Tomori “blindon” sulmin, firmos kroati Vrucina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2012 | 13:46

Tomori “blindon” sulmin, firmos kroati Vrucina

Drejtuesit e Tomorit kanë bërë goditjen e radhës në merkato. Fjala është për kroatin Jurika Vrucina. Gazeta “Panorama Sport” paralajmëroi një ditë më parë për kontaktet e para mes drejtuesve beratas dhe sulmuesit, ndërsa sot Vrucina ka qenë në Ersekë, ku ka hedhur firmën mbi kontratë për të qenë pjesë e kësaj skuadre për edicionin e ardhshëm. Sulmuesi kroat erdhi për të zhvilluar një provë me skuadrën e Kastriotit, ku luajti edhe në dy ndeshje miqësore kundër Skënderbeut dhe Pogradecit, duke shënuar edhe gola. Por në fund, ai nuk arriti një akord me drejtuesit krutanë. Paraqitja e tij ra në sy të teknikut të Tomorit, Kristaq Mile, i cili ishte në kërkim të një tjetër sulmuesi për të plotësuar organikën e tij. Dhe menjëherë ai nisi kontaktet me lojtarin në fjalë, duke e bindur të veshë fanellën e Tomorit për sezonin e ri. Sulmuesi shtatlartë do të sjellë një tjetër risi në sulmin e beratasve. Në karrierën e tij Vrucina ka luajtur me skuadrat e Medimurje dhe Slaven Belupo, ndërsa sezonin e fundit 23-vjeçari ka qenë pjesë e skuadrës së Podravinës në Ligën e Dytë kroate. Ai ka luajtur 27 ndeshje, duke shënuar 13 gola. Ndërkohë, në grumbullim me Tomorin vazhdon të qëndrojë edhe shqiptari nga Kroacia, Pllumb Jusufi, i cili pritet që në sfidën e radhës miqësore kundër Shkumbinit në Peqin të jetë nën vëzhgimin e teknikut Mile, nga ku do të vendoset përfundimisht edhe për firmën e tij. Jusufi sezonin e fundit ka luajtur në Çeki, ndërkohë që eksperiencat e tij të mëparshme kanë qenë në kampionatin kroat dhe atë shqiptar. Nëse arrihet një marrëveshje me Jusufin, pritet të shihet nëse Tomori do ta mbyllë apo jo merkaton me këtë blerje.

Test në Peqin
Beratasit do t’i japin sot fund fazës përgatitore në kampingun e ngritur në Ersekë. Mirëpo, përpara kthimit në Berat, ata do të zhvillojnë një tjetër takim miqësor, teksa do të përballen sot ndaj Shkumbinit në orën 17:30. Ky nuk do të jetë testi i vetëm, ndërsa mësohet se përpara startit të kampionatit djemtë e Miles do të zhvillojnë edhe një tjetër miqësore ndaj Naftëtarit. Numri një i pankinës do të ketë mundësi të shohë edhe njëherë nga afër firmën e lojtarëve, për të përcaktuar më pas 11-shen bazë.
Elton Çela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"