Teuta mund Besën dhe merr Papën nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2017 | 10:42

Teuta mund Besën dhe merr Papën nga Tirana

Besa dhe Teuta e kanë nisur vitin 2017 në një përballje miqësore të zhvilluar dje në stadiumin e qytetit të Kavajës. Takimi është fituar me rezultatin 3-1 nga ekipi i trajnerit Gugash Magani, i cili ka nisur të pasurojë grupin. Ish-sulmuesi i Tiranës, Enriko Papa, është bërë pjesë e Teutës dhe menjëherë e ka gjetur golin. Përpos Papës, me durrsakët u aktivizua edhe mbrojtësi Toska i Laçit.

teuta stervitje

Por, mësohet se Teuta ka arritur të sigurojë edhe shërbimet e mbrojtësit të Partizanit, Fabio Hasa. Trajneri Magani nxori në fushë një Teutë me formacion të rregullt, ndërsa Besa nga ana e saj e nisi takimin me lojtarët e rij. Në formacionin kavajas u aktivizuan për herë të parë Kullolli, Hyka dhe Shytërmeja, krahas të rinjve vendas. Këto diferenca u panë qartësisht në fushë, teksa miqtë tregojnë më shumë vlera e rrezikshmëri.

besa teuta

Pavarësisht kësaj, durrsakët gjetën golin vetëm në fundin e pjesës së parë me Ribajn, i cili shënon në minutën e 41- të. Me nisjen e 45 minutave të dyta, trajneri i Besës, Julian Ahmataj, aktivizoi lojtarët titullarë, por që nuk ndryshuan dot asgjë përballë “djemve të detit”. Artur Magani do të dyfishonte shifrat për Teutën në minutën e 60-të, gol i cili i nxiti vendasit të reagonin më me forcë.

Në minutën e 67-të Hasalliu shënoi një eurogol me një gjuajtje në hyrje të zonës. Vetëm kaq për kavajasit, pasi edhe rezervat e miqve qëndronin më lart. Përforcimi i fundit i Teutës, Papa, do të mbyllte çdo shpresë të Besës për të barazuar, teksa shënoi në minutën e 84-t. Përtej miqësores, kavajasit dëshmuan edhe një herë se kanë nevoja urgjente për përforcime në të tria repartet, kryesisht në sulm.

FERIZ FERIZAJ / JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"