Tifozët “dogjën” Elbasanin, por u përgjumën drejt Korçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2015 | 16:48

Tifozët “dogjën” Elbasanin, por u përgjumën drejt Korçës

mandoMë shumë se 5000 tifozë nga Korça pushtuan stadiumin “Elbasan Arena” dhe rrugët përreth tij. Me mbylljen e takimit mes Milsamit dhe Skënderbeut, që u ka hapur rrugën korçarëve për përfaqësimin në grupet e Ligës së Europës, tifozët dolën duke kënduar nga stadiumi kuqezi. Kënga jehonte dhe dëgjohej anë e mbanë. Që prej daljes nga stadiumi, programi ishte i qartë. Tifozët e Skënderbeut kanë pushtuar sheshin para stadiumit, ku kanë “ndezur” Elbasanin me flakadanë, drita dhe himnin e ekipit, por edhe me kore të tjera. Ashtu të organizuar sikundër shkuan në Elbasan, edhe u kthyen në Korçë. Vargu i karvanit të autobusëve ishte i gjatë (shkonte rreth 3 kilometra), teksa boritë e makinave, këngët, por edhe flakadanët e flamujt shoqëruan tifozët gjatë gjithë rrugëtimit të tyre. Ora kalonte pa u kuptuar dhe, pak nga pak, tifozët po i afroheshin Korçës, ku, si për çudi, boritë sa vinin e pakësoheshin. Lodhja kishte pushtuar të gjithë, saqë mezi prisnin të mbërrinin në shtëpi. U anulua kështu edhe dalja në qytet. Pasi autobusët mbërritën te sheshi para stadiumit, tifozët u drejtuan për në shtëpitë e tyre. Megjithatë, Korça e përgjumur, u zgjua herët në mëngjes. Kudo flitej për kualifikimin, për historinë, teksa nuk ishin të pakët edhe ata që mezi prisnin shortin e sotëm. Ka plot tifozë që kërkojnë një përballje me Sëlltikun apo Dinamon e Zagrebit. Por, sigurisht, më të shumtët duan si kundërshtar BATE Borisovin dhe APOEL-in, teksa askush nuk përmend emrin e Bazelit. Korçarët i tremben Gashit dhe Xhakës, duke i kërkuar fatit që të shmangë një përballje me kampionët zviceranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"