Takaj: Një mln € premio për turin tjetër, tashmë japim maksimumin në “Play-of”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 22:59

Takaj: Një mln € premio për turin tjetër, tashmë japim maksimumin në “Play-of”

Takaj kryesore

Presidenti i Skënderbeut ka deklaruar se skuadra e tij ka përmbushur ëndrrën e nisur pesë vite më parë. Sipas Ardian Takajt, është një arritje falë punës së pesë viteve dhe falë djersës së derdhur të të gjithë lojtarëve, që këtë herë kanë pasur edhe fat. Në një intervistë për “Super Sport”, pas ndeshjes, Takaj është shprehur entuziast. Përveçse ka garantuar edhe një herë shifrat e majme të premiove, ka bërë me dije se skuadra e tij do të bëjë maksimumin në “play Off”. “Shpresoj që pas nesh, edhe Kombëtarja të shkojë në Francë”, ka thënë ndër të tjera presidenti i Skënderbeut.

Zoti Takaj, sapo keni fituar të drejtën për të arkëtuar një shumë të konsiderueshme parash…

Fillimisht do të mendojmë të festojmë këtë sukses. Më pas, të mendojmë për fitimet dhe për gjërat e tjera.

Ju keni paguar për vite për të mbajtur ekipin dhe tani merrni një shifër të konsiderueshme të ardhurash. I kënaqur besoj…

Patjetër që po! Është një punë e filluar që para pesë vitesh. Gjatë kësaj rruge, edhe fati nuk ka qenë me ne në të paktën dy raste. Më erdhi mirë që sot arritëm të realizojmë një ëndërr të nisur para pesë vitesh.

Keni qenë optimist që përpara ndeshjes së parë. Cilin do të veçoni si momentin më të mirë?

Këto janë takime që janë 180 minuta dhe nuk janë vetëm 90 minuta. Kur bie bilbili i ndeshjes së kthimit, atëherë mbaron gjithçka. Fati deshi që puna dhe djersa e të gjithë lojtarëve dhe stafit të shpërblehet. Kemi fituar 2-0 në të dyja ndeshjet, që tregon edhe një herë se kemi arritur fitore shumë të pastër. Nëse ëndrra bëhet realitet me këtë arritje, a duhet të guxohet për më të madhen, grupet e Champions-it? Nuk diskutohet që po. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë dhe nëse do të kemi fat, atëherë nuk ka arsye pse të mos shpresojmë.

Në Kishinau, jashtë kamerave keni thënë që Salihin do ta mbajmë peng, edhe për batutë…

Unë ia kam thënë Salihit që “ti e lidh litarin vetë me duart e tua”. Është e vërtetë, madje unë e kam deklaruar edhe më parë që në rast se do të arrinim objektivin, Salihi do të ishte një nga objektivat e merkatos.

Në fillim ishte 100 mijë euro premio kundër Krusaders. Më pas u bë 500 kundër Milsamit. Çfarë do të ndodhë me premion për turin tjetër?

Premiot zakonisht dyfishohen rrugës (qesh…). Champions-i ka të ardhura shumë të mëdha, dhe në rast se kualifikohemi, unë jam i gatshëm të them që do të jetë 1 milion euro premio. Megjithatë, siç e keni thënë edhe ju vetë më parë, këto janë para që i fiton skuadra dhe nuk i paguan presidenti… Kjo është rruga për futbollin se si fitohen lekët dhe se si pasurohen edhe lojtarët. Nëse arrihen objektivat dhe nëse ekipi shkon lart, është normale që të shtohen edhe të ardhurat për secilin lojtar.

Çfarë do të thotë ky kualifikim për të ardhmen e Skënderbeut?

Skënderbeu futet në një epokë tjetër dhe futbolli shihet si një biznes shumë i madh. Në rast se do të jesh prezent çdo sezon dhe do të bëhet një merkato e mirë duke bërë një klub shumë të madh, atëherë e bën veten edhe pjesëtar të përhershëm në Kupat e Europës. Kjo është një arritje shumë e madhe për futbollin shqiptar. Po të shohësh, edhe Kombëtarja ka rezultate të shkëlqyera. Më bëhet qejfi që pas nesh edhe ajo të arrijë të shkojë në Francë. Do të jetë arritje shumë e madhe për futbollin shqiptar.

Atmosferë e mrekullueshme… Një falënderim për të gjithë tifozët. Tifozët korçarë treguan edhe një herë se ishin të mrekullueshëm dhe na mbështetën pa incidente. Gjithashtu një falënderim edhe për Elbasanin.

A do të bëni merkato?

Patjetër që po. Do të përforcojmë skuadrën, pasi duhet të përballojmë edhe Europën edhe kampionatin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"