Testi, Flamurtari kthehet te fitorja ndaj Labërisë. Trajneri Memushi: Të mbajmë ritmin dhe të korrigjohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 12:28

Testi, Flamurtari kthehet te fitorja ndaj Labërisë. Trajneri Memushi: Të mbajmë ritmin dhe të korrigjohemi

Flamurtari ka fituar miqësoren e derbit bregdetar të Bashkisë së Vlorës. Kuqezinjtë mposhtën Labërinë në Nartë me rezultatin 0-2. Fati i miqësores u vendos në pjesën e dytë të ndeshjes. Skuadrat kanë shfrytëzuar pushimin e kampionatit për të mbajtur lojtarët në formë në prag të ndeshjeve pasardhëse në kampionatet respektive.

memushi ribaj shkurtaj

Trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi. kishte menduar që në këtë ndeshje të bënte disa ndryshime në formacion, ku aktivizoi që në minutën e parë portierin Kaloshi. Lajm i mirë është edhe rikthimi i kapitenit Denis Pjeshka, që e nisi si titullar dhe me sa duket e ka kaluar dëmtimin. Flamurtari bën presion që në fillim duke i treguar Labërisë se nuk do ta kishte të lehtë. Haruni dhe Kondaj, pavarësisht se përpiqen të bëjnë gjithçka, nuk kanë forcën e duhur për të shkuar drejt portës vlonjate.

Vitija shërben për Podrimcakun, por ky i fundit nuk ka hapësira. Kuqezinjtë kundërsulmojnë me Oliveirën dhe Podrimcakun, ndërsa mjaft i shpejt në zonë tregohet edhe braziliani. Një tentativë e Diamantit nuk ka shënjestrën e duhur. Kundërpërgjigjet Labëria me Bocajn nga këndi, por bllokohet nga mbrojtja kuqezi. Në minutat në vijim vijojnë tentativat e Flamurtarit sërish me Podrimcakun dhe Diamantin.

Oliveira mund të zhbllokonte shifrat, pasi kishte një mundësi të mirë nga distanca, por gabon. Për vendasit as Kondaj nuk tregohet i saktë. Flamurtari vijon presionin me Bathën, por rrezikun e largon Kondaj. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Diamanti provon me kokë, por nuk gjen dot rrjetën, ndërsa Oliveira prek shtyllën.

PJESA E DYTË. Në këtë fraksion loje trajnerët Memushi dhe Kuqi bënë zëvendësime të shumta. Tenton të zhbllokojë shifrat Kamarago, por pret portieri i Flamurtarit. Podrimcaku nuk tregohet i saktë, por goli do të vinte në minutën e 67-të. Është Dalanaj që me një gjuajtje të fortë nga distanca kaloi në avantazh kuqezinjtë dhe 0-1.

Vetëm tri minuta më vonë do të shënohet edhe i dyti. Haxhiraj pengon brenda zonës kapitenin Pjeshka. Diamanti nuk fal nga pika e bardhë dhe në fund janë kuqezinjtë fituesit e kësaj miqësore.

Memushi: Miqësoret i shërbejnë skuadrës

Eqerem Memushin e kënaq paraqitja e Flamurtarit në këtë ndeshje miqësore. Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat thotë se skuadra po merr ngarkesë të plotë dhe se reagimi ishte shumë pozitiv në këtë ndeshje. “Miqësoret gjithmonë janë të mira. I shërbejnë skuadrës me qëllim që të mbajmë ritmin, por edhe të korrigjohemi dhe të shikojmë se ku jemi. Jam i kënaqur nga skuadra, pasi kemi dy ditë që po punojmë me ngarkesa të plota, paradite dhe pasdite.

Sot (dje) ne kemi qenë në stërvitje nga ora 9:00 deri në 10:30 dhe po sot (dje) bëmë ndeshjen tonë të kontrollit nga ku unë mbeta shumë i kënaqur. Djemtë janë shprehur shumë mirë. Kjo tregon se ata kanë ende rezerva dhe do t’i përdorin më së miri”, u shpreh trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, pas miqësores me Labërinë.

 

LABËRIA-FLAMURTARI 0-2

GOLAT: Danalaj 67’, Diamanti 70’ (11-m)

LABËRIA: Anderson, Kondaj, Kamberaj, Bocaj, Fejzo, Haruni, Tare, Elmazaj, Kaçanolli, Kamarago, Haxhiraj; (U aktivizuan: Çaushaj, Kolila, Mukoj, Pereira). Trajner: Taulant Kuqi

FLAMURTARI: Kaloshi, Bregova, Deliaj, Gustavo, Vitija, Batha, D.Pjeshka, Oliveira, Diamanti, Podrimcaku, La Torre; (U aktivizuan: Teqja, Frashëri, Vucaj, Sidibe, Ramadani, Shkurtaj, Leshi, Kriviçiç). Trajner: Eqerem Memushi

GJYQTARË: K.Shenko, I.Shaba, I.Ferati

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"