“Të reagojmë me Tiranën”, Gvozdenoviç i shqetësuar nga rezultatet e fundit: Përgjegjësia është e gjithë skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2023 | 8:50

“Të reagojmë me Tiranën”, Gvozdenoviç i shqetësuar nga rezultatet e fundit: Përgjegjësia është e gjithë skuadrës

Skënderbeu do të kërkojë rikthimin te fitorja në ndeshjen e së dielës ndaj Tiranës në Korçë. Pas humbjes në Elbasan përballë Dinamos korçarët kanë analizuar me kujdes gabimet në ndeshjen e fundit dhe janë duke punuar për të shmangur situata të ngjashme në ndeshjen e radhës.

gvozdenovic

Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç ndaj Dinamos ekipi i tij ka bërë gabime në vendosje veçanërisht në dy golat e pësuar. Gabime që trajneri nuk kërkon të përsëriten në ndeshjen e radhës.

Në kushte të tilla analizon humbjen e javës së kaluar, teksa nuk pranon të komentojë vendimet e arbitrave në dy momente kur korçarët kanë pretenduar për penallti.

“Të them të drejtën ndaj Dinamos ishim të shpërqendruar në dy golat që kemi pësuar dhe nuk ka asnjë justifikim. Përgjegjësia është e gjithë ekipit dhe jo vetëm e mbrojtjes, pasi nuk dua të ndaj ekipin me reparte. Jemi një dhe funksionojmë si grup ndaj edhe përgjegjësia është e gjithë grupit. Më pas kemi rregulluar lojën tonë. Jemi shprehur mirë në fushë dhe kemi pasur mundësi që edhe të dilnim me pikë nga ajo ndeshje.

Sa u përket rasteve të moviolës unë nuk dua të komentoj vendimet e arbitrave. Preferoj të vijoj të shoh gjërat me qetësi. Edhe pas ndeshjes nuk doja të komentoja dhe do të vijoj kështu të mos merrem me vendimet e arbitrave, por të kërkoj suksesin nga loja e ekipit dhe atë që ne tregojmë në fushë”, u shpreh fillimisht trajneri i Skënderbeut për “Panorama Sport”.

TIRANA – Ndeshja e radhës për trajnerin është një ndeshje e bukur dhe e rëndësishme njëkohësisht, por nuk pranon ta quajë decizive përsa i përket ecurisë së bardhekuqve.

“Ndeshja ndaj Tiranës është një ndeshje derbi dhe do të jetë shumë e bukur për t’u parë. Njëkohësisht impeniative dhe e rëndësishme për ne. Nuk dua të krijoj diferencime, pasi për mua ndaj Tiranës vlen njësoj si ndaj Partizanit apo Egnatias.

Është një ndeshje radhe dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë. Nëse duam të marrim maksimumin duhet ta tregojmë në fushë që e meritojnë. Normalisht ne hyjmë për tri pikët, por më pas do të shohim se çfarë meritojmë në këtë fazë të lojës. Kampionati këtë sezon është shumë i vështirë dhe ekipet janë afërsisht të një cilësie”, vijoi trajneri bardhekuq.

ECURIA – I ndalur te rezultatet e fundit, Gvozdenoviç e quan të domosdoshëm reagimin e ekipit në ndeshjen e radhës. Një pikë në këtë fazë të dytë për të është pak ndaj duhet që ekipi të reagojë që nga ndeshja e radhës.

“Kemi nisur këtë fazë të dytë me një pikë në dy ndeshje dhe kjo për ne nuk është mirë. Ndaj edhe për këtë reagimi është mëse i domosdoshëm. Do të mundohemi të kthejmë faqe dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë që mundemi. E kemi analizuar ndeshjen e radhës dhe jemi të mendimit që mund t’ia dalim nëse japim maksimumin tonë”, përfundoi trajneri i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"