Tentativa për mrekullinë/ Shqipëria e Re-jës, ja faktorët për ta nisur mbarë And(o)rrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2021 | 9:41

Tentativa për mrekullinë/ Shqipëria e Re-jës, ja faktorët për ta nisur mbarë And(o)rrën

Rruga drejt “Katar 2022” nuk është kurrsesi e lehtë, por as e pamundur për Shqipërinë. Megjithatë, Edi Reja ka shansin që ta bëjë një mrekulli të tillë, për të na udhëhequr me peshën e eksperiencës mbi supe, drejt një objektivi të pashkelur kurrë më parë. Ashtu siç edhe vetë Shqipëria, është një përvojë e pa provuar në të shkuarën për italianin që drejton për herë të parë një kombëtare. Edicioni që nis sot për Kombëtaren, është ndër ata ku askush nuk kërkon medoemos kualifikimin. Ia dalin vetëm 13 europiane që të shkojnë në Botëror dhe për Grupin I do të kualifikohet e para, ndërsa e dyta duhet të luftojë në “play off”. Kësisoj, shtrëngimi për lojtarët mund të mos jetë kaq maksimal. Ai që ka vërtet presion në këtë situatë, është trajneri dhe stafi i tij. Pse? Sepse Shqipëria sot është një kombëtare e cila ka shkuar një herë në një kompeticion të madh, “Euro 2016”. Sepse Shqipëria sot ka një skuadër realisht cilësore.

Shqiperia-4

Në rregull, jo të shkëlqyer dhe siç do të ëndërronim që të ishte, më e mira, por shumë e mirë, me alternativa, me lojtarë që luajnë në nivele të larta, me bosht që ka lojtarë me eksperiencë etj. Jo vetëm kaq, por trajneri ka një lloj presioni edhe për faktin se Reja nuk po debuton sot me Shqipërinë. E ka bërë pasi iku Panuçi. Nisi nga fillimi Ligën e Kombeve dhe tani po nis edicionin drejt Botërorit. Pra, nuk e ka as shansin që kanë përdorur shpesh trajnerët e huaj në Shqipëri, ku në ndeshjet e para që u ka rrëshqitur këmba, kanë përdorur edhe justifikimin se nuk i njohin si duhet lojtarët apo ambientin. Reja e drejton Shqipërinë që prej 8 qershorit 2019, ku në 15 ndeshje ka fituar 7 prej tyre, tri janë barazime dhe pesë humbje. Golavarazhi gjithashtu pozitiv, 23 të shënuar dhe vetëm 17 të pësuar. Thënë shqip: Kjo është skuadra e tij.

KOMBETARJA

Reja ka pasur të gjithë kohën e nevojshme për t’i njohur lojtarët, për të zgjedhur të preferuarit e tij dhe për të eksperimentuar mjaftueshëm derisa të na servirë gjithçka nga ideja e tij futbollistike. Mbi të gjitha, për t’u nënvizuar në këtë edicion është se Reja ka luksin që askush nuk i kërkon me ngulm dy vendet e para. Jo. Dueli fillestar i tij është me Hungarinë. Pavarësisht nga të gjitha këto, ajo që shqiptarët do të duan të shohin këtë edicion, të paktën është një skuadër e cila duhet të ketë një filozofi të qartë loje, shprehur më së miri në fushë. Të ketë një formacion bazë, dhe jo më një ekip eksperimental. Një tjetër element favorizues në këtë rast është edhe kalendari në favor.

Ne e dimë që në Shqipëri duhet të bëhen shumë elemente bashkë për të bërë hapa të mëdhenj. Edi Reja duhet të shfrytëzojë pikërisht kalendarin që ka këtë muaj. Përballë do të ketë dy kundërshtarë më të vegjël në letër dhe Anglinë. Nëse minimalisht merr gjashtë pikë, mund të krijojë atmosferën që do të shërbejë për vazhdimësinë, duke rritur vetëbesimin, duke pasur një atmosferë të qetë dhe pozitive rreth ekipit kombëtar. Dihet që ekipi ynë kombëtar varet shumë edhe nga kjo atmosferë që e rrethon. Pastaj, nëse do të kapë atë shtatëpikëshin e tij të famshëm, deklaruar edhe në “Panorama Sport”, do të jetë akoma më mirë dhe do të na bëjë realisht të Andrrojmë (ëndërrojmë) që nga Andorra.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"