Teuta e re bind në provën e parë, lojë dhe tri pikë përballë Luftëtarit (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2017 | 20:04

Teuta e re bind në provën e parë, lojë dhe tri pikë përballë Luftëtarit (Video)

Skuadra e Teutës ka konfirmuar pretendimet e saj me një fitore 2-1 në shtëpi përballë Luftëtarit. Ky nuk ishte një sukses i siguruar lehtësisht nga “djemtë e detit”, të cilëve ua thjeshtësuan punën kundërshtarët me kartonin e kuq të Nunjez dhe penalltinë e shkaktuar nga Zeqaj.

teuta

Por gjithsesi Teuta tregoi se dëshironte të luante futboll, duke bërë kombinime të bukura para portës kundërshtare. Durrsakët vuajtën disi finalizimin në pjesën e parë, por ishin më të rrezikshëm në të të dytën, sidomos pas hyrjes në fushë të Osemene.

Nga ana tjetër, Luftëtari nuk mund të gjykohet plotësisht pas kësaj prove të parë, sepse kartoni i Nunjez ndryshoi ndeshjen dhe ua bëri më të lehtë kundërshtarëve që t’u krijonin probleme.

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja me suksesin 2-1 të Teutës ndaj Luftëtarit.

90’+4’ Aksione nga të dy krahët por edhe faulle dhe sjellje josportive nga lojtarët e të dy ekipeve. Dosti përfundon në bllokun e shënimeve të Hamitit.

90′ Jepen katër minuta shtesë.

87’ Bregu i jep një pasim Abazajt i cili shmang Sykajn dhe pastaj mposht Kastratin me një diagonale të saktë. Kthehet shpejt në lojë Luftëtari. 2-1

85’ Dosti bën çfarë të dojë në krahun e tij, dhe pasi shmang Rapën, jep një asist perfekt për Shehajn i cili me kokë nuk e ka të vështirë të dyfishojë shifrat. 2-0 për Teutën.

81’ Tjetër goditje dënimi dhe tjetër rrezik në zonën e Luftëtarit. Këtë radhë është Çyrbja që nuk arrin të devijojë drejt rrjetë, me sferën që përfundon jashtë.

78’ Abazaj dhe Beqiri nuk kuptohen njëri me tjetrin dhe shpërdorojnë një mundësi të mirë për të rrezikuar portën e Teutës pas një harkimi të gjatë në zonë nga e djathta. Sfera përfundon jashtë pasi asnjë prej dy lojtarëve të Luftëtarit nuk gjuan në portë.

75’ Zëvendësime nga të dy krahët. Zguro zë vendin e Rapo te Luftëtari, ndërsa Shehaj hyn në fushë në vend të Lenës te Teuta.

72’ Dosti lëshon një harkim të saktë që gjen në zonë Osemene, por këtë radhë, gjuajtja e tij nuk gjen kuadratin.

67’ Edhe Dosti shkëputet në krahun e majtë, gjuajtja e tij devijohet mbi traversën e Mirakës nga një mbrojtës.

66’ Çyrbja rrotullohet mirë në zonë dhe pasi shmang mbrojtësin kundërshtar, gjuan në portë. Miraka devijon jashtë sferën dhe shpëton portën nga goli i dytë.

64’ Abazaj mundohet të kthejë në lojë skuadrën e tij me një gjuajtje diagonale nga e djathta, por Kastrati mbyll mirë katërkëndorin e tij dhe bllokon sferën.

59’ Osemene ikën mes dy mbrojtësve dhe i vetëm para Mirakës gjuan, por gardiani i Luftëtarit pret në pozicion.

59’ Teuta i shkon shumë afër golit. Dosti ekzekuton një goditje dënimi nga e djathta, Dediç devijon fluturimthi me të djathtën, por gjuajtja e tij përfundon jashtë ngjitur me shtyllën.

57’ Ndryshon Fernandez, duke hedhur në fushë Toledon për Ramadanin.

53’ Luftëtari sulmon tashmë pasi nuk ka çfarë të humbë më. Por Teuta është e pozicionuar shumë mirë në mbrojtje dhe lë shumë pak hapësira, e udhëzuar nga trajneri Magani.

47’ Kalon në avantazh Teuta me anë të Nijaz Lenës me penallti 1-0.

46’ I sapofuturi në lojë fiton menjëherë një penallti, pasi një top i harkuar drejt tij nga e djathta, preket me dorë në zonë nga Zeqaj.

46’ Magani hedh në fushë Osemene në vend të Latif.

46′ Rifillon pjesa e dytë.

45’+2’ Mbyllet pa gola pjesa e parë e ndeshjes mes Teutës dhe Luftëtarit.

45′ Dy minuta shtesë në fundin e pjesës së parë.

41’ Albi Dosti ekzekuton një goditje dënimi në mënyrë të shkëlqyer, duke kaluar topin mbi mur nga një pozicion ballor. Por edhe Miraka përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke i mohuar mesfushorit gëzimin e golit.

35’ Ndryshon rreshtimi i Luftëtarit, me Abazajn në majën e sulmit. Tani e gjithë iniciativa e lojës i kalon Teutës që ngulmon për të gjetur golin.

34’ Beqiri humb një rast ideal për të shënuar golin e avantazhit. Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, futbollisti kërcen dhe gjuan me kokë, por Kastrati grushton në fundore.

33’ Karton i kuq për Nunjez. Sulmuesi i Luftëtarit largohet nga fusha e lojës para kohe. Kontestime pa fund nga gjirokastritët që protestojnë para Hamitit por ai bën me shenjë që sulmuesi të lërë fushën. Fillimisht Hamitaj e ndëshkoi me të verdhë për simulim, ndërsa më pas i dha të kuq.

nunjez

24’ Çyrbja nis një harkim shumë interesant nga e djathta në qendër, Latif nuk arrin të devijojë para Mirakës i cili kontrollon topin me qetësi.

19’ Top i gjatë nga prapavija për Abazajn i cili niset drejt portës kundërshtare, por Abe ndërhyn në mënyrë të saktë duke mos e lënë sulmuesin e rrezikshëm të Luftëtarit të gjejë hapësirën për të goditur.

15’ Rapa mundohet të rrezikojë portën kundërshtare me një goditje dënimi të nisur në zonë, por atje asnjë nga shokët e skuadrës nuk arrin ta devijojë topin drejt portës dhe mbrojtja vendase largon rrezikun.

10′ Hila ndëshkohet me karton të verdhë për një reagim ndaj Ramadanit, duke përfunduar në listën e të ndëshkuarve nga gjyqtari Hamiti.

8’ Kombinim i shpejtë në krahun e majtë të sulmit me Brahimajn që pason për Bregun. Gjuajtja e këtij të fundit nga jashtë zonës, nuk gjen kuadratin e portës së Teutës.

7’ Ekipi vendas po provon që të dominojë lojën dhe kërkon të rrezikojë me aksione nga krahët, por deri tani nuk ka pasur mundësinë të gjuajë direkt në portën e Mirakës.

3′ Dosti merr krahun e majtë dhe arrin në fundore, por harkimi në qendër kontrollohet nga Miraka.

1’ Ndeshjen e fillon Luftëtari me topin e parë nga qendra.

1’ Shkelmimin e parë nga qendra për të nisur në mënyrë simbolike kampionatin e bën ish-sulmuesi Bledar Mancaku.

Teuta-Luftëtari 2-1

47′ (p) Lena, 85′ Shehaj / 87′ Abazaj

Teuta: Kastrati, Abe, Hrkaç, Sykaj, Beqaj, Hila, Dediç (80′ Shkalla), Lena (74′ Shehaj), Çyrbja, Dosti, Latif (46′ Osemene).

Trajner: Gugash Magani

Luftëtari: Miraka, Zeqaj, Rapa, Beqiri, Rapo (73′ Zguro), Aleksi, Ramadani (57′ Toledo), Abazaj, Brahimaj (84′ Lamçe), Bregu, Nunjez.

Trajner: Daniel Fernandez

KV: Hila, Lena, Abe, Dosti / Ramadani, Zguro

KK: Nunjez

Gjyqtar: Eldorjan Hamiti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"