Teuta udhëhiqet nga “ekspertët”, nga pankina në fushë kanë fituar 26 tituj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2018 | 16:25

Teuta udhëhiqet nga “ekspertët”, nga pankina në fushë kanë fituar 26 tituj

Dhjetë javë pathyeshmëri dhe Teuta zyrtarisht është futur në garë për titull. Me 7 fitore dhe 3 barazime, e shohin veten në vendin e dytë me 4 pikë më pak se Partizani. Edhe pse në historinë e klubit vetëm një herë e kanë shijuar këtë trofe (24 vite më parë), duhet thënë se këtë sezon kanë një “bonus” të madh në krah… kanë ekspertë në formacion dhe pankinë.

Shkembi

Po të shohësh protagonistët në fushë dhe staf, vërteton se në total kanë 26 tituj kampionë. Edhe pse kanë organikë të gjerë, Bledi Shkëmbi “rrotullohet” te 19 lojtarë për të ndërtuar 11-shen dhe në 17 ndeshje i vetmi titullar i padiskutueshëm është portieri Isli Hidi. Në “skanerin” e bërë nga gazeta për 1530 minutat e luajtura, kupton se me të verdhët nuk kanë raporte të mira dhe janë sulmi më i mirë i kampionatit.

– E fundit humbje për Teutën përkon me 50 ditë përpara. Më 3 tetor 2018 thyheshin 3-0 nga Partizani në kryeqytet.

-Isli Hidi është kampioni e minutave në Durrës. Në 17 javë s’ka humbur asnjë sekondë, ndërsa në total numëron 1530’ në fushë. Sakaq, lojtari që ka luajtur më pak është Edison Ndreca me vetëm 141 minuta.

-Lojtarët që nuk kanë humbur asnjë takim në këto 17 javë dhe janë titullarë të padiskutueshëm, veç Hidit, janë edhe Gjorgievski (1450 minuta) me Latif (1396 minuta).

-Teuta ka organikë të gjerë, megjithatë formacioni i Bledi Shkëmbit bazohet vetëm te 19 lojtarë.

-Gjashtë të huaj ka në ekip Teuta këtë vit, por vetëm 4 prej tyre kanë statusin e “ekstrakomunitarëve” në fushë, konkretisht: Latif, Sidibe, Kamara, Traore. Gjorgievski dhe Celeski, edhe pse nuk janë shqiptarë, falë pasaportës maqedonase llogariten si komunitarë.

-Uendi Vecaj e ka nisur 8 herë nga stoli këtë sezon, duke qenë gjithnjë alternativa e parë e stafit teknik në ndërrime. Edhe Ron Gashi gjithashtu futet shpesh si zëvendësues.

-Florent Avdyli është lojtari që e nis shpesh si titullar, por nuk e mbyll dot 90-minutëshin. Në 17 javë, 9 herë e ka lënë fushën e lojës. Po ashtu, Kallaku është në të njëjtin ritëm, por me një ndeshje më pak.

-Teuta ka sulmin më të mirë të kampionatit. Ka realizuar 23 gola (3 më shumë se Skënderbeu i vendit të 4-t) deri më tani dhe në total ka vetëm 8 lojtarë që shënojnë. Latif mbetet kryegolashënues edhe i Superiores (me 9 rrjeta), pas tij vijnë Progni, Bicaj (me nga 4 dhe 3). Nga dy herë kanë shënuar Kamara dhe Kallaku, ndërsa emrin në listën e shënuesve e kanë vendosur edhe Vecaj, Gashi dhe Beqja.

-31 kartonë të verdhë numëron Teuta në 17 javë. Beqja dhe Bicaj nga 4, rrezikojnë Sidibe, Progni, Avdyli, Hakaj. Me të kuq, pas dy të verdhëve, kanë dalë Sidibe dhe Beqja.

-Isli Hidi është “veterani” i durrsakëve. Është 38 vjeç, paçka se në fushë dëshmon se po kalon një rini të dytë. Më i vogli është Geris Neziri, vetëm 17 vjeç. Edhe pse nuk ka marrë minuta ende, është i grumbulluar dy herë prej stafit teknik.

-Teuta del e çakorduar nga dhomat e zhveshjes. Në 17 javë ka vetëm një gol në këtë hark kohor, megjithatë nga e 60-ta minutë e deri në të 90- ën ndezin “motorët” dhe shpërthejnë në gola dhe deri më tani numërojnë 13 rrjeta.

-Teuta është më efektive në transferta. Në shtëpi kanë realizuar vetëm 9 gola, ndërsa jashtë fushe kanë 14. Vetëm në 4 takime në total nuk kanë shënuar dot. Sakaq, në 9 të tjera e kanë ruajtur portën e paprekur dhe kjo për meritë të prapavijës.

-Teuta ka plot 24 vite që nuk fiton një titull. E fundit herë që janë shpallur kampionë është në sezonin 1994-1995 dhe që prej asaj kohe nuk ia kanë dalë më. Megjithatë , këtë vit kanë në stol dhe fushë “ekspertë” titujsh. Hidi ka 6 tituj me Tiranën; Bicaj ka fituar 5 (1 Dinamo dhe 4 Skënderbeu); Osmani 4 (1 Tirana dhe 3 Skënderbeu) dhe Gerhard Progni 1 (Skënderbeu). Ndërkohë, vetëm stafi teknik ka 10 tituj kampionë, 6 prej të cilëve i ka Shkëmbi në kohën kur ishte futbollist te 6 Skënderbeu dhe 4 Vrapi (Elbasani 1 dhe 3 Skënderbeu). Pra, në total janë 26 tituj kampionë në Kategorinë Superiore.

Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"