“Ta mbyllim si kampion, mbajtëm premtimin e para 3 viteve”. Administratori Çoku tregon planin e Elbasanit të elitës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 13:00

“Ta mbyllim si kampion, mbajtëm premtimin e para 3 viteve”. Administratori Çoku tregon planin e Elbasanit të elitës

Në Elbasan presin ta kurorëzojnë si duhet këtë edicion futbollistik, teksa ngjitjen në Superiore duan ta arrijnë përmes titullit kampion. Me sa duket, vendi i dytë i rri “ngushtë” dhe në skuadër do të bëjnë maksimumin e mundshëm që në gjashtë sfidat e mbetura të mbajnë këtë ritëm dhe të ruajnë vendin e parë, që e kanë fituar para katër javësh.

coku elbasani

Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” administratori Marenglen Çoku, i cili kujton edhe premtimin që ka bërë para tri vitesh kur u krijua klubi AF Elbasani. “Jemi një hap larg atij premtimi që unë kam dhënë për ‘Panorama Sport’ kur u krijua ky klub dhe atëherë militonim në Kategorinë e Tretë. Do t’i ngjisim shkallët vit pas viti dhe do të shkojmë në Superiore.

Ky objektiv po realizohet, por duhet të jemi objektivë dhe profesionistë, asnjëherë të mos shkojmë në vetëkënaqësi pa e siguruar ende matematikisht. Në situatën ku jemi, duam ta mbyllim si kampionë këtë kategori për të përligjur investimet dhe synimet tona, por edhe për të kënaqur tifozerinë që na ka mbështetur gjithnjë”, u shpreh fillimisht administratori Çoku.

TRAJNERI – Në fjalën e tij për gazetën, Çoku u ndal edhe te çështja e trajnerit për sezonin e ardhshëm, duke konfirmuar në njëfarë mënyre edhe Nevil Deden në krye të pankinës. “Çdo punë matet me rezultate, sidomos në futboll. E njëjta gjë është edhe me trajnerin. Elbasani është drejt realizimit të objektivave, për më tepër që edhe lojërat kanë qenë të mira, sidomos javët e fundit ku kemi treguar potencialin tonë të vërtetë.

Bashkëpunimi që kemi pasur deri tani ka qenë shumë i mirë dhe nuk shohim arsye pse të mos e vijojmë. Bisedat nuk kanë munguar, por për aq kohë sa jemi ende në aktivitet, është një situatë në diskutim e sipër. Nga të dyja palët është dëshira e mirë për të vijuar dhe kjo është e rëndësishme”, vijoi më tej Marenglen Çoku.

SUPERIORJA – Elbasani ka mundësi që ta mbyllë këtë javë matematikisht ngjitjen në Superiore, ndaj duhet të mendojë edhe për elitën. Çoku thekson se kanë nisur piketimet e para dhe do të formojnë një ekip dinjitoz edhe në elitë. “Tani, synimi ynë është që edhe në Superiore t’i japim tonin, edhe pse është e qartë që nuk është e lehtë. I kemi nisur piketimet e para dhe e kemi të qartë se çfarë kërkojmë aty.

Por, si çdo punë nuk kemi ndërmend të nxitohemi, por t’i marrim gjërat me radhë dhe në kohën e duhur. Të sigurojmë njëherë matematikisht ngjitjen dhe më pas do ulemi të gjithë bashkë dhe të shohim se ku do ndërhyjmë. Ajo që di të them për momentin është se do të jemi konkurrues edhe aty”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Marenglen Çoku.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"