Sulmuesi kroat këmbëngul, Pejiç: Nuk do të vij te Skënderbeu, nëse nuk më japin paratë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2014 | 9:05

Sulmuesi kroat këmbëngul, Pejiç: Nuk do të vij te Skënderbeu, nëse nuk më japin paratë

PejicAshtu siç dhe ishte parashikuar, Pero Pejiç ka munguar në ditën e parë të grumbullimit të Skënderbeut. Megjithëse të gjithë prisnin që nga çasti në çast të vinte vetë lojtari në Tropikal, atje ku do të grumbullohen kampionët, kroati nuk do të paraqitej. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Pejiç gjatë një bisede për “Panorama Sport”. Lojtari, i kontaktuar me telefon nga gazeta, ka theksuar se nuk do të nisej drejt Shqipërisë ditën e djeshme. Një gjë të tillë Pejiç do ta bëjë vetëm nëse do të shlyhet fillimisht nga klubi. Por ndërkaq lojtari nuk ka mohuar faktin se ka biseduar me drejtuesit e ekipit dhe ka rënë dakord për rinovim vetëm nëse do të shlyhen të gjitha detyrimet që Skënderbeu ka karshi tij. “Sapo kam mbaruar pushimet dhe tani do të bëhem gati të filloj pak stërvitje për të mbajtur trupin në formë. Nuk jam nisur drejt Shqipërisë për t’u bashkuar me ekipin në grumbullim. Një gjë të tillë do ta bëj vetëm nëse klubi i Skënderbeut do të më kalojë në bankë fillimisht të gjitha detyrimet që ka karshi meje. Pa shlyer më parë ato çka klubi më detyrohet unë nuk do të shkoj në grumbullim me ta. Pra, duhet që të gjithë të ardhurat që më detyrohen të m’i kalojnë në bankë”, – deklaroi Pero Pejiç, i cili pret të marrë 15 mijë euro nga kontrata e sezonit të kaluar. Më pas u ndal për të komentuar edhe ofertat e merkatos, që mendohet t’i jenë bërë futbollistit kroat. Ai ka mohuar një interesim nga Apolon Limasoli dhe nga Komo, teksa theksoi se me Skënderbeun rinovon menjëherë sapo të jetë shlyer nga klubi. “Nuk më rezulton që të kem një ofertë konkrete nga këto klube. Unë do të shoh se si do të ecin gjërat. Fillimisht duhet që të mbyll gjithçka për sa u përket detyrimeve të klubit. Më pas jam i lirë të firmos edhe me Skënderbeun për një tjetër sezon. E gjitha mbetet peng e detyrimeve që duhet të shlyejë klubi. Pa marrë lekët nuk kthehem në Shqipëri”, – përfundoi Pero Pejiç.

“Bojkoton” edhe Radas, pret 30% të kontratës
Nga ana tjetër mendohet që një gjë të tillë të kërkojë edhe Marko Radas. Mbrojtësi korat i Skënderbeut, megjithëse ka rinovuar kontratën me klubin bardhekuq, nuk ka qenë i pranishëm në grumbullimin e parë të ekipit. Gjatë kësaj kohe Radas nuk ka pranuar të komentojë asgjë për sa i përket të ardhmes së tij në media, por burime të sigurta pranë mbrojtësit bëjnë me dije se dhe ai sikundër bashkëkombësi i tij Pejiç, nuk do të kthehet pranë ekipit derisa klubi t’i japë edhe pjesën tjetër të detyrimeve që i takojnë lojtarit si pjesë të 30% të klauzolës për titullin kampion. Pritet ndërkaq që ditët në vijim të ketë zhvillime të tjera, por Radas, edhe pse nën kontratë me klubin, nuk do të paraqitet në grumbullim.
LLAZI SARO

Ribaj dhe JosaJosa: Pres Muzakën, Pejiç e Radas shkelën rregulloren
Skënderbeu ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2014-2015. Trajneri Mirel Josa pasditen e djeshme është njohur me gjendjen e lojtarëve që kishte në dispozicion për seancën stërvitore, pasi disa prej lojtarëve për arsye të ndryshme nuk ishin të pranishëm në grumbullimin e Skënderbeut. Gjatë një interviste për gazetën “Panorama Sport, numri një i pankinës korçare u shpreh se skuadra do të përsërisë sezonin e shkuar.
Josa, si paraqitet gjendja e lojtarëve në ditën e parë të grumbullimit?
Së pari më duhet ta uroj skuadrën për një sezon sa më të mbarë. Kjo është dita e parë e grumbullimit dhe faktikisht skuadra nuk është e plotë, sepse vihen re mungesa të shumta, disa me arsye dhe disa të tjera pa arsye. Në përgjithësi gjendja e lojtarëve paraqitet optimiste, por theksoj se përpara kemi shumë, shumë punë për të bërë. Ditët në vijim do të duket dhe gjendja finale e tyre, plus faza përgatitore do t’i sjellë në formën e duhur fizike.
Skuadra do të niset nesër (sot) drejt Austrisë. Keni nevojë për përforcime të tjera dhe lojtarët që do afrohen do t’i bashkohen grupit këtu apo në Austri?
Skuadra do të niset e plotë drejt Austrisë. Do përpiqemi t’i kryejmë të gjitha afrimet pa u nisur në Austri, me përjashtim të ndonjë lojtari që mund t’i bashkohet skuadrës gjatë fazës përgatitore. Presim lojtarët të kthehen. Orelesi dhe Ademir pritet të vijnë sot në mbrëmje (dje), gjithashtu sot do të kthehen lojtarët që u përfshinë në Kombëtare Shehi dhe Lilaj.
Flitet për afrimin e Bakajt dhe Kristi Vangjelit…
Mund të them që, përveç të deklaruarve, tashmë si pjesë e ekipit të Skënderbeut, nesër (sot) skuadrës do t’i bashkohet mesfushori me tipare sulmuese Elis Bakaj. Për Vangjelin nuk mund të them asgjë, pasi ky afrim nuk është i sigurt.
Po Muzaka e Tomiç do të jenë pjesë e skuadrës?
Unë kam deklaruar edhe në herët në lidhje me këta dy lojtarë. Tomiç nuk bën pjesë në planet tona për sezonin e ri, ndërsa me Muzakën s’kemi mbyllur ende bisedimet dhe gjithçka do të vendoset në ditët në vijim. Skuadra besoj se do të jetë e kompletuar para se të niset drejt Austrisë, ku dhe do të zhvillojmë fazën përgatitore.
Pero Pejiç…
Pejiç ka pretendimet e tij. Do të bisedohet me presidentin rreth kësaj çështjeje. Sigurisht, Pejiç është vënë në dijeni se sot (dje) do të niste grumbullimi dhe shikoj që nuk është paraqitur. Qoftë Pejiç, qoftë Radas janë të pajustifikueshëm me vonesën.
Pra, këto dy ditë do të ketë zhvillime në kampin korçar?
Sikurse përmenda, skuadra do të niset e plotë drejt Austrisë. Afrimet që kemi për të bërë, do t’i realizojmë këto dy ditë. Në Austri ne do të zhvillojmë disa ndeshje miqësore dhe ndoshta, për shkak edhe të dëmtimeve, do të lindë nevoja për afrimin e ndonjë tjetër lojtari. Atëherë përzgjedhja do t’i bashkohet grupit atje.
Me eksperiencën e krijuar sezonin e kaluar në kompeticionet europiane, sa optimist jeni?
Unë jam optimist, sepse do të kem në dispozicion një grup shumë të mirë lojtarësh, të cilët kanë ende etje për të fituar. Jam optimist, sepse kushtet ku ne do të përgatitemi do të ndikojnë në gjendjen e skuadrës. Është viti i tretë radhazi që Skënderbeu zhvillon fazën përgatitore në të njëjtin vend. Pra, nuk do të kemi asnjë lloj problemi gjatë përgatitjeve. Unë besoj se do të jemi gati kur të na e kërkojë nevoja, edhe më të fortë se sezonin e shkuar.
Do të jetë kjo skuadra e sezonit të ri?
Besoj se po. Ne kemi nisur një projekt, të cilin duam ta çojmë deri në fund. Ky projekt nuk parashikon lëvizje të shumta, prandaj këta lojtarë do të jenë edhe pas Champions- it.
Do të jetë objektiv mbrojtja e titullit kampion për sezonin e ri?
Ju shikoni se ka ndryshuar shumë skuadra? Nuk ka shumë ndryshime dhe ne sigurisht që do të kemi si objektiv kryesor mbrojtjen e titullit kampion. Kemi një skuadër shumë të mirë dhe jemi të bindur se do të zhvillojmë një sezon shumë të suksesshëm.
Nga Durrësi, Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"