“Teuta ka shans për histori”, rrëfehet Sebino Plaku: Shpresoj që presidenti të jetë i kujdesshëm, pasi ka një…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2021 | 20:24

“Teuta ka shans për histori”, rrëfehet Sebino Plaku: Shpresoj që presidenti të jetë i kujdesshëm, pasi ka një…

Sulmuesi i Teutës, Sebino Plaku, ndihet i lumtur që skuadra e tij ia doli të fitonte titullin kampion. Për “Panorama Sport” ai analizon sezonin, ndërsa flet edhe për vazhdimësinë e tij me Teutën.

Plaku Sebino

Plaku mendon se Teuta i ka të gjitha mundësitë që të bëjë historinë e saj në Champions. 36-vjeçari e ka kaluar dëmtimin problematik dhe është gati për të ndihmuar ekipin në sezonin e ri.

Sebino, erdhët në janar te Teuta dhe në fund u shpallët kampionë, madje e mbyllët me gol. Si kanë qenë këta muaj për ju në Durrës?

Edhe pse erdha në janar, dëshira ime ka qenë të vija që në verë, por kishte qenë e shkruar të shkonte kështu. Ishte shumë e bukur, pasi erdha në një moment që ekipit iu shtua përgjegjësia për objektivat. Qëllimi im ishte të arrinim sukses dhe deshi Zoti u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme.

Çfarë menduat kur humbët ndaj Partizanit?

Sfida me Partizanin ishte nga ato ndeshjet ku ti pret të bësh hapin e sigurt drejt titullit, por ndaj futbolli është aq i bukur, saqë nuk të lë të planifikosh asgjë, qoftë edhe brenda një 90- minutëshi. Ajo ndeshje mbahet mend më shumë, sepse mentaliteti i kampionit krijohet në këto situata. Duhet ta kthesh gjithë zhgënjimin në forcë.

Cili ka qenë sekreti i kësaj Teute?

Në një sport që s’ka formula fituese, gjërat nuk janë sekrete, pasi suksesi është një kompleks i tërë. Te Teuta ishin disa komponentë që na dërguan te suksesi. Ambienti i qetë për t’u shprehur, lojtarët, grupi i shëndoshë në të gjitha marrëdhëniet me njëri-tjetrin, financat e rregullta, kushtet e mira stërvitore. Si këto e shumë të tjera ishin detaje shumë të rëndësishme për të arritur suksesin.

Pse ekipi ka shënuar pak gola, çfarë ka ndikuar sipas jush?

Mendoj se ekipi ka shënuar pak nga sistemi i lojës në vetvete. Linja e sulmit, por edhe mesfusha konsumohen shumë në fazën mbrojtëse dhe kjo i bën që të mos kenë freskinë e duhur në fazën ofensive. Gjithsesi, ky sitëm u vlerësua në fund me fitimin e titullit kampion, por që kishte kosto për shifrat e golave të shënuar.

Nuk keni luajtur rregullisht. Keni ndonjë keqardhje?

Normal që erdha për të kontribuar me aktivizimin tim në fushë, por edhe jashtë saj. Jam munduar të bëj gjithçka munda, vetëm që Teuta të kishte sukses. Nuk duhet të harrojmë se me aq shumë ngjarje sa ndodhën tek unë nga janari e këtej, jam i lumtur që kam kontribuar aq sa mundesha me ato pak minuta që më janë ofruar.

Sebino Plaku

Prisni që drejtuesit t’ju japin besim edhe për sezonin tjetër?

Kam kontratë me Teutën edhe për 6 muajt e ardhshëm dhe mendoj se sezoni i ri do të jetë një “kismet” i ri për secilin nga ne.

A mund të bëjë Teuta atë që bëri Skënderbeu në Kupat e Europës?

Mendoj se Teuta e ka shansin e madh për të bërë këtë, por duhet shumë kujdes që të mos biem në grackën e shumë ekipeve që kanë dalë kampion dhe kanë bërë ndryshime të mëdha. Shpresoj që presidenti ynë të jetë i kujdesshëm, ashtu siç edhe karakterizohet ai, pasi tani ka një mundësi të madhe në dorë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"