Te Kukësi tani besojnë, Duka: Nica na ringriti, gati t’i marrim pikë Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2023 | 19:14

Te Kukësi tani besojnë, Duka: Nica na ringriti, gati t’i marrim pikë Tiranës

Kukësi ndodhet për momentin në mesin e tabelës dhe duket se është konsoliduar disi, duke parë atë nisje të dobët të kampionatit. Në ekip janë të kënaqur me ngritjen që ka pësuar skuadra, ku edhe kur nuk ka marrë gjithnjë rezultatet, ka dhënë shenja pozitive në lojën e bërë.

DUKA

Të paktën, kështu shprehet në një prononcim për “Panorama Sport” mbrojtësi Nikolin Duka, i ardhur këtë merkato vere nga ekipi i Laçit. “Kampionatin e nisëm me rezultate negative si rezultat i kohës së shkurtër që stërviteshin bashkë. Me ardhjen e profesor Nicës dhe ndërhyrjen e presidencës e drejtor Naimit (Halili), ekipi mori formën e duhur dhe filluan rezultatet pozitive. Jemi të kënaqur për rezultatet pozitive, por edhe kur kemi humbur, kemi bërë lojëra të mira”, u shpreh fillimisht Nikolin Duka, i cili është kthyer menjëherë në një nga lojtarët më stabël të Kukësit të këtij sezoni.

TIRANA – 23-vjeçari e ka të qartë se këtë javë kanë përballë një skuadër të vështirë, sepse do të luajnë me Tiranën në transfertë. Gjithsesi, Duka pohon se do të hyjnë në fushë për të marrë maksimumin e mundshëm. “E kemi vlerësuar maksimalisht këtë përballje dhe po stërvitemi për të fituar. Kemi treguar që dimë të fitojmë e përballemi me çdo skuadër të Superiores. Çdo ekip e vlerësojmë, por ndaj Tiranës do të tentojmë patjetër rezultatin pozitiv”, vijoi prononcimin e tij për gazetën autori i 11-të takimeve këtë sezon me skuadrën e Kukësit.

OBJEKTIVAT – Në fund, Duka pret pak edhe objektivat, ku pohon se disiplina në stërvitje dhe eksperienca e Nicës ka bërë që skuadra të besojë për më shumë. Gjithsesi, ai mendon gjithnjë vetëm për ndeshjen e radhës dhe më pas do të shihet rrugës se deri ku mund të arrijnë. “Timonier kemi një trajner me eksperiencë të gjatë në kampionatin tonë. Në ekip ka futur frymën e grupit e të sakrificës dhe çdo lojtar stërvitet si të jetë i formacionit. Disiplina dhe harmonia është parësore në ekip. Çdo ndeshje të radhës e përgatitim që ta fitojmë e hap pas hapi do të shohim objektivat”, mbylli prononcimin e tij për gazetën mbrojtësi i Kukësit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"