithatë, gjërat i kapëm shpejt. E gjithë skuadra ka bërë autokritikë. Edhe ne kemi bërë gabimet tona në atë ndeshje. Hapa të tillë fals nuk lejohen më. Kemi një ndeshje të radhës, me një kundërshtar që luan me shumë dëshirë.

Unë i kam ndjekur kundër Vorës. Kishin vërtetë kualitete. Kështu që mendoj se duhet shumë punë, që ta kalojmë. Kështu do të jenë në fakt që të gjitha ndeshjet, sidomos kur qëllimi është marrja e pikëve të plota. Luzi 2008 ka një ekip simpatik, por shpresojmë të jetë një terren i mirë. Ne kemi objektivat tona dhe për të shkuar të sigurt, duhet të kthehemi me duart plot në Lushnjë”, deklaroi Magani, që lakmon zonën “play off”.

Lushnja ndodhet në vendin e shtatë me 19 pikë momentalisht dhe ka shanse që të arrijë misionin. Vetëm katër pikë larg janë, ndaj situatën mund ta kthejnë në favor. Pritet që të dielën grupi të mos ketë mungesa, e megjithatë gjithçka do të sqarohet sot, kur është programuar stërvitja e fundit para javës së 18-të.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"