Takaj: Mbrojtja e boshatisur, pas Milsamit ndërhyjmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2015 | 19:23

Takaj: Mbrojtja e boshatisur, pas Milsamit ndërhyjmë

TakajPas dënimit të Arapit dhe Osmanit të dëmtuar, mbrojtja e Skënderbeut është në kufijtë e emergjencës. Në këto kushte klubi pritet të rifutet sërish në merkato, për të afruar një mbrojtës që do të bëjë diferencën në prapavijën e Skënderbeut. Pavarësisht se mbrojtja është pa një pjesë të mirë të titullarëve, bardhekuqve u duhet të veprojnë me këtë kontingjent edhe për ndeshjen e kthimit me Milsamin.

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, për “Panorama Sport” ka theksuar se do të ketë përforcim në mbrojtje, por gjithçka do të bëhet pas ndeshjes së kthimit kundër Milsamit.

“Reparti mbrojtës është disi i boshatisur, pas dy mungesave të rëndë- sishme që kemi, por ekipi ka treguar se di ta përballojë me sukses situatën. Fillimisht do të presim të kalojmë Milsamin dhe më pas kemi kohë për të vepruar të qetë në merkato. Kemi dy javë në dispozicion, para ndeshjes së radhës, dhe normalisht që do t’i bëjmë mirë të gjitha llogaritë, para se të futemi në bisedime me ndonjë futbollist. Skënderbeu tashmë kërkon lojtarë që të bëjnë diferencë dhe të kenë eksperienca europiane, prandaj nuk është e thjeshtë. Por ajo që është e rëndësishme është se do të hyjmë në merkato. Kjo është e sigurt. Gjithçka do të ndodhë pas ndeshjes së radhës me moldavët e Milsamit”, përfundoi kështu Ardjan Takaj. Në ditët e kaluara Skënderbeu ka qenë fare pranë nënshkrimit me bullgarin Viktor Ganev, por gjithçka ka dështuar pasi nuk është federuar në kohë për turin e tretë.

Përgatiti: Ll. Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"