Trajneri i kënaqur me ekipin, ndërprerjen e quan disfavor. Magani: Na mungojnë pikët, ja objektivi i Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 23:17

Trajneri i kënaqur me ekipin, ndërprerjen e quan disfavor. Magani: Na mungojnë pikët, ja objektivi i Lushnjës

Lushnjarët barazuan në Vlorë me Flamurtarin duke treguar se janë në gjendje të marrim pikë edhe në fushën e pretendentëve, siç janë kuqezinjtë e vendit të tretë. Ishte barazimi i dytë radhazi për verdhejeshilët, që për trajnerin e Lushnjës, Gugash Magani, janë pikë të lëna.

ruco magani lushnja

Skuadra lushnjare do të luftojë deri në fund për të kapur zonën “play-off”, por me vëmendjen e duhur ndaj zonës së poshtme. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” trajneri peqinas pohoi se e kënaq paraqitja e skuadrës, por i mungojnë pikët. “Në dy ndeshjet e fundit lamë nga dy pikë për secilën përballje. Të jem i sinqertë, kundër Apolonisë nuk duhej të ndodhte ashtu, por ky është futbolli dhe lamë dy pikë. Ashtu siç shkoi edhe pjesa e fundit e lojës me Flamurtarin, edhe mund të kishim fituar.

Megjithatë, më kënaq paraqitja e skuadrës, por të jem i sinqertë mungojnë pikët. Pra, skuadra nuk meriton kaq pikë edhe pse ne i kemi bërë një nisje shumë të keqe të kampionatit, për disa arsye. Ne kemi gabimet tona pa diskutim. Do të thosha, që kjo periudhë ne nuk na bëri mirë sepse ne ishim në një moment të sinkronizuar si skuadër. Pra, skuadra ishte në formën që ne kërkonim. Megjithatë, pushimi te disa bën mirë te disa ndryshe. Ne nuk na ka bërë mirë. Kemi shumë pak dëmtime në këtë moment, por sa i përket kalendarit edhe ne pa diskutim do t’i bindemi, sepse jemi pjesë e garës”, u shpreh Magani.

Objektivi- Për sa i përket objektivit trajneri u shpreh: “Është një fund kampionati shumë i vështirë për objektivat që ne kemi. Patëm objektiv “play off”-in, që nuk është i pamundur. Matematika na lejon të luftojmë deri në fund, por në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh që edhe zona e poshtme është shumë e rrezikshme dhe do të jemi shumë të kujdesshëm. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të japim më të mirën në fushë”.

Situata dhe Vora- Trajneri 59-vjeçar konfirmoi se nuk ka dëmtime që mund ta penalizojnë grupin. “Andoni ka marrë një goditje para dy-tri javësh dhe ka luajtur edhe i dëmtuar. Disha është futur me grupin dhe mendoj që shumë shpejt do të jetë në skuadër. Ruçon e kemi spostuar në një pozicion jo natyral, por duke pasur parasysh eksperiencën e tij, e kam futur në qendër të mbrojtjes. Nëse do të vazhdojë me këtë paraqitje mendoj se ai mund ta shtyjë karrierën e vet edhe me 3-4 vite të tjera, sepse është shumë serioz”, tha Magani.

Lushnja ka katër javë që nuk fiton dhe ka regjistruar dy barazime dhe dy humbje. Fitorja e fundit i përket javës së 21-të, kur lushnjarët mundnin 2-1 Vorën në “Roza Haxhiu”. Të enjten e ardhshme do të ndeshjen sërish ndaj vorakëve. “Në dy ndeshjet radhazi që luajtëm në Peshkopi, në njërën nuk e meritonim humbjen. Ndërsa në ndeshjen tjetër patëm frikë, frikë sportive. Pra, patëm frikë të fitonim. Mendoj që nuk na bën mirë nga ana psikologjike. Megjithatë, punuam fort që të rrisnim adrenalinën në skuadër dhe bëmë një ndeshje të mirë me Apoloninë. Edhe me Flamurtarin luajtëm mirë. Tani kemi një ndeshje të rëndësishme me Vorën, një skuadër që e ka siguruar “play off”-in dhe që vjen pa presion. Ndërsa ne kemi presionin e pikëve”, deklaroi tekniku i lushnjarëve Gugash Magani.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"