Tomori humbet Vrucinën, gjashtë muaj jashtë fushave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2012 | 13:46

Tomori humbet Vrucinën, gjashtë muaj jashtë fushave

Aspak me fat ka qenë eksperienca e parë në Superioren shqiptare për kroatin e Tomorit, Jurika Vrucina. Ai erdh në Shqipëri pas kërkesës së Kastriotit, por pasi nuk arriti akordin me drejtuesit krutanë ishte tekniku Kristaq Mile ai që e rekrutoi si pjesë të skuadrës së tij. Vrucina ishte një nga blerjet e fundit të merkatos së beratasve, i cili bëri një prezantim dinjitoz me këtë fanellë, duke shënuar dy gola në miqësoren me Naftëtarin. Pas kësaj sfide ai fitoi menjëherë zemrat e tifozërisë. Vetë Vrucina në pragstartin e kampionatit u shpreh se ishte i dashuruar me këtë qytet, madje pritej që këto ditë në Berat të sillte edhe familjen e tij. Mirëpo tani, përveç paraqitjes aspak të mirë të skuadrës dhe mungesës së golave prej saj, kroati i duhet t’i bëjë llogaritë edhe me një dëmtim shumë të rëndë që pësoi në transfertën krutane. Në momentet e para u dyshua se mund të kishte një problem në menisk ose në ligament, por rezonanca magnetike e bërë ditën e sotme (dje) në Tiranë ka treguar se Jurika Vrucina ka pësuar një thyerje në ligamentin krocial të këmbës. Kroati, i cili për momentin ka probleme edhe për të ecur, pasi është parë të lëvizë me paterica, shumë shpejt do të niset drejt Kroacisë për t’iu nënshtruar një kontrolli të dytë. Dhe nëse rezultatet do të dalin të njëjta me ato në Tiranë, atëherë sulmuesit do t’i duhet të bëjë një ndërhyrje kirurgjikale atje, duke shpresuar në një ndërhyrje më të specializuar. Nga konstatimet e para pritet që Vrucina të qëndrojë për rreth gjashtë muaj larg fushave, çka do të thotë se pritet të kthehet në fushë për Tomorin në muajin shkurt. Ky pritet të jetë një problem më shumë për beratasit, pasi forcat në sulm do të bien, aq më tepër në momentin që Tomori ende nuk ka gjetur golin e parë në kampionat. “Më duhet të shkoj në Kroaci pas dëmtimit që kam pësuar për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, me shpresën që të kthehem sa më shpejt në fushë e ta ndihmoj Tomorin edhe më i fortë se më parë”, – ka thënë Vrucina.

Ndeshja
Beratasit i kanë fokusuar përgatitjet te sfida e fundjavës kundër Skënderbeut. Ndërkaq, në ndeshjen e nesërme (sot) për Kupën e Shqipërisë ndaj Adës, tekniku Mile pritet të luajë me futbollistët që janë provuar më pak deri më tani. Ndaj në stërvitjen e djeshme Mile i ndau të tijtë në dy grupe. Skuadra që do të niset nesër drejt Velipojës ka qëndruar më pak në fushë, ndërsa pjesa e titullarëve kanë vijuar përgatitjet edhe më gjatë.
Elton Çela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"