Takaj: Besojmë te kualifikimi, Salihi ikën vetëm për një klub të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2015 | 13:02

Takaj: Besojmë te kualifikimi, Salihi ikën vetëm për një klub të madh

takaj123Skënderbeu do të përballet me Dinamon e Zagrebit në ndeshjen e “play-off”-it në Champions Ligë. Ky ka qenë verdikti i dalë nga goglat në Nion të Zvicrës. Menjëherë pas hedhjes së shortit ka ardhur edhe reagimi i presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj. Numri një i klubit bardhekuq ka theksuar se në këtë pikë të gjithë kundërshtarët janë të fortë dhe kushdo që do të binte, do të ishte një ndeshje e fortë. Megjithatë, Takaj është i bindur që Skënderbeu i tij do të dijë të përballet me kroatët. “Normalisht që në këtë pikë të turneut të gjitha skuadrat që kishim në vazo ishin të forta dhe kushdo që të binte, nuk do të ishte përballje e lehtë.

Kundër Dinamos së Zagrebit duhet të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë. Ne kemi arritur objektivin primar, por nuk do të thotë se do të heqim dorë nga objektivi jonë madhor. Jam i bindur që do të luftojmë dhe nuk do të dorëzohemi. Dinamo është një ekip i fortë, por edhe ne nuk jemi lehtësisht të kalueshëm. Janë dy takime dhe në 180 minuta ne do të bëjmë më të mirën tonë. Ekipi është shumë i fortë dhe unë kam besim te djemtë. Do të preferoja që ndeshja e parë të luhej në transfertë, por kam besimin se në Elbasan Arena, me atë tifozeri të mrekullueshme që pamë kundër Milsamit, do t’ia dalim”, theksoi presidenti Takaj në lidhje me shortin.

Më tej, numri një i klubit korçar u ndal edhe te merkato. “Momentalisht jemi duke punuar dhe afrime do të ketë. Jam duke parë me kujdes alternativat që do të kemi. Janë mbi 20 emra që po i shikojmë me kujdes dhe do të bëjmë zgjedhjet tona. Për momentin nuk mund të them asnjë, pasi nuk ka asgjë zyrtare. Ne do të bëjmë si fillim vetëm një afrim, pasi kaq lejon UEFA për të federuar në këtë tur. Më pas të shohim. Ju siguroj se do të ketë përforcime të ekipit në mbrojtje dhe në mesfushë”, deklaroi presidenti Takaj duke konfirmuar ndërkaq se janë Basha dhe Lila, sikundër ka raportuar “Panorama Sport” ditë më parë, mundësi për t’u bërë realitet.

“Po punojmë, por të shohim deri në fund”, u përgjigj shkurtimisht Ardjan Takaj. Në fund, kreu i korçarëve foli edhe për të ardhmen e Hamdi Salihit. “Salihi e tregoi që është lojtar i madh dhe që meriton vëmendjen e ekipeve të mëdha. Nuk është pak të shënosh 5 gola në Champions dhe jam i bindur se nuk do të ndalet me kaq. Ne duam më të mirën e Salihit, dhe normalisht që nëse ka ndonjë ekip të madh nuk do të bëhemi pengesë. Por nëse ofertat nuk do t’i duken të përshtatshme Salihit, dera e Skënderbeut është gjithmonë e hapur për të”, përfundoi presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"