Titulli, Elbasani në duart e një “gardiani” 18-vjeçar. Totoshi: Ngjitemi në Superiore si kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 12:00

Titulli, Elbasani në duart e një “gardiani” 18-vjeçar. Totoshi: Ngjitemi në Superiore si kampionë

Klevi Totoshi, është më i riu në ekipin e mbushur me lojtarë me eksperiencë këtë sezon tek Elbasani. Edhe pse vetëm 18 vjeç, ia ka dalë të fitojë besimin për një fanellë titullari në portë dhe për mbajtur mbi supe shumë përgjegjësi.

totoshi

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, portieri elbasanas i gëzohet tri pikëve që ekipi mori në Peshkopi, duke ditur që ishte një sfidë delikate. Ai kërkon që të vijohet me këtë ecuri edhe në ndeshjen me Apoloninë. “Në Peshkopi ishte një ndeshje me peshë dhe një pengesë që duhej kaluar. Për fat të mirë ia dolëm me sukses, duke mbajtur vendin e parë në klasifikim. Tani nga ne kërkohet që ta ruajmë këtë ecuri pozitive deri në fund dhe të njëjtën gjë do të tentojmë edhe me Apoloninë këtë fundjavë në fushën tonë”, u shpreh fillimisht “gardiani” i skuadrës së Elbasanit.

MUNGESA E TIFOZËVE – Ashtu si të gjithë në Elbasan, edhe Totoshi po e vuan pjesën që mund të mos i kenë në stadium tifozët në përballjen me fierakët, kur kanë shansin për të siguruar matematikisht ngjitjen në Superiore. Ai ka shpresa se mund të bëhet diçka, pasi i sheh si një motivim për të ecur përpara. “Të vjen keq që tifozët mund të mos jenë në këtë ndeshje, sepse ne jemi mësuar që t’i kemi gjithnjë pranë. Për më tepër, kemi edhe shanset për ta siguruar matematikisht ngjitjen dhe do donim t’i kishim aty me ne.

Shpresojmë që klubi të bëjë diçka në këtë aspekt për t’i rikthyer sa më shpejt në stadium. Ata janë motivimi ynë dhe na shtyjnë për të bërë gjëra sa më të mira në një ndeshje”, vijoi më tej 18-vjeçari i Elbasanit. Siç dihet, klubi i Elbasanit e ka apeluar këtë vendim të Komisionit të Disiplinës, që dënoi verdheblutë me katër ndeshje pa praninë e spektatorëve.

TITULLI – Nëse Superiorja mund të sigurohet që këtë fundjavë, për titullin Elbasani duhet të presë pak. Dy pikët diferencë me Bylisin nuk mjaftojnë për të nisur një festë para kohe, gjithsesi Totoshi ka besim se nuk do ta lëshojnë më këtë pozicion. “Besoj se do ia dalim në fund të jemi kampionë dhe të festojmë. Ne do të japim maksimumin në të gjitha ndeshjet që kanë mbetur dhe i kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë ta sjellim titullin në Elbasan”, u shpreh portieri elbasanas, i cili për të dytin sezon radhazi luan titullar në ekipin e mbushur me “yje”.

GRUPI – Me Apoloninë pritet që të jenë të gatshëm të gjithë lojtarët e Elbasanit, pasi nuk ka asnjë të ndëshkuar me kartonë. Për fat të mirë për momentin nuk raportohen as lojtarë të dëmtuar, ku shqetësimi i vetëm është Bruno Telushi. Kundër Korabit ai mungoi për arsye kartonësh, por ndiente edhe një shqetësim. Aktualisht është bashkuar me ekipin në stërvitje dhe deri ditën e ndeshjes shpresohet të jetë plotësisht gati.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"