Tapet i ri dhe fitore, Burreli i bën të gjitha ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2012 | 13:03

Tapet i ri dhe fitore, Burreli i bën të gjitha ndaj Dinamos

BURRELI-DINAMO 1-0
GOLI: Pjetrani 73′
BURRELI: Xhixha, Bashi, Hotaj, Pepa, Kola (Melani 46′), Lekaj, H.Mata (E.Mata 55′), Dalipi, Murati, Pjetrani, Pirani (Proda 88′). Trajner: E.Plori
DINAMO: Lamellari, Likmeta, Rexhepi, Sekseni, Sulejmani, Seriani, Thiago, Kule, Hasa, Djarmati, Rakipi (Hamzai 80′). Trajner: D.Mehmeti
KARTONË TË VERDHË: Pepa 43’/ Rexhepi 81′
GJYQTARË: S.Çeka, E.Çuni (Laç), Sh.Ziri (F.Krujë)
VËZHGUES: F.Haxhia
DELEGAT: E.Lika

Përmes një ceremonie të veçantë, ashtu siç edhe ishte premtuar, u bë dje inaugurimi i fushës së stadiumit “Liri Ballabani”, një vepër e nisur muaj më parë. Me një bashkëfinancim të Bashkisë së Burrelit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, vlera e rikonstruksionit të kësaj fushe shkoi afërsisht 24 milionë lekë të rinj. Me një tapet bashkëkohor, stadiumi “Liri Ballabani” ka një pamje krejt tjetër. Qindra tifozë të zjarrtë të rrethit Mat mbushën stadiumin, për të ndjekur fillimisht ceremoninë e inaugurimit dhe më pas ndeshjen Burreli-Dinamo. Në fjalën e saj përshëndetëse, kryetarja e Bashkisë së Burrel, Adelina Farrici, u shpreh se është e lumtur që u arrit finalizimi i këtij investimi. I pranishëm në këtë inaugurim ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i cili deklaroi: “Qytetarët matjanë e meritojnë këtë investim, pasi kanë treguar vlera në futboll ndër vite”.  Gjithashtu, inaugurimin e këtij investimi e përshëndeti edhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Ndeshja Sfida ka nisur mirë për vendësit, të cilët rrezikojnë në minutën e dytë me anë të Piranit, që ka gjuajtur drejt portës mike, por portieri Lamellari ka pritur bukur. Janë kundërpërgjigjur miqtë vetëm dy minuta më vonë me anë të Djarmatit, por Xhixha nuk lejoi preken e portës së tij. Në minutën e 27-të ka kërkuar portën Dalipi, por portieri dinamovit e ka mbrojtur atë më së miri. Përsëri Djarmati në minutën e 30-të gjuan bukur dhe e vë në vështirësi portierin matjan Xhixha. Pjesa e dytë nis me një sulm të miqve dinamovitë, të cilët rrezikojnë me anë të Thiagos në minutën e 48- të, por pa arritur të shënojnë. Në të 50-ën Rakipi humbi një rast ideal për blutë, pasi i vetëm përballë Xhixhës nuk arriti të shënonte. Për të ardhur në minutën e 73-të, kur Pjetrani ekzekuton mjaft bukur një goditje dënimi dhe shënon në trekëndëshin e portës së Lamellarit, duke ngritur peshë mijërat e tifozëve që kishin mbushur shkallët e stadiumit. Entuziazmi përfshin edhe tribunën VIP, ku e ndiqnin takimin kryebashkiakja e Burrelit, Adelina Farrici, përfaqësues të institucioneve vendore, deputeti Minxhozi dhe drejtues të FSHF-së. Në minutat e mbetura miqtë tentuan disa herë të shënonin, por nuk ia arritën qëllimit. Nga ana tjetër, matjanët e kanë ruajtur deri në fund avantazhin e golit të Pjetranit dhe me këtë 3-pikësh janë ngjitur në vendin e 8-të me 16 pikë.

Plori: I meritonim këto gëzime
Trajneri i Burrelit, Elvin Plori, përjetoi dje një prej ditëve të tij më të mira që kur është në krye të kësaj skuadre. Pas ndeshjes, ai u shpreh: “Jam shumë i lumtur për fitoren. Këtë ia dedikoj stafit të klubit dhe tifozërisë së flaktë matjane. Unë realisht e premtova këtë fitore dhe i falënderoj të gjithë futbollistët, të cilët më bën krenar, pasi fjala u mbajt. Ata luajtën deri në minutat e fundit dhe dhanë maksimumin e tyre në këtë përballje, duke na dhënë kënaqësi të gjithëve. Sot (dje) patëm dy gëzime, atë të inaugurimit të fushës së re dhe fitoren e parë në këtë fushë me Dinamon. Kjo e fundit bëri një lojë të ekuilibruar dhe i uroj suksese”, – tha Plori.

Mehmeti: Na penalizuan mungesat
Pas ndeshjes trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, u shpreh: “Ishte një ndeshje, të cilën ne e kishim vlerësuar maksimalisht. Bëmë një lojë të bukur, por nuk arritëm të finalizojmë aksionet. Duhet theksuar se në Burrel vinim me shumë mungesa, ndaj dhe ne e konsideruam si të vështirë. Burreli bëri lojë të mirë në kërkim të golit dhe arriti ta shënojë atë në një moment të vështirë. I uroj suksese kësaj skuadre. Tani duhet të mendojmë për takimin e radhës”.
DRITAN KURTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"